Cilat janë tri parimet?
Nëse të thuhet: Cilat janë tri Parimet të cilat janë detyrë t’i dijë çdo njeri? Thuaj: Njohja e njeriut ndaj Zotit të tij, Fesë së tij dhe Profetit të tij (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem).
Këto janë tri parimet për shkak të së cilave është titulluar kjo broshurë ‘’Tri Parimet’’. Këto janë bazat e dijes fetare, bazat e dijes së saktë fetare.
Parimi i parë: Njohja e njeriut ndaj Zotit të tij. Njohja se Allahu është Krijuesi i çdo gjëje, dhurues i të gjitha mirësive që kanë robërit e Tij, i Vetmi i Cili meriton të adhurohet.
Parimi i dytë: Njohja e Fesë Islame me të cilën Allahu dërgoi Profetin e Tij (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem).
Parimi i tretë: Njohja e Profetit (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) si Profet i dërguar nga Allahu tek mbarë njerëzimi. Ai erdhi me udhëzimin dhe fenë e vërtetë.
Këto tri parime janë pyetjet për të cilat pyetet njeriu në varrin e tij. Këto janë sprova e varrit, sic ka ardhur në hadithin e gjatë të Berraut, në të cilin përshkruhet marrja e shpirtit e besimtarit dhe jobesimtarit dhe se kur besimtari vendoset në varr: ‘’I vijnë dy melekë, e ulin dhe i thonë: ‘Kush është Zoti yt? Thotë: Zoti im është Allahu. I thonë: Cila është feja jote? Thotë: Feja ime është Islami. I thonë: Kush është ai njeri i cili u dërgua tek ju? Thotë: Ai është i Dërguari i Allahut (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem). I thonë: Si i di ti këto gjëra (me çfarë argumenti)? Thotë: Kam lexuar Librin e Allahut dhe e kam besuar atë. Dikush thërret nga qielli: Ka thënë të vërtetën robi Im. Shtrojani vendin me shtroja prej Xheneti, visheni me rroba prej Xheneti dhe hapjani një derë për në xhenet!
I vjen nga aty aroma e Xhenetit dhe parfumet e tij, dhe i zgjerohet varri sa largësia e shikimit. Ndërsa jobesimtari kur vendoset në varrin e tij i vijnë dy melekë, e ulin dhe i thonë: Kush është Zoti yt? Thotë: Ëëë, ëëë, nuk e di. I thonë: Cila është feja jote? Thotë: Ëëë, ëëë, nuk e di. I thonë: Kush është ai njeri i cili u dërgua tek ju? Thotë: Ëëë, ëëë, nuk e di. Dikush thërret nga qielli: Ka mohuar e përgënjeshtruar. Shtrojani vendin me shtroja prej zjarrit të Xhehenemit, visheni me rroba prej Xhehenemit dhe hapjani një derë për në Xhehenem! I vjen aty nga i nxehti i tij. Dhe thotë: I ngushtohet varri aq sa i dalin nga vendi brinjët e tij.’’ Hadith i saktë.
Mund të thuhet se këto tri parime janë njohja e të Dërguarit, Dërguesit dhe ajo me të cilën është dërguar: Allahu është Dërguesi, Muhamedi i Dërguari i Tij, dhe Feja Islame ajo me të cilën është dërguar.
Shejh Abdurrahman ibn Nasir el Berrak, Allahu e ruajtë.
Sherh Thelethetul Usul
Të Ngjashme
- A është e lejuar për gruan me mestruacione që të bëjë Istihara? Udha e Besimtarëve
- Nata e Kadrit Abdurrazak ibn Abdulmuhsin el-Bedër
- Bëhu i begatë kudo që të jesh Udha e Besimtarëve
- Përmendja e të metave dhe hapja e derës së dëshpërimit Udha e Besimtarëve
- Vepro duke qenë i pajisur me dituri Udha e Besimtarëve