Dallimi mes të mirës dhe të ndyrës (Hytbe)

October 6, 2023

Dallimi mes të mirës dhe të ndyrës

Zoti i Madhëruar i drejtohet të Dërguarit të Tij duke i thënë: “Thuaju: “Nuk barazohet e keqja me të mirën, edhe sikur të të habisë bollëku i së keqes. Prandaj kijeni frikë Allahun, o njerëz me intelekt, me qëllim që të shpëtoni.” (Sure Maide, 100.)

Pra, nga mëshira e Allahut është që Ai krijoi elemente të kundërta në këtë botë; gjëra të mira dhe të këqija, njerëz të mirë dhe të këqij, besimtarë dhe jobesimtarë, të dëmshëm dhe të dobishëm, me qëllim që të realizohet provimi dhe sprovimi i robërve.

Në këtë ajet fisnik Allahu e mohon që të barazohet e keqja me të mirën, sepse e mira është e dobishme, ndërsa e keqja është e dëmshme dhe çrregulluese. Sikur të shtohej masa e së keqes apo të prishej diçka prej të mirës, patjetër që realiteti i saj do të shfaqej dhe do të injorohej falsiteti i saj. Termi “i keq” në këtë rast përfshin: njerëzit, veprat, fjalët, pasuritë, ushqimet, pijet etj., prandaj nuk barazohet e keqja me të mirën në këto gjëra dhe në të tjera.

Nuk mund të barazohet mes së keqes dhe të mirës lidhur me persona, siç thotë Allahu i Madhëruar: “Vallë! A është besimtari njësoj si keqbërësi? Jo, ata nuk janë të barabartë.” (Sure Sexhde, 18.) Në një ajet tjetër Allahu i Madhëruar thotë: “A t’i trajtojmë njëlloj ata që besojnë e bëjnë vepra të mira dhe turbulluesit në Tokë?! A t’i trajtojmë njëlloj njerëzit e devotshëm dhe njerëzit e mbrapshtë?!” (Sure Sad, 28.)

“A mos mendojnë ata që bëjnë vepra të këqija, se Ne do t’i vendosim njësoj me ata që kanë besuar dhe që kanë bërë vepra të mira, se jeta dhe vdekja e tyre do të jetë njësoj? Sa keq që gjykojnë ata!” (Sure Xhathije, 21.)

“Nuk janë të barabartë banorët e Xhehenemit dhe banorët e Xhenetit; banorët e Xhenetit do të jenë të fituarit.” (Sure Hashr, 20.)

“Vallë, a t’i trajtojmë ata që Na nënshtrohen njësoj me keqbërësit?! Çfarë keni ju (jobesimtarët)? Si po gjykoni kështu?!” (Sure Kalem, 35-36.)

E mira dhe e keqja nuk mund të barazohen, qoftë edhe në vepra. Allahu i Madhëruar thotë: “Nuk barazohet e mira me të keqen!” (Sure Fusliet, 34.)

Në të njëjtën mënyrë nuk mund të barazohet e mira me të keqen në shprehje, Allahu i Madhëruar thotë: “Vallë, a nuk e sheh se si Allahu e përqas fjalën e mirë me pemën e mirë, e cila rrënjën e ka të fortë në tokë, kurse degët nga qielli? Me lejen e Zotit të saj (pema) jep fruta në çdo kohë. Allahu u tregon shembuj njerëzve, që t’ua vënë veshin. Fjala e keqe është si pema e keqe me rrënjë të shkulura, e paqëndrueshme për ekzistencë.” (Sure Ibrahim, 24-26.)

Allahu na ka njoftuar se tek Ai ngrihet fjala e mirë, duke thënë: “Tek Ai ngjiten fjalët e bukura, ndërsa veprën e mirë Ai e ngre Vetë.” (Sure Fatir, 10.)

Nuk mund të barazohet e keqja me të mirën, qoftë edhe në pasuri. Për këtë na ka njoftuar i Dërguari i Allahut (SalAllahu alejhi ue selem), se Allahu e pranon atë sadaka, që jepet nga pasuria e mirë, por nëse jepet nga pasuria e keqe, atëherë Ai nuk e pranon atë. I Dërguari i Allahut (SalAllahu alejhi ue selem) ka thënë: “Kushdo që jep sadaka nga pasuria e tij e mirë, – e ta dini se Allahu nuk pranon vetëm se të mirën, këtë sadaka Mëshiruesi e pranon me të djathtën e Tij.” (Mutefekun Alejhi.) Në Sahihun e Muslimit shënohet, se Profeti (SalAllahu alejhi ue selem) ka thënë: “Allahu nuk e pranon namazin pa pastërti, as sadakanë që është fituar me mashtrime (dhe ajo që merret pa të drejtë).”

