Së pari: Muslimani duhet ta ftojë jomuslimanin të besojë Allahun. Ai duhet të përpiqet sa të mundet t’i tregojë realitetin e fesë islame sipas njohurive që zotëron, sepse një vepër e tillë konsiderohet si bamirësia më e lartë. Thirrja për tek Allahu është bamirësia më e madhe që muslimani i dhuron bashkatdhetarit të tij apo dikujt me të cilin takohet, qoftë Jehudi, i krishterë apo idhujtar. Profeti ynë Muhamedi, alejhi selam, ka thënë: “Kush fton tek një vepër e mirë shpërblehet njëjtë si vepruesi i saj.” Kur profeti, alejhi selam, dërgoi Aliun në Hajber e porositi që së pari t’i ftojë Jehudët në fenë Islame, duke i thënë: “Pasha Allahun, sikur Allahu nëpërmjet teje të udhëzojë qoftë edhe një person të vetëm, kjo do të ishte më mirë për ty sesa devetë e kuqe.” Gjithashtu ka thënë: “Cilido që udhëzon në një vepër të mirë do të shpërblehet po aq sa do shpërblehen dhe ndjekësit e tij, duke mos i pakësuar asgjë shpërblimit të tyre.”
Ftesa e jomuslimanit për tek Allahu, njoftimi i tij me fenë islame dhe këshilla për të qenë musliman i mirë, është padyshim më e rëndësishmja e të rëndësishmeve dhe vepra më e mirë me të cilën afrohemi tek Allahu.
Së dyti: Muslimani kurrsesi nuk duhet t’i bëjë padrejtësi jomuslimanit. Nuk duhet ta cënojë fizikisht as në pasuri e as në nder. Ai duhet t’i japë atë që i takon çdo jomuslimani, qoftë ky jomusliman jehudi apo i krishterë që jeton në vendet islame, person që viziton vendet islame me leje apo jomusliman që qëndron me marrëveshje. Muslimani nuk duhet ta cënojë jomuslimanin në pasuri duke e vjedhur, mashtruar apo me pabesi. Ai nuk duhet ta cënojë fizikisht duke e rrahur apo duke e vrarë, përderisa ky jomusliman jeton mes mulimanëve me detyrime të caktuara apo është person i garantuar. Pra, jomuslimani në këto raste është i paprekshëm.
Së treti: Muslimani bashkëpunon me jomuslimanin në shitblerje, tregti apo të tjera marrëdhënie të ngjashme. Përcillet saktësisht se i Dërguari i Allahut alejhi selam ka blerë prej mohuesve, adhuruesve të idhujve dhe prej jehudëve. Madje i Dërguari i Allahut alejhi selam vdiq dhe mburoja e tij kishte mbetur peng tek një jehudi për një masë ushqimesh për familjen e tij.
Së katërti: Në lidhje me dhënien e selamit muslimani nuk duhet të përshëndesë i pari por duhet ta kthejë përshëndetjen. I Dërguari i Allahut alejhi selam ka thënë: “Mos i përshëndetni ju të parët Jehudët dhe të krishterët. Kur t’u përshëndesin ithtarët e Librit ju kthejuani duke u thënë: Gjithashtu dhe mbi ju!” Muslimani pra nuk duhet të përshëndesë i pari një jobesimtar, mirëpo nëse një Jehudi, një i krishterë apo dikush tjetër e përshëndet, duhet t’i përgjigjet duke thënë: Gjithashtu edhe mbi ju!
Muslimani duhet të sillet mirë me fqinjin e tij jomusliman e të mos i shkaktojë atij asnjë mundim. Nëse fqinji i tij jomusliman është i varfër duhet ta ndihmojë atë, t’i dhurojë ç`të mundet dhe ta këshillojë për gjëra që janë në dobi të tij. Një sjellje e tillë mund të bëhet shkak që ai të pranojë fenë islame. Fqinji ka të drejta mbi fqinjin e tij. I Dërguari i Allahut alejhi selam ka thënë: “Xhibrili më porosiste vazhdimisht për fqinjin aq sa mendova se do ta bëja pjesëtar në trashëgimi.” Ky hadith gjendet në dy Sahihet e Buhariut dhe Muslimit. Kur një fqinj është jobesimtar ai meriton kundrejt muslimanit të drejtën e fqinjësisë, dhe kur fqinji është jobesimtar dhe njëkohësisht një prej të afërmve të muslimanit meriton dy herë; të drejtën e fqinjësisë dhe të drejtën e farefisit.
Një musliman fqinjit të tij jomusliman mund t’i japë të holla dhe lëmoshë me kusht që të mos jenë pjesë e zekatit, e kjo nëse fqinji i tij jobesimtar është i varfër. Allahu i Madhërishëm thotë: “Allahu nuk u ndalon të silleni mirë dhe të jeni të drejtë ndaj atyre që nuk luftojnë kundër jush për shkak të fesë, dhe që nuk u dëbojnë prej shtëpive tuaja. Me të vërtetë, Allahu i do të drejtët.” | Surja Mumtehineh: 8 |
Në një hadith të saktë përcillet se Esma bint Ebu Bekr, Allahu qoftë i kënaqur me të dy, tregon: Nëna ime e cila ishte idhujtare erdhi të kërkojë ndihmë në kohën që i Dërguari i Allahut kishte bërë marrëveshje paqeje me banorët e Mekës. Esma me këtë rast i kërkoi leje të Dërguarit të Allahut alejhi selam që ta ndihmonte. I dërguari i Allahut i tha: “Po, ndihmoje.”
Përsa u përket festave të jobesimtarëve muslimani nuk duhet të marrë pjesë në to. Ndërsa në raste fatkeqësish mund t’i ngushëllojë duke u thënë: Allahu u dhëntë forcë në këtë fatkeqësi e u dhëntë të mira pas saj, – e të tjera fjalë të mira ngushëlluese. Por nuk duhet të thotë ‘Allahu e faltë’ apo ‘Allahu e mëshiroftë’ nëse i vdekuri është jomusliman. Këto lutje nuk bëhen për një të vdekur jobesimtar, por lutet për atë që është gjallë që Allahu ta udhëzojë e t’i sjellë të mira, apo fjalë të tilla të bukura.
Dijetari i nderuar Abdulaziz ibën Baz, Allahu e mëshiroftë.
Emisioni me pyetje – përgjigje “Nurun ala derb” 1/289 – 291.
Përktheu: Arjan Haskasa