Cilat janë shkaqet që e ndihmojnë njeriun të jetë më i durueshëm? Shkaku i njëmbëdhjetë

March 1, 2016

Cilat janë shkaqet që e ndihmojnë njeriun të jetë më i durueshëm kundrejt shqetësimeve që i shkaktojnë njerëzit? – Shkaku i njëmbëdhjetë

Dijetari i mirënjohur, shejhul islam Ibën Tejmije (Allahu e mëshiroftë!) ka përmbledhur një sërë shkaqesh, të cilat nëse muslimani i zbaton, do ta ketë më të lehtë që të jetë i durueshëm kundrejt shqetësimeve apo dëmtimeve që me dashje apo pa dashje i shkaktojnë njerëzit.

Ndër ato shkaqe, përmendim:

Shkaku i njëmbëdhjetë ‘Të durosh do të thotë të triumfosh ndaj vetes dhe emocioneve të tua’

Durimi është virtyt shumë i vyer. Askujt nuk i është dhënë mirësi më e madhe sesa durimi.

Njeriu i cili tregohet i durueshëm kundrejt fyerjeve apo shqetësimeve që i shkaktojnë njerëzit, është njeri i fortë dhe i disiplinuar.

I Dërguari i Allahut (Paqja qoftë mbi të!) thotë:

“Nuk është i fortë ai që e mund tjetrin në dyluftim, por i fortë është ai, që e përmban veten kur është i zemëruar (i nxehur)”
E transmetojnë Buhariu me nr 5763 dhe Muslimi me nr 2609.

Hadithi profetik na nxit që ta luftojmë egon (nefsin), si dhe ta mbizotërojmë dëshirën për triumf dhe hakmarrje ndaj atyre të cilët na kanë shkaktuar zemëratë dhe nervozizëm.

Të durosh në të tilla raste duke e mposhtur nefsin (egoizmin) nuk është e lehtë. Për këtë arsye, Profeti (Paqja qoftë mbi të!), atë njeri i cili përpiqet vazhdimisht që të triumfoi mbi nefsin e tij, në mënyrë që ta sjellë atë në rrugë të mbarë, e ka quajtur ‘luftëtari më i mirë’.

Njeriu i cili e ka nën kontroll nefsin dhe emocionet e tij, e ka siguruar vetveten nga telashe dhe rreziqe të shumta.

Ndërsa në krahun tjetër, ta lëshosh pa fre dëshirën për hakmarrje dhe ndëshkim, duke mos qenë në gjendje të kontrollosh ndjenjat dhe emocionet e tua, do të thotë t’i hapësh vetes dhe të tjerëve derën e shkatërrimit.

Sikur njeriu të mos përfitonte nëpërmjet durimit asgjë tjetër përveç triumfit ndaj vetvetes dhe zmbrapsjes së cytjeve të shejtanit, kjo do të ishte mëse e mjaftueshme. Por e vërteta është se frytet e durimit janë shumë më tepër se aq, dhe vetëm nëpërmjet tij arrihet lumturia, krenaria dhe fitorja.

vijon…

Shkaqet që e bëjnë njeriun të jetë i durueshëm
kundrejt shqetësimeve që i shkaktojnë të tjerët

Tekijudin Ahmed Ibën Tejmije
661 – 728 h

Përshtati në gjuhën shqipe: Edmond Ajdini

Loading...