Detyrimet, veprat e virtytshme dhe ambicia e lartë.
Ajo në të cilën duhet të përqëndrohet njeriu së pari është: Njohja e Allahut përmes fakteve dhe argumenteve. Cilido që hedh shikimin tek qielli i ngritur e toka e vendosur, vëren këtë krijim preciz dhe perfekt sidomos tek vetë trupi i tij. Atëherë kupton shumë mirë se çdo mjeshtëri e ka një mjeshtër dhe çdo ndërtim e ka një usta.
Më pas, përqëndrimi duhet të fokusohet tek faktet që i janë dhënë profetit Muhamed (alejhi salatu ue selam), ku më madhështori prej tyre është Kurani Fisnik para të cilit njerëzit janë stepur e janë sfiduar, duke mos qenë në gjendje për të sjellë qoftë dhe një sure të ngjashme me suret e tij.
Nëse njeriu vetëdijësohet për ekzistencën e Krijuesit të Lartmadhëruar dhe vërtetësinë e Pejgamberit (alejhi selam), atëherë e ka të detyrueshme të dorëzohet para legjislacionit të Zotit. Nëse nuk e bën diçka të tillë kjo tregon se diçka nuk shkon në besimin e tij.
Pas kësaj i kërkohet të mësojë detyrimet rreth abdesit, namazit, zekatit, Haxhin e shumë obligime të tjera. Në momentin kur e mëson vlerën e një obligimi e zbaton atë.
Njeriut ambicioz i duhet të synojë vlerat më të larta.[1] Të jetë preokupimi i tij memorizimi i Kuranit, njohja e interpretimit (komentimi) të tij, hadithet e Profetit (alejhi selam), të njohë historinë e tij, jetën e sahabëve dhe dijetarëve që erdhën më pas. Të zgjedhë në mesin e tyre ata që gëzonin atributet dhe piedestalet më të larta, e kështu me radhë.
Nga ana tjetër, kërkohet medoemos të njohë mirë gramatikën dhe një pjesë fjalori që ka përdorim më të shpeshtë në komunikim.
Fik’hu (jurisprudenca) është baza e njohurive, ndërsa këshillimi (predikimi) është bukuria dhe lënda më dobiprurëse. Për të gjitha këto kam shkruar libra nga fjalët e të parëve dhe për këtë falënderimi i takon vetëm Allahut.[2]
Ja pra, unë t’a hoqa mundin e kërkimit të librave dhe mbledhjen e forcës dhe ambicies për të shkruar diçka të re.
Çdo ambicie që ngec e ndalon vjen si pasojë e nivelit të saj të ulët, sepse kur ambiciet synojnë lartësitë kurrë nuk të bëjnë t’u gëzohesh gjërave të ulëta.
Tashmë e mësove me fakte se ambicia lind bashkë me njeriun por disa ambicie zbehen në disa kohë apo çaste, dhe në momentin kur nxiten dhe ringjallen bëhen katalizatorë për të ecur përpara.
Kur të shohësh tek vetja pamundësi kërkoji Atij që zotëron mirësitë. Apo kur ndien dembelizëm kërkoji Atij që jep sukses, sepse nuk ke për të arritur mirësi veçse në bindjen ndaj Tij. Nëse privohesh nga ndonjë e mirë kjo ndodh për shkak të kundërshtimit që i ke bërë Atij (Allahut).
Çdo krijesë që mori rrugën për tek Ai nuk kishte se si të mos e gjente atë që donte. Kush i’a ktheu shpinën Zotit e përfitoi qoftë dhe dobinë më të vogël, apo arriti ndonjë synim? Asnjë.
A nuk i ke dëgjuar vargjet e poetit kur thotë:
Vallahi kur u erdha si vizitor,
toka më dukej sikur poshtë meje palosej.
Sa herë largohesha nga dera e mirësisë suaj,
duke ecur pengohesha.[3]
Shkëputur nga libri “Porosi të çmuara djalit”.
Autor: Abdurrahman ibn Xheuzi.
Përktheu: Fatjon Isufi
————————————-
[1] Ibn El Xheuzi (Allahu e mëshiroftë) në librin “Gjuetia e meditimeve” thotë: “Njerëzit e sinqertë janë ata burra besimtarë dhe ato gra besimtare me të cilët Allahu e ruan tokën. Brendinë e shpirtit e kanë njëlloj me atë që shfaqin madje më të qartë. Të fshehtën e kanë njëlloj me të dukshmen madje më të bukur. Ambiciet e tyre i prekin lartësitë madje edhe më lart.” Sh.p.
[2] Imam Dhehebiu pasi përmend disa nga librat e Ibn Xheuzit, thotë: Nuk di të ketë ndonjë dijetar
që të ketë shkruar sa ky burrë. [Tedhkiratu el Hafidh; 1344].
[3] Këto vargje janë të shkruara në ‘Sijeru Alami Nubela’ 21/58, dhe i dedikohen Murteda babait të imam Ebul Fadail, Muhamed bin Abdilah bin Kasim bin Mudhafer esh Shafii.
Të Ngjashme
- A është e lejuar për gruan me mestruacione që të bëjë Istihara? Udha e Besimtarëve
- Nata e Kadrit Abdurrazak ibn Abdulmuhsin el-Bedër
- Bëhu i begatë kudo që të jesh Udha e Besimtarëve
- Përmendja e të metave dhe hapja e derës së dëshpërimit Udha e Besimtarëve
- Vepro duke qenë i pajisur me dituri Udha e Besimtarëve