Cilat janë shkaqet që e ndihmojnë njeriun të jetë më i durueshëm kundrejt shqetësimeve që i shkaktojnë njerëzit? – Shkaku i tetë
Dijetari i mirënjohur, shejhul islam Ibën Tejmije (Allahu e mëshiroftë!) ka përmbledhur një sërë shkaqesh, të cilat nëse muslimani i zbaton, do ta ketë më të lehtë që të jetë i durueshëm kundrejt shqetësimeve apo dëmtimeve që me dashje apo pa dashje i shkaktojnë njerëzit.
Ndër ato shkaqe, përmendim:
Shkaku i tetë: ‘Pa lodhje dhe mundim nuk ka shpërblim’
Nëse njeriu është duke u ballafaquar me lodhje dhe vështirësi për shkak të ndonjë vepre të mirë që është duke e kryer për hir të Allahut, apo për shkak se po përpiqet për udhëzimin e njerëzve dhe këshillimin e tyre, atëherë ky duhet patjetër të bëj durim, pasi përpjekja e tij është në rrugë të Zotit dhe Ai do ta shpërblej për të.
Ky është motivi që i ka nxitur dëshmorët dhe dijetarët të sakrifikojnë gjithçka të shtrenjtë për hir të Allahut të Madhëruar, pasi ata ishin të bindur se përpjekja e tyre nuk ishte duke shkuar kot, sepse Zoti i Madhëruar ka garantuar shpërblimin më të mirë për të, ashtu siç thotë në Kuranin fisnik:
إِنَّ اللَّهَ اشْتَرَىٰ مِنَ الْمُؤْمِنِينَ أَنفُسَهُمْ وَأَمْوَالَهُم بِأَنَّ لَهُمُ الْجَنَّةَ
“Në të vërtetë, Allahu ka blerë prej besimtarëve vetet dhe pasurinë e tyre, në këmbim të Xhenetit” Et Teube, 111.
Kështu pra, shpërblimi për lodhjen dhe mundimin e tij, është tek Zoti, dhe ai nuk ka përse e kërkon atë tek njerëzit.
Nëse ai e kërkon shpërblimin e lodhjes dhe mundit tek njerëzit, atëherë nuk i mbetet më asgjë tek Zoti, pasi Allahu kompeson dhe shpërblen për atë që është dhënë kontribut për hir të Tij dhe që shpresohet shpërblimi prej Tij. Vetëm ajo çfarë jepet për hir të Allahut, shpërblehet prej Tij.
Nëse vuajtja dhe mundimi kanë për bazë ndonjë fatkeqësi që i ka rënë, atëherë le ta kërkoj shkakun e asaj fatkeqësia tek të këqiat që ka vepruar, pasi ashtu siç e kemi thënë edhe më herët, çdo fatkeqësi që e godet njeriun, është pasojë e mëkateve që ai ka punuar. Në këtë rast, njeriut i takon të rishikoj punët e veta dhe jo ta kërkoj përgjegjësinë e fatkeqësisë së tij tek të tjerët.
Megjithatë, ekziston edhe mundësia që vuajtja dhe mundimi i tij, të jenë sprovë që ia ka caktuar Allahu i Madhëruar, e në këtë rast, njeriu duhet patjetër të bëj durim, pasi vetëm kështu do ta kalonte me sukses atë sprovë që i ka rënë.
Të bësh durim gjatë fatkeqësive mund të jetë shumë e rëndë dhe e vështirë, mirëpo të humbasësh shpërblimin e madh që ka durimi në të tilla rastë, është fatkeqësi më e madhe se vet fatkeqësia!
Nëse tregëtari i cili niset me karvanet e tij për në vendet e largëta dhe shkretëtirat e gjera, nuk do të duronte nxetësinë përvëluese dhe të ftohtin e acartë me të cilin mund të ballafaqohet gjatë udhëtimit, shtoji këtu rrezikun që mund t’i kanoset nga grabitësit e rrugëve apo kafshët e egra, atëherë do të duhej që ai vetëm të ëndërronte për shpërblimin dhe fitimin e shumdëshiruar.
Por tregëtari i merr parasysh të gjitha këto, i mbështetet Allahut dhe niset, pasi ai e ka të qartë se pa lodhje dhe mundim nuk ka sukses dhe as fitim. Kjo është diçka e njohur dhe e pranuar nga të gjithë.
Nëse njeriu nuk është i gatshëm të durojë dhe të sakrifikoj diçka nga vetja e tij për të arritur shpërblimin dhe për të përmbushur synimin, atëherë ai s’mund të jetë serioz dhe i sinqertë në atë që ka dëshirë të arrijë, por është vetëm një ëndërrimatar i cili ëndërron me sy hapur.
vijon…
Shkaqet që e bëjnë njeriun të jetë i durueshëm
kundrejt shqetësimeve që i shkaktojnë të tjerët
Tekijudin Ahmed Ibën Tejmije
661 – 728 h
Përshtati në gjuhën shqipe: Edmond Ajdini
Të Ngjashme
- A është e lejuar për gruan me mestruacione që të bëjë Istihara? Udha e Besimtarëve
- Nata e Kadrit Abdurrazak ibn Abdulmuhsin el-Bedër
- Bëhu i begatë kudo që të jesh Udha e Besimtarëve
- Përmendja e të metave dhe hapja e derës së dëshpërimit Udha e Besimtarëve
- Vepro duke qenë i pajisur me dituri Udha e Besimtarëve