Nuk barazohet e keqja me të mirën, as në ushqime, sepse Allahu i ka lejuar gjërat e mira dhe i ka ndaluar të këqijat. Duke e cilësuar Profetin e Tij, Allahu i Madhëruar thotë: “Ai do t’ua lejojë të mirat e do t’ua ndalojë të këqijat.” (Sure Araf, 157.) Sepse të ushqyerit me gjëra të mira, ushqime apo pije qofshin ato, lënë gjurmë të mira tek zemra, trupi dhe sjelljet e njeriut. Ndërsa përdorimi i të këqijave lë gjurmë negative tek zemra, trupi dhe sjelljet. Allahu i Madhëruar thotë: “O të Dërguar! Hani nga të lejuarat dhe bëni vepra të mira!” (Sure Muminun, 51.)

Në një ajet tjetër thotë: “O besimtarë! Hani nga ushqimet e lejuara që ju kemi dhënë dhe nëse jeni adhurues të Allahut, falënderojeni Atë!” (Sure Bekare, 172.)

Pas këtyre ajeteve i Dërguari i Allahut (SalAllahu alejhi ue selem) përmendi një person që udhëton gjatë, i pluhurosur dhe i pakrehur, i cili i drejton duart nga qielli duke thënë: O Zot, o Zot, – në një kohë kur ushqehet me haram, pi haram, vishet me haram dhe jeton me haram. Si mund t’i përgjigjet Zoti një njeriu të tillë?!” (E përcjell Muslimi.)

Kjo do të thotë, se Allahu është i Shenjtë dhe i Pastër nga të metat, Ai pranon vetëm punën e mirë, e cila ruhet nga çdo gjë që e prish atë, siç është; syefaqësia, vetëkrenaria, e shumë lloje të tjera të shirkut. Gjithashtu Ai pranon prej sadakave vetëm atë që është me pasuri hallall, po ashtu i pranon edhe fjalët, vetëm nëse janë të mira, siç thotë Allahu i Madhëruar: “Tek Ai ngjiten fjalët e bukura.” (Sure Fatir, 10.) Allahu pranon vetëm personat e mirë, ku në rastin tonë është besimtari dhe besimtarja që në zemrën, gjuhën dhe trupin e tyre kanë mirësi. Kjo sepse në zemrën e këtij njeriu ka zënë vend besimi dhe në gjuhën e tij shfaqet përmendja e Allahut, ndërsa në gjymtyrët e tij punët e mira që janë fryt i besimit dhe që përfshihen në termin e tij.

Prandaj frikësojuni Allahut, o robër të Allahut, dhe mjaftohuni me gjërat që u ka lejuar Allahu ndaj të tjerave, sepse hallalli është i mjaftueshëm kundrejt haramit. Allahu i Madhëruar thotë: “Prandaj, largohuni prej ndotësisë së idhujve dhe largohuni prej fjalëve të rreme.” (Sure Haxh, 30.)

Mësojini gjuhët tuaja me shqiptimin e fjalëve të mira dhe me leximin e Kuranit, duke thënë tesbih, tehlil, tekbir dhe tahmid, me qëllim që të bëheni si ata që Allahu ka thënë: “Ata qenë udhëzuar drejt fjalës së mirë dhe në rrugën e Atij që është i Denjë për t’u lavdëruar.” (Sure Haxh, 24.)

Largohuni nga fjalët e këqija siç janë: gënjeshtra, përgojimi, thashethemet, sharjet, dëshmitë dhe betimet e rreme. Largohuni nga mëkatet, mos i flisni këto fjalë dhe as mos i dëgjoni, që të bëheni prej atyre që Allahu thotë: “Dhe kur dëgjojnë ndonjë marrëzi, i shmangen asaj duke thënë: “Ne kemi veprat tona, ndërsa ju keni veprat tuaja! Paqja qoftë me ju! Ne nuk duam shoqëri me të paditurit.” (Sure Kasas, 55.)

Tek Allahu kërkoj mbrojtje nga shejtani i mallkuar: “O besimtarë! Mos ia ndaloni vetes gjërat e mira, të cilat Allahu jua ka lejuar dhe mos e kaloni kufirin! Vërtet, Allahu nuk i do ata që e kapërcejnë kufirin. Hani nga ato gjëra të lejuara e të mira që ju ka dhënë Allahu! Frikësojuni Allahut, që ju i keni besuar!” (Sure Maide, 87- 88.)

Allahu më dhëntë mua dhe juve bereqet me Kuranin Famëlartë, dhe më dhëntë dobi mua dhe juve me ajetet përkujtuese, dhe të urta që gjenden aty. Ua them këto fjalë duke kërkuar falje për gabimet Allahut të Madhëruar, për vete, për ju dhe për të gjithë muslimanët. Kërkoni falje dhe pendohuni tek Ai, vërtet Ai është që fal shumë, është Mëkatfalës i madh.

