Cilësi negative të natyrës së njeriut që përmenden në Kuran (Pjesa 4)

December 30, 2015

Cilësi negative të natyrës së njeriut që përmenden në Kuran (Pjesa 4)

7- [Khasim, Ekthera shejin xhedele] Debatues i ashpër me të padrejtë: ose duke u kapur pas një gjeje të kotë për të mohuar një të vërtetë, ose duke u kapur pas një gjëje të vërtetë por që nuk ka të drejtë në të.

Fjala [Khasim] ka ardhur në ajetin: “A nuk sheh njeriu se ne e kemi krijuar nga një pikë lëngu pastaj bëhet debatues (Kasimun) i fortë” suretu Jasin: 77.

Ky ajet ka zbritur siç thotë Ibn Abasi -radiallahu anhu- kur El-As bin Uail (një mushrik) shkon tek Profeti -alejhi selam- duke pasur në dorë një kockë të thërrmuar dhe i thotë: O Muhamed, a mund ta ringjallë Allahu këtë pasi që është thërrmuar? Profeti -alejhi selam- i thotë: Po. Allahu e ringjall këtë dhe të vdes ty pastaj të ringjall, pastaj të fut në zjarrin e xhehenemit. Ibn Abasi thotë: zbritën ajetet: “A nuk sheh njeriu se ne e kemi krijuar nga një pikë lëngu pastaj bëhet debatues (Kasimun) i fortë…..(deri në fund të sures)” e transmeton Hakimi duke e saktësuar dhe pajtohet me të imam Dhehebiu.

Allahu i Madhëruar nëpërmjet këtij ajeti tregon se njeriu debaton pa të drejtë në mohimin e ringjalljes duke mos vlerësuar fuqinë e Allahut ashtu siç duhet dhe duke harruar se Ai është Krijuesi i tij nga diçka fare e brishtë si pika e lëngut.

Jeta dhe vdekja janë fenomene që njeriu i pranon sepse ndodhin përditë, ndërsa ringjalljen nuk e pranon se është një fenomen që nuk shfaqet përherë sepse për të është caktuar një ditë e veçantë.

E drejta është që të treja të barazohen së bashku sepse të gjitha janë në dorë të Allahut dhe ndarja e tyre është gabim dhe pikërisht pas këtij gabimi kapet njeriu dhe mohon ringjalljen që është e vërtetë.

Fjala tjetër [Ekthera shejin xhedele] ka ardhur në ajetin: “Ne i kemi sjellë njeriut në këtë Kuran çdo shembull ndërsa njeriu është debutues më shumë se çdo kush tjetër (Ekthera shejin xhedele)” suratu El-Kehf: 54.

Këtë ajet e ka lexuar një herë Profeti alejhi selam për të treguar natyrën e njeriut në një ngjarje mes tij dhe Ali bin Ebi Talibit -radiallahu anhu-. Aliu tregon: [Profeti -alejhi selam- erdhi një herë natën te ne (Aliu dhe Fatimja) dhe na tha: a nuk po faleni?! Unë i thashë: O i dërguari i Allahut, shpirtat tanë janë në dorë të Allahut dhe ai nëse do të na zgjojë, do të zgjohemi. Profeti -alejhi selam- u largua kur ia thashë këto fjalë dhe pastaj e dëgjova duke thënë: “..njeriu është debutues më shumë se çdo kush tjetër”] e transmeton Buhariu dhe Muslimi.

Ky hadith tregon se veprimi i Aliut nuk i pëlqeu Profetit alejhi selam kur e ftoi për në një punë të mirë dhe ai u argumentua me një gjë e cila është e vërtetë por jo arsye për tu justifikuar me të në lënien e punës, prandaj Profeti -alejhi selam- kujton ajetin ku Allahu i Madhëruar tregon për natyrën e njeriut për të debatuar në mbrojtjen e vetes me çdo kusht, qoftë edhe me të padrejtë.

Shkroi Dr Abdullah Nabolli

 

Loading...