Diçka rreth sures El-Asr (koha)

June 27, 2025

O robër të Allahut! Ekziston një sure në Librin e Allahut, që është e shkurtër në fjalë dhe shprehje, por tepër domethënëse në kuptim. Me gjithë fjalitë e saj të shkurtra, ajo ka përmbledhur tërë mirësinë dhe të gjitha format e së mirës — ajo është Surja El-Asr.

Allahu i Lartësuar thotë: Me emrin e Allahut, Mëshiruesit, Mëshirëbërësit.
Pasha kohën (el asr)! Vërtet, njeriu është në humbje të sigurtë, Përveç atyre që besuan, bënë vepra të mira, këshilluan njëri-tjetrin për të vërtetën dhe këshilluan njëri-tjetrin për durim. (Sureja El-Asr, ajetet 1-3)

Sa madhështore është kjo sure! Sa e lartë është vlera e saj dhe sa të thella janë kuptimet që mbart! Një sure e shkurtër, por me ndikim të fuqishëm në zemër. Ajo përmban një këshillë të thellë dhe një mësim të prekshëm për çdo shpirt që dëshiron udhëzim.

Kjo sure i përmbledh të gjitha të mirat, e mbledh udhëzimin në formën më përmbledhëse. Imam Shafi’u (Allahu e mëshiroftë) ka thënë për të: “Sikur njerëzit të meditonin mbi këtë sure, ajo do t’u mjaftonte.” Do t’u mjaftonte si këshillë, si paralajmërim dhe si nxitje për të gjitha llojet e së mirës dhe bamirësisë.

Po, xhemat i nderuar! Kjo sure përmban paralajmërimin më të madh dhe këshillën më prekëse.

Kjo sure madhështore është me të vërtetë e denjë që çdo besimtar ta përsiatë thellë atë, ta kuptojë me përkushtim domethënien e saj, të ndalet me zemër e mendje te këshillat dhe paralajmërimet që përmban, dhe ta bëjë atë një udhërrëfyes drejt së mirës, në të gjitha dyert dhe fushat e saj të gjera.

Allahu i Lartësuar e nisi këtë sure të bekuar me një betim — në kohën. Ai, i Lavdishmi, bëri betim me “asrin”, e cila është koha në përgjithësi, epoka, jeta — ajo që përbën fushën ku veprohen veprat, vendi ku kryhen adhurimet dhe sprovat.

Kohës i janë dhënë dy pamje në jetën e njeriut: – Disa e ruajnë dhe e shfrytëzojnë, – e disa e shpërdorojnë dhe e humbin.

Gjendja e njerëzve me kohën është ose fitim e përparim, ose humbje dhe dështim.
Netët dhe ditët kalojnë, muajt dhe vitet rrjedhin, dhe çdo çast që kalon nga koha është i numëruar në jetën e njeriut. Ai llogaritet për të, e nuk kthehet më kurrë. Në këtë kalim të pandalshëm të kohës, njeriu është gjithmonë mes dy gjendjeve: ose humbës, ose fitimtar.

Allahu i Madhëruar thotë: {Pasha kohën! (1) Vërtet, njeriu është në humbje!}
(El-Asr: 1-2)

Ky është betimi që Allahu i Lartësuar ka bërë — dhe ajo për të cilën betohet është fakti se njeriu është me të vërtetë në humbje. Fjala “njeri” këtu i referohet gjinisë njerëzore në tërësi, që do të thotë: të gjithë njerëzit janë në humbje, përveç atyre që përjashtohen më poshtë nga vetë Allahu në këtë sure madhështore.

Ai, i Lartësuar, nuk tha: “Njeriu është humbës”, por tha: “Vërtet, njeriu është humbje” — dhe kjo shprehje “në humbje” është shumë më e fuqishme dhe më e thellë në kuptim. Përdorimi i parafjalës “në” tregon për një përfshirje të plotë, një zhytje të njeriut në humbje, si dikush që ndodhet i rrethuar nga çdo anë me dëm e humbje.

O robër të Allahut! Ky është realiteti i gjithë njerëzimit — të gjithë janë të zhytur në humbje dhe dështim, përveç atyre që i ka përjashtuar Allahu, dhe ata janë:

{Ata që besuan, dhe bënë vepra të mira, dhe këshilluan njëri-tjetrin për të vërtetën, dhe këshilluan njëri-tjetrin për durim.}

Sa e nevojshme është për çdo njeri që të përqafojë këto cilësi të larta dhe të arrijë këto virtyte të mëdha, në mënyrë që të jetë prej atyre që përjashtohen nga humbja, dhe të shpëtojë nga rruga e humbësve!

{Përveç atyre që besuan} – d.m.th., ata që besuan në Allahun e Lartësuar dhe në gjithçka që Ai urdhëroi për të besuar. Këtu përfshihen të gjitha themelet e besimit dhe shtyllat e fesë. Ashtu siç ka thënë i Dërguari i Allahut ﷺ: “Iman është: të besosh në Allahun, në engjëjt e Tij, në Librat e Tij, në të Dërguarit e Tij, në Ditën e Fundit dhe të besosh në caktimin (kaderin), si të mirin ashtu edhe të keqin.”
(Hadith sahih)

{Dhe bënë vepra të mira} – d.m.th., ata që kryejnë adhurime të pastra dhe afrim tek Allahu me vepra madhështore. Por, veprat nuk quhen “të mira” përveç nëse përmbushin dy kushte:

  • të jenë vetëm për Allahun, të sinqerta për Hir të Tij;
  • dhe të jenë në përputhje me sunetin e të Dërguarit të Tij ﷺ.
    Sepse, nëse një vepër nuk është e sinqertë e as e saktë sipas Sunetit, ajo nuk pranohet dhe i kthehet mbrapsht atij që e ka bërë.

