Cilën dituri fshehu Ebu Hurejra?

November 7, 2018

Cilën dituri fshehu Ebu Hurejra?

Pyetje: A mund të na shpjegoni se ç`lloj të diturisë nuk ka publikuar Ebu Hurejra, fakt të cilin ai e pohon në hadithin e transmetuar në sahihun e Buhariut në kapitullin 43 “Ruajtja e dijes”, hadithi me numër 120, ku thotë: “Kam ruajtur në kujtesën time dy enë me dije të marra prej të dërguarit të Allahut (alejhi selam). Njërën prej tyre e kam përhapur ndërsa tjetrën nëse e përhap më këputet fyti!” Allahu ua shpërbleftë!
Përgjigje: Në lidhje me këtë hadith të cilin e transmeton imam Buhariu nga Ebu Hurejra (radijAllahu anhu), ku ka thënë: “Kam ruajtur në kujtesën time dy enë me dije të marra prej të dërguarit të Allahut (alejhi selam). Njërën prej tyre e kam përhapur ndërsa tjetrën nëse e përhap më këputet fyti!”
Hafidh ibën Haxheri në shpjegimin e këtij hadithi ka thënë: Dy enë domethënë dy lloje të dijes. Enën të cilën ai nuk e ka shpërndarë, dijetarët e kanë sqaruar duke thënë: Aty janë përmendur emrat e prijësave të këqinj, periudha e udhëheqjes dhe gjendja e tyre. Për këtë, Ebu Hurejra fliste për ta në mënyrë indirekte nga frika se mos i bënin ndonjë të keqe. Ai shprehej: Allahu na ruajtë nga mbërritja e vitit gjashtëdhjetë dhe nga udhëheqja e çunakëve (prijësat e vegjël në moshë)! – duke patur për qëllim qeverisjen e Jezidit të birit të Muavijes sepse ai e mori udhëheqjen në vitin gjashtëdhjetë hixhri.

Allahu i’u përgjigj lutjes së Ebu Hurejrës dhe ai vdiq një vit para se të ndodhte diçka e tillë. Ibn Haxheri gjatë shpjegimit të këtij hadithi ka sjellë fjalët e Ibn El Munirit, i cili ka thënë: Mistikët (Batinitë) janë përpjekur t’a përdorin këtë hadith si argument për të legjitimuar devijimet e tyre, duke pretenduar se Sheriati ka anën e dukshme të jashtme dhe anën e padukshme të brendshme. Kjo e brendshme e padukshme tek mistikët është heqja dorë nga detyrat dhe normat fetare.

Ebu Hurejra (radijAllahu anhu) kur përmend këputjen e qafës e ka fjalën për qeveritarët e padrejtë, që mund t’i prisnin kokën nëse do të dëgjonin prej tij fjalë të cilat nxirrnin në pah të metat dhe devijimin e tyre nga rruga e drejtë. Hadithet e shkruara në lidhje me dispozitat fetare nuk mund t’i mbante të fshehura Ebu Hurejra, dhe këtë e dëshmon hadithi i parë i këtij kapitulli në të cilin paraqiten edhe dy ajetet e Kuranit dhe që vënë në dukje rrezikun e fshehjes së diturisë. Disa dijetarë të tjerë kanë thënë: Me llojin e dijes së fshehur ai ka për qëllim çështje që lidhen me shenjat e Kijametit, me situatat dhe trazirat që do të ndodhin në kohën e fundit pranë shkatërrimit të botës. Këto çështje mund t’i mohojnë disa njerëz që nuk janë mësuar t’i dëgjojnë apo të kenë njohuri rreth tyre. (Fet’hul Bari 1\284.)
Pothuajse shpjegime të njëjta kanë dhënë edhe shpjegues të tjerë të ‘Sahihul Buhari’ si; El Ajni, Ibn Batal, El Kurtubi, Ibn Xheuzi e të tjerë.

 

Përktheu: Arjan Haskasa

Loading...