Abdulaziz Al Sheih, myftiu i tretë i mbretërisë së Arabisë Saudite dhe një udhëtim gjashtëdekadësh në shërbim të dijes dhe fesë!
📅 23 shtator 2025.
Për më shumë se gjashtë dekada, hirësia e tij shejh Abdulaziz bin Abdullah Al Sheih, myftiu i përgjithshëm i mbretërisë së Arabisë Saudite dhe kryetar i këshillit të madh të dijetarëve, Allahu e mëshiroftë, përbënte një figurë të shquar në historinë e fetvasë dhe të diturisë fetare. Ai ka qenë i treti që mori këtë post pas shejh Muhamed bin Ibrahim Al Sheih dhe shejh Abdulaziz bin Bazit, Allahu i mëshiroftë.
Lindja dhe fillimet:
Shejh Abdulaziz Al Sheikh lindi në Meke, më 3 Dhul-Hixhe 1362 h (30 nëntor 1943 m). Në moshë të vogël ai humbi babain dhe u rrit si jetim. Kuranin e mësoi përmendësh tek shejh Muhamed bin Sinan. Që në fëmijëri u dallua për përkushtim dhe seriozitet. Edhe pse humbi shikimin në të njëzetat e jetës ai nuk u ndal në kërkimin e dijes, derisa u bë ndër nxënësit më të shquar të muftiut të dikurshëm të Arabisë Saudite, Shejh Muhamed bin Ibrahim Al Sheih.
Arsimi dhe formimi akademik:
Ai mori dije në fushën e teuhidit, fikhut dhe akides nga dijetarë të mëdhenj, mes tyre shejh Abdulaziz bin Baz i cili i mësoi shkencën e faraidit (trashëgimisë). Në vitin 1374 h u regjistrua në institutin “Imam ed-dawah” në Rijad, dhe më pas vijoi studimet në Fakultetin e Sheriatit në Universitetin “Imam Muhamed bin Saud” prej nga u diplomua në vitin 1384 h, i specializuar në sheriat dhe në gjuhën arabe.
Karriera akademike:
Fillimisht ai dha mësim në Institutin “Imam ed-Dawah”, më pas u bë asistent, dhe pastaj profesor i asociuar në Fakultetin e Sheriatit në Rijad. Ligjëroi gjithashtu në Institutin e Lartë të Gjyqësorit. U bë i njohur për mbikqyrjen e tezave të magjistraturës dhe doktoratës si dhe për kontributet akademike në universitetet saudite, duke pasur një prani të dukshme edhe në seminare dhe konferenca brenda dhe jashtë Mbretërisë.
Imam dhe hatib:
Emri i tij lidhet me xhami të mëdha. Pas ndarjes nga jeta të shejh Muhamed bin Ibrahim Al Sheih, ai mori përsipër imamllëkun e xhamisë që mbante emrin e tij në Rijad, më pas u bë imam i Xhamisë së Imam Turki bin Abdullah. Që nga viti 1402 h ai mbajti hutben e ditës së Arafatit në xhaminë “Nemira” në Arafat, ku zëri i tij lidhej çdo vit me miliona haxhilerë.
Postet drejtuese:
Ai u bë anëtar i Këshillit të Madh të Dijetarëve në vitin 1407 h, më pas anëtar i Komitetit të përhershëm për kërkime shkencore dhe fetva në vitin 1412 h. Në vitin 1416 h u emërua zëvendës-myfti i përgjithshëm, dhe pas vdekjes së Shejh Abdulaziz bin Baz në vitin 1420 h, me dekret mbretëror u caktua Myfti i përgjithshëm i Mbretërisë dhe Kryetar i këshillit të madh të Dijetarëve, si dhe Kryetar i përgjithshëm i Institutit të kërkimeve shkencore dhe fetvave. Ai vazhdoi në këtë post deri në fund të jetës së tij.
Trashëgimia shkencore dhe fetvatë:
Shejhu la pas dorëshkrime dhe vepra me rëndësi në fushën e akides, fikhut dhe fetvasë, mes tyre: “El xhami li-hutabi Arafah” dhe “Hakikatu shehadeti enne Muhammeden Resulullah”.
Fetvatë e tij u përmblodhën në vepra të shumta përmes programit “Nur ala’d-darb”, duke përfshirë; çështje të pastrimit, namazit, zekatit, agjërimit dhe haxhit, të cilat u bënë një referencë për muslimanët në mbarë botën.
Lamtumira;
Hirësia e Tij, shejh Abdulaziz Al Sheih, Allahu e mëshiroftë, ndërroi jetë të martën më 1 Rabi el Ahir 1447 h (23 shtator 2025 m), duke lënë pas një trashëgimi të çmuar akademike dhe fetare dhe një jetë të tërë në shërbim të thirrjes dhe fetvasë, që do të mbetet e pranishme në historinë moderne të Mbretërisë.
Shkroi: Abdul Hakim Shar
Përshtati: Fatjon Isufi
Dosje: Dijetarët
Të Ngjashme
- A keni dëgjuar për këtë sahabi: El-Haxhaxh ibn Al-lat Udha e Besimtarëve
- Dijetarët reformatorë nuk u shpëtojnë kurrë sulmeve Udha e Besimtarëve
- Kur injoranca përplaset me dijen; përgjigje për sulmet ndaj shejh Albanit Udha e Besimtarëve
- Kur fjala dhe vepra bëhen një Shejh Muhamed ibn Salih el-Uthejmin
- Si i përgatiste Allahu Profetët për udhëheqje Udha e Besimtarëve