Hytbeja e dytë:

Falënderimet i përkasin vetëm Allahut, Zotit të botëve, që na krijoi, na furnizoi dhe nuk na la ashtu kot. Përkundrazi na la një takim ku do të shpërblehet i miri me të mirën e tij dhe i keqi me të keqen e tij: “Zoti yt, nuk u bën padrejtësi robërve të Vet.” (Sure Fusilet, 46.) Allahu ka thënë: “Besimtarët dhe besimtaret janë miq për njëri-tjetrin. Ata urdhërojnë që të bëhen vepra të mira dhe i ndalojnë të këqijat; falin namazin, japin zekatin dhe i binden Allahut dhe të Dërguarit të Tij. Këta janë ata që do t’i mëshirojë Allahu. Se Allahu me të vërtetë, është i Plotfuqishëm dhe i Urtë.”(Sure Teube, 71.)

Në kohën që Allahu bën dallim mes të mirëve dhe të këqijve në këtë dunja, një dallim të tillë do ta bëjë dhe në botën tjetër, siç thotë Allahu i Madhëruar: “E, atë ditë kur të arrijë Ora, ata (besimtarët dhe jobesimtarët) do të ndahen. Ata që kanë besuar dhe kanë bërë vepra të mira, do të gëzojnë në kopshtin e Xhenetit, kurse ata që kanë mohuar dhe kanë përgënjeshtruar shenjat Tona dhe takimin në jetën tjetër, do të hidhen në zjarr.” (Sure Rrum, 14-16.)

Pra, xheneti është vendi i të mirëve, siç thotë Allahu i Madhëruar: “Shpëtimi qoftë mbi ju! Ju keni qenë njerëz të mirë, prandaj hyni në të dhe qëndroni përgjithmonë!” (Sure Zumer, 73.)

“Të cilëve engjëjt ua marrin shpirtin, duke qenë të padrejtë ndaj vetvetes. Ata do të shfaqin përunjësi (duke thënë): “Ne nuk kemi bërë asgjë të keqe!” (Dhe do t’u thuhet): “Nuk është kështu! Natyrisht që Allahu i di mirë veprat që keni punuar.” (Sure Nahl, 28.)

Ndërsa zjarri është vendi i të këqijve, Allahu i Madhëruar thotë: “Që Allahu të veçojë të keqin nga i miri; të këqijtë t’i palosë njërin mbi tjetrin, e të gjithë t’i hedhë në Xhehenem. Këta, me të vërtetë, janë të humbur.” (Sure Enfal, 37.)

Prandaj frikësojuni Allahut, o robër të Allahut, dhe dallojeni të mirën nga e keqja. Bëhuni prej besimtarëve të mirë; shijoni ushqimet e mira dhe nxirrni fjalë të mira. Afrohuni tek Allahu me punë të mira dhe jepni lëmoshë nga pasuria e mirë, që të arrini vendin e të mirëve, xhenetin. Nga ana tjetër distancohuni nga fjalët e këqija, nga ushqimet, fitimet dhe veprimet e këqija, largohuni nga burrat dhe gratë e këqija, se ndoshta shpëtoni nga llogaria e keqe dhe hyni në xhenetet e Zotit tuaj, dhe aty do t’ju thuhet: “Ju keni qenë njerëz të mirë, prandaj hyni në të dhe qëndroni përgjithmonë!” (Sure Zumer, 73.)

O Zot, mëshiroji muslimanët dhe muslimanet, o Zot fali të gjallët

dhe të vdekurit tanë!

O Zot, mbuloi të metat tona dhe qetësoi shpirtrat tanë!

O Zot, ndihmoje Islamin dhe muslimanët dhe poshtëroji ata që poshtërojnë fenë, o Zot, ndihmoi vëllezërit tanë njësues në çdo vend, o Zot ndihmoji ata me ndihmën Tënde!

O Zot, mos lër në këtë vend mëkat pa na e falur, as brengë pa na e larguar, as borxh pa na e shlyer, as punë të vështirë pa na e lehtësuar!

O Zot, çliroji kraharorët tanë dhe zemrat tona, lehtësoi punët tona dhe na udhëzo drejt moraleve të larta, sepse nuk udhëzon drejt tyre askush veç Teje!

Lutja jonë e fundit është: Falënderimi i përket vetëm Allahut, Zotit të botëve.

Shkëputje nga libri “Hytbet e Xhumasë” nga një grup Dijetarësh.

Përzgjodhi: Fatjon Isufi

 

Dosje: ,

Loading...