Të jesh dijetar tradicional është diçka, dhe të jesh dijetar reformator është diçka tjetër.
Dijetari tradicional zakonisht nuk cënon interesat e asnjë pale të shoqërisë dhe për pasojë nuk është shënjestër e sulmeve. Ndërsa të jesh dijetar reformator do të thotë të reformosh tradicionalen e ngurtësuar, të cilës me kalimin e kohës mund t’i jenë bashkangjitur një mori gjërash që ia kanë fikur shkëlqimin dhe ia kanë shtrembëruar kuptimin. Ky lloj dijetari e ka të pamundur t’i shpëtojë sulmeve sepse misioni i tij prek dhe cënon interesa të shumta. Dikush e sulmon nga zilia, dikush nga fanatizmi, dikush nga servilizmi, dikush për emër e famë, dhe dikush e sulmon jo për ndonjë qëllim të keq por ngaqë nuk është dakort me metodologjinë e ndjekur nga reformatori. Pra ky i fundit ia njeh meritat dhe vlerat reformatorit por nuk është dakort me metodologjinë e tij. Rasti i fundit është i pranueshëm dhe me vend, sepse askush sado i madh qoftë nuk është i pagabueshëm. Andaj ndodh që kritikuesi i sinqertë i reformatorit të ketë të drejtë në disa pika dhe reformatori të ketë të drejtë në disa pika të tjera.
Përgjatë historisë të shumtë ishin reformatorët e mëdhenj që nuk u kursyen nga sulmet politike dhe ideologjike, si: imamët e nderuar Ebu Hanifja, Maliku, Shafiu, Ahmedi, Buhariu, Ibën Tejmije etj. dhe në kohën tonë shejh Albani, Allahu i mëshiroftë!
Është drejtësia dhe frika ndaj Zotit ajo që e shpëton njeriun nga përçmimi dhe përdhosja e njerëzve të mëdhenj me të cilët mund të ketë konflikt interesi apo konflikt ideologjik.
Si në rastin e Zejnebes e cila e ruajti veten nga sulmi ndaj Aishes kur u përhapën shpifje ndaj saj, ndonëse ishte rivale me Aishen. Për këtë Aishja e lavdëroi dhe tha: ” Atë e ruajti Allahu prej devotshmërisë që kishte.”
Apo në rastin e Ibën Haxher Askalanit dhe imam Sujutit, të cilët ndonëse kishin mospajtime ideologjike me Ibën Tejmijen e quajtën atë “Shejhul-Islam”, një nga titujt më të lartë që mund t’i jepet një dijetari musliman. Ndërkohë që disa të tjerë në kohën e tij, nga mllefi dhe arsye të tjera deklaronin se Ibën Tejmija ishte heretik, dhe për këtë e denoncuan dhe u burgos e vdiq në burg. Ndërsa disa akoma dhe sot vazhdojnë ta cilësojnë si të tillë dhe me shprehjen përçmuese; “Nëse Ibën Tejmije është Shejhul-Islam, mbi Islamin të çojmë selam”. Ata orvaten t’ia heqin titullin “Shejhul-Islam” që iu dha nga kolosët e umetit si; Dhehebiu, Ibën Haxher Askalani, Sujuti etj.
Pra sulmi dhe shenjëstrimi i reformatorëve dhe kolosëve të dijes nuk është diçka e re, por është shumë e vjetër.
Nga kjo faqebardhë dalin ata që i ruan Zoti falë devotshmërisë dhe drejtësisë që kanë në gjykim.
Allahu i mëshiroftë të gjithë dijetarët e fesë Islame brez pas brezi, dhe na bëftë prej atyre që i nderojnë dhe kërkojnë falje dhe mëshirë për ta!
Rexhep Milaqi
Dosje: Dijetarët
Të Ngjashme
- A keni dëgjuar për këtë sahabi: El-Haxhaxh ibn Al-lat Udha e Besimtarëve
- Disa fragmente nga jeta e shejh Abdul Aziz Al Sheih Udha e Besimtarëve
- Kur injoranca përplaset me dijen; përgjigje për sulmet ndaj shejh Albanit Udha e Besimtarëve
- Kur fjala dhe vepra bëhen një Shejh Muhamed ibn Salih el-Uthejmin
- Si i përgatiste Allahu Profetët për udhëheqje Udha e Besimtarëve