Cilat janë shkaqet që e ndihmojnë njeriun të jetë më i durueshëm? Shkaku i dymbëdhjetë

March 4, 2016

Cilat janë shkaqet që e ndihmojnë njeriun të jetë më i durueshëm kundrejt shqetësimeve që i shkaktojnë njerëzit? – Shkaku i dymbëdhjetë

Dijetari i mirënjohur, shejhul islam Ibën Tejmije (Allahu e mëshiroftë!) ka përmbledhur një sërë shkaqesh, të cilat nëse muslimani i zbaton, do ta ketë më të lehtë që të jetë i durueshëm kundrejt shqetësimeve apo dëmeve që me dashje apo pa dashje i shkaktojnë njerëzit.

Ndër ato shkaqe, përmendim:

Shkaku i dymbëdhjetë ‘Kush tregohet i durueshëm për hir të Allahut, fiton mbrojtjen e Tij’

Allahu është mbrojtësi dhe ndihmëtari i atyre të cilëve u është bërë padrejtësi.

Ai njeri i cili nuk hakmerret për veten e tij, edhe pse i ka mundësitë për ta bërë një gjë të tillë, do të thotë se ai dëshiron që hakun e tij ta ketë të ruajtur tek Zoti i Madhëruar. Për këtë arsye, ai hasmin e tij zullumqar ia ka dorëzuar Allahut. E ku ka mbrojtës dhe ndihmëtar më të mirë se Zoti i gjithësisë?!

Sahabiu i nderuar, Ebu Hurjera tregon: “Një burrë po e fyente Ebu Bekër Es Sidikun (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) e aty ndodhej edhe i Dërguari i Allahut (Paqja qoftë mbi të!) i cili buzëqeshte, i kënaqur nga vetpërmbajtja dhe durimi i Ebu Bekrit.

Në një moment kur burri e teproi me fyerje, Ebu Bekri ia ktheu atij me disa fjalë. Në atë moment, i Dërguari i Allahut (Paqja qoftë mbi të!) tregoi pakënaqësi dhe u ngrit të largohej.

Ebu Bekri i shkoj pas dhe e pyeti: “O i Dërguari i Allahut! Ai burrë po më fyente, dhe ti ishë prezent. Kur unë ia ktheva disa fjalë, ti shfaqe pakënaqësi dhe u largove.

I Dërguari i Allahut (Paqja qoftë mbi të!) tha: “Aty ishte një engjëll o Ebu Bekër, i cili sa herë që ai të shante, engjëlli ia kthente në vendin tënd, deri në momentin që t’i nise t’ia kthesh atij ofendimin, atëherë aty erdhi shejtani, e unë nuk qëndroj aty ku rri shejtani.

– Pastaj tha:

Tri gjëra janë mëse të vërteta o Ebu Bekër: ‘Nuk ndodh që dikujt t’i jetë bërë padrejtësi e ai të bëj durim për hir të Allahut, veçse Allahu do ta ndihmojë e do t’ia shtojë krenarinë dhe dinjitetin.

Nuk ndodh që dikush të japë diçka nga pasuria e tij duke dashur që nëpërmjet saj të afroj mes njerëzve (ta shtoj dashurinë dhe miqësinë), veçse Allahu ka për t’ia shtuar edhe më shumë pasurinë dhe bereqetin.

Dhe nuk ndodh që dikush t’u kërkoj njerëzve sadaka (lëmoshë) jo nga nevoja, por që ta shtoj edhe më shumë pasurinë, veçse do t’i shtohet edhe më tepër varfëria.”

Hadith hasen (i mirë) “Silsiletu Es Sahiha” vellimi: 5, faqja: 271.
(Shënim: Hadithin e kemi shtuar për dobi dhe nuk është pjesë e tekstit origjinal të Ibën Tejmijes)

Kështu pra, njeriu i cili kërkon të hakmerret për veten e tij, duke u mbështetur vetëm në forcat e veta, një njeri i tillë e privon vetën nga mbrojtja dhe ndihma e Allahut të Madhëruar, pasi ai do të lihet t’ia dalë mbanë vet, pa ndihmën dhe suksesin e Allahut. Por, a ka të krahasuar midis atij njeriu të cilit i del në ndihmë Allahu, Mbrojtësi më i mirë, me atë njeri i cili ka marrë për mbrojtës veten e tij të dobët e meskine?!

vijon…

Shkaqet që e bëjnë njeriun të jetë i durueshëm
kundrejt shqetësimeve që i shkaktojnë të tjerët

Tekijudin Ahmed Ibën Tejmije
661 – 728 h

Përshtati në gjuhën shqipe: Edmond Ajdini

Loading...