Është me të vërtetë për tu habitur ajo që kam gjetur në jetëshkrimin e disa prej dijetarëve, leximin e tyre të shumtë dhe gjerësinë e njohurive të tyre. Madje disa prej tyre kanë deklaruar me bindje se ata kishin njohuri në disa shkenca të cilat bashkohësit e tyre nuk ua dinin as emrin! Ja ku i ke disa shembuj:
- Ibnul Khashshani gramaticieni hanbelij (v. 567) thotë: Unë perfeksionoj tetë shkenca. Asnjëri prej tyre nuk më pyet për to dhe nuk gjej njeri që merret me to![1]
- Ebul Beka es Subki (v. 777) thoshte: Unë njoh njëzet shkenca, askush nga banorët e Kajros nuk më ka pyetur në asnjërën prej tyre![2]
- Muhammed ibn ebi Bekr ibn Xhemaah (v.819) thoshte: Unë njoh pesëmbëdhjetë shkenca të cilave dijetarët e kohës sime nuk ua dinë as emrat.[3]
- Përcillet se Muhammed ibn Ahmed ibn Uthman ibn Alim el Maliki (v.842) ka thënë: Kam njohuri në njëzet shkenca. Askush s’më ka pyetur në ndonjërën prej tyre.[4]
- Ahmed Bu (sh.p.: kështu quhej dhe nuk është gabim drejtshkrimor) Nafi’ el Fasij (v. 1260) thoshte: Unë njoh njëzetekatër shkenca, nuk ka pyetur askush për to![5]
- Dhe tek jetëshkrimi i Ebut Tajjib AbdulMun’im el Kindi (v.435) tregohet se dikush hyri tek shtëpia e tij dhe e gjeti atë duke studiuar dymbëdhjetë shkenca. Kishte njohuri gjithashtu në matematikë, inxhinieri dhe rreth diturive të vjetra.[6]
- Shiko çfarë ka përmendur El Xhebertij[7] historiani për të atin e tij dijetarin e madh Hasen el Xhebertij (v.1188) dhe specializimin e tij në shkencat fetare, pastaj studimet e tij që i zgjatën dhjetë vjet rreth shkencave eksperimentale: inxhinieria, kimia, astronomia dhe të gjitha zanatet e tjera të qytetërimit deri edhe zdrukthëtarinë, zanatin e tornitorit, hidraulikën, lidhjen e librave, gdhendjen (skupturën)… aq sa shtëpia e tij u mbush me lloj-lloj veglash pune të zanateve të ndryshme.[8]
Pra merr dituri dhe bashkoju karvanit të kalorësve!
Mauerdi në “Edebud dunja ued dijn”[9] (Edukata e dynjasë dhe e fesë) thotë duke e orientuar studentin: “Dhe të mos kënaqet me diturinë që ka arritur, sepse kënaqja të bën të ndihesh i panevojshëm (asket) dhe asketizmi të çon në lënie, dhe lënia e diturisë është injorancë”
Një prej të urtëve ka thënë: “Merr dituri dhe shtoje atë, sepse e pakta prej saj është e ngjashme me të mirën e paktë, dhe e shumta prej saj është e ngjashme me të shumtën prej mirësisë. E mira nuk mund të shahet vetëm nëse është e paktë, ndërsa e shumta prej saj është ëndërr (sh.p.: shpresa më e madhe, idealja)”
Dhe nga dobitë e vazhdimësisë së studimit dhe shtimit të dijes është edhe ajo që përmend Ibnul Xheuzij në “Gjuetia e mendimeve”[10]: “Gjëja më e mirë është shtimi i diturisë. Sepse nëse do të kufizohej vetëm në aq sa di duke e menduar të mjaftueshme, ai do të veçohet me mendimet e tij (sh.p.: nuk do t’i pranojë mendimet e të tjerëve), dhe madhërimi që ai i bën vetes do ta pengojë atë nga përfitimi. Dhe diskutimi me të tjerët që janë të asaj fushe do të nxjerrë në shesh gabimet e tij…”
“Nxitësi për lexim dhe kërkim të diturisë”
Autor: Alij ibn Muhammed el Imranij
Përktheu Emin Bilali
[1] “Edh dhejl ala tabekatil hanabileh” (317/1).
[2] “Durratul hixhal” (132/2).
[3] “El bedrut taliu” (148/2)
[4] “El bedrut taliu” (113/2), e megjithëkëtë ndonjëherë detyrohej të shiste ndonjë nga librat e tij të çmuar, për shkak të nevojës për para.
[5] “Fehresul feharis” (124/1).
[6] “Tertibul medarik” (67/8) dhe “Mealimul iman” (184/3).
[7] Sh.p.: Me prejardhje nga fshati i quajtur ‘Xhebert” në shtetin e Eritreas.
[8] “Tarikh el Xhebertij” (397/1) dhe shiko: “Risaletun fit tarik ila thekafetina” libërthin me titull: (Si të shtojmë kulturën tonë) fq. 82-85, i dijetarit të madh Mahmud Shakir – Allahu e mëshiroftë, i cili është i rëndësishëm.
Ka përmendur Ebul Meuahib el Hanbelij në “Meshjekhan” (Mësuesit) e tij fq. 89, tek jetëshkrimi i mësuesit të tij Ejjub ibn Ahmed el Hanefij el Khal-lutij (v. 1071) se ai thoshte: “Njoh 80 shkenca”.
Them: (autori) : Me sa duket këto kanë qenë prej njohurive të sufizmit të ashtuquajturat “El ulumul batineh” (Dituritë e brendshme, apo të fshehta), të cilat në fakt janë kulmi i injorancës për Allahun dhe fenë e Tij!
[9] Fq. 125.
[10] Fq. 158. Dhe njëri prej tyre recitoi këto vargje për shtimin e diturisë dhe mos kufizimit në një shkencë:
“Bëj kujdes për çdo dituri që të arrish ato që shpreson
dhe mos u ngujo vetëm tek një dituri nga përtacia
Bleta kur mblodhi nektarin nga çdo frut
na dhuroi dy xhevahire: dyllin dhe mjaltin
Dylli ndriçon çdo gjë natën
ndërsa mjalti shëron – me leje të Krijuesit – sëmundjet.”
Nga “Durratul hixhal” (49/3)