{Dhe këshilluan njëri-tjetrin me të vërtetën} – d.m.th., ata që e porositën dhe e nxitën njëri-tjetrin që të qëndrojnë në të vërtetën. E vërteta, o robër të Allahut, përfshin:

  • Teuhidin (besimin në Një Zot) dhe imanin (besimin e drejtë);
  • kujdesin ndaj Kuranit dhe Sunetit;
  • përkushtimin ndaj obligimeve dhe detyrimeve;
  • largimin nga ndalesat dhe gjynahet;
  • urdhërimin për të mirë dhe ndalimin nga e keqja, si dhe thirrjen në rrugën e Allahut — të gjitha këto janë pjesë e të këshilluarit me të vërtetën.

{Dhe këshilluan njëri-tjetrin me durim} – d.m.th., ata që porositën njëri-tjetrin për të qëndruar me durim. Umeti i Islamit dhe çdo besimtar ka nevojë të madhe për durim në çdo aspekt të jetës:

  • durim në adhurime dhe bindje ndaj Allahut;
  • durim për të qëndruar larg mëkateve;
  • durim përballë fatkeqësive dhe sprovave;
  • durim në thirrjen për tek Allahu;
  • dhe durim në kërkimin e diturisë së dobishme.

Durimi, o robër të Allahut, është një gradë e lartë në fe, dhe për të ka nevojë çdo besimtar në adhurimet e tij, në punët dhe gjendjet e ndryshme të jetës. Prandaj edhe nga cilësitë e të shpëtuarve dhe të fituarve është që ata këshillojnë njëri-tjetrin për durim: durim në bindje ndaj Allahut, durim për t’u larguar nga mëkatet, dhe durim në përballimin e fatkeqësive dhe sprovave që Allahu ka caktuar.

Kjo është katërshja e shpëtimit: besimi i vërtetë, veprat e mira, këshillimi për të vërtetën dhe këshillimi për durim — kush i përvetëson ato, ka shpëtuar nga humbja për të cilën Allahu betohet se është realitet i përgjithshëm për njeriun.

O robër të Allahut! Kështu kuptojmë se kjo sure e shkurtër, por thellësisht kuptimplote, përmbledh themelet e besimit, shtyllat e fesë, ligjet e Islamit, dhe këshilla madhështore të pranuara e të lavdëruara.

Sa të denjë jemi ne, që t’i kushtojmë vëmendje kësaj sureje: të mendohemi thellë mbi të, të reflektojmë më kuptimet e saj, që ajo të na udhëheqë në rrugën e bindjes ndaj Allahut dhe të na largojë nga rruga e humbjes dhe pasojave të saj!

Ne i kërkojmë Allahut të Lartësuar që të na ndihmojë për t’iu bindur Atij, të mos na bëjë prej të humburve, por të na bëjë, me mirësinë dhe bujarinë e Tij, prej njerëzve të besimit dhe veprave të mira, prej atyre që këshillojnë njëri-tjetrin për të vërtetën dhe këshillojnë njëri-tjetrin për durim.

E them këtë që thashë, dhe kërkoj falje nga Allahu për vete dhe për ju, dhe për të gjithë muslimanët, për çdo mëkat — kërkojeni faljen prej Tij, se Ai është Falës dhe Mëshirëplotë.

Hytbe 2

Dijeni – ju ruajtë Allahu – se njeriu në këtë jetë ka një afat të caktuar dhe një kohë të kufizuar, që as nuk i shtohet, dhe as nuk i pakësohet. E kur të vijë fundi i kësaj kohe, mbaron mundësia e tij për të fituar shpëtimin dhe për të shpëtuar nga humbja.

Prandaj, i mençur është ai që e vë veten në llogari dhe përgatitet për pas vdekjes, ndërsa i paaftë është ai që ndjek pas dëshirat e vetes dhe jeton me shpresa boshe ndaj Allahut.

Për shkak të madhështisë së kësaj sureje dhe këshillave që ajo mban, shokët e profetit ia kujtonin gjithmonë njëri tjetrit kur takoheshin dhe kur ndaheshin.

Madhështia e kësaj sureje tregohet qartë dhe bukur edhe në ngjarjan e Amër bin Asit kur takon profetin e rrejshëm Musejleme gënjeshtarin dhe ky i fundit e pyet se cfarë sure i është zbritur Muhamedit dhe Amri i thotë: I ka zbritur një sure madhështore surja el Asr. Musejleme duke dashur të sfidojë Kuranin fillon me përralalt e tij dhe kur i përfundon Amri i thotë: Ti e di shumë mirë se unë e di se ti je duke gënjyer.

Përzgjedhur nga Hytbet e shejh Abdurrezak el Bedr

Përshtati: Fatjon Isufi

Dosje: ,

Loading...