Disa nga veçoritë e Profetit (alejhi salatu ues selam) të përmendura në Teurat.

Disa nga veçoritë e të Dërguarit të Allahut, Muhamedit (Paqja qoftë mbi të!), të përmendura në Teurat.

Hilal bin Ata bin Jeser[1] ka thënë: Kam takuar Abdullah bin Amër bin El Asin[2] dhe i kam thënë: “Më trego për disa nga veçoritë e të Dërguarit të Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!)!” – tha: “Do të të tregoj. Betohem për Allahun, se ai ka qenë i përshkruar në Teurat me disa nga cilësitë e tij, ashtu siç është përshkruar edhe në Kuran. Allahu i Madhëruar thotë:

يَا أَيُّهَا النَّبِيُّ إِنَّا أَرْسَلْنَاكَ شَاهِدًا وَمُبَشِّرًا وَنَذِيرًا (45) وَدَاعِيًا إِلَى اللَّهِ بِإِذْنِهِ وَسِرَاجًا مُنِيرًا (46)

“O Profet! Ne të kemi dërguar ty si dëshmitar, sjellës të lajmit të mirë dhe paralajmërues; njëkohësisht (të kemi çuar) si thirrës, që i fton njerëzit në rrugën e Allahut me urdhrin e Tij dhe si pishtar ndriçues.”[3]

I Lartmadhëruari, në lidhje me Muhamedin, në Teurat ka thënë: Ti je robi Im dhe i Dërguari im. Ti je ai që vetëm te Unë mbështetesh. Je mbrojtësi i arabëve të paditur. Je gojë ëmbël, nuk flet me fjalë fyese dhe nuk e ngre zërin në treg. Ti, të keqen nuk e kthen me të keqe, por fal dhe s’mban mëri. Allahu nuk do ta marri shpirtin tënd derisa të ngrejë me ty një popull të dalluar e krenar, të cilët thonë: “La ilahe il Allah – S’ka të adhuruar tjetër me të drejtë përveç Allahut” dhe me ta, do t’i hapi sytë e verbuar, veshët e shurdhët e zemrat e mbyllura.

Një fjalë e ngjashme me atë më sipër është transmetuar nga Abdullah bin Selami dhe Keab El Ahbari.

Në disa transmetime të tjera, nga Ibën Is’haku citohet të jetë thënë: “Ai nuk bërtet  në tregje, nuk zbukurohet me atë që është e ndaluar dhe nuk thotë atë që s’është e drejtë. Unë do t’ia shtoj atij ç’do të mirë dhe do t’i dhuroj atij çdo sjellje të mirë. Qetësinë do ta bëj veshjen e tij, respektin natyrë të tij, devotshmërinë do ta bëj sedrën e tij. Urtësi do ta bëj të menduarin e tij, besnikëri do e bëj natyrë të tij, faljen dhe tolerancën moral të tij, drejtësinë do e bëj qëllim të tij dhe të vërtetën do ta bëj rrugë të tij.

Udhëzimin do ta bëj prijës të tij, ndërsa Islamin fe të tij ndërsa Ahmed emër të tij. me të do t’i udhëzoi të humburit e do t’i mësoj injorantët. Me të do të ngre të ultët e do t’i bëj të famshëm të panjohurit. Me të do t’i shumoj të paktët e do t’i pasuroj të varfërit. Me të do t’i bashkoj të ndarët e do t’i mbledh të përçarët. Rreth tij do të bashkoj zemrat dhe qëllimet e shpërndara. Me të do të mbledh popujt e ndryshëm e do t’i bëj një popull të vetëm i cili do të jet më i miri prej popujve

Shkëputur nga libri “Esh Shife” i autorit El Kadi Ijad

Përktheu Edmond Ajdini

[1] Hilal bin Ata bin Jeser, ose siç njihej ndryshe me ofiqën Ebu Umer El Medeni, është ndër tabi’inët e shquar. Historianët kanë fjalë kontradiktore sa i përket vitit në të cilin ai ka ndërruar jetë. Disa kanë thënë se ai ndërroi jetë në vitin 94 hixhri, ndërsa disa të tjerët thonë se ai ka ndërruar jetë në vitin 103 hixhri.

[2] Abdullah bin Amër bin El Asi është sahabi i nderuar. Disa historianë kanë thënë se ai thirrej me ofiqën Ebu Muhamed, ndërsa historian të tjerë thonë se ofiqa e tij ka qenë Ebu Abdurrahmen El Kurashij. Tregohet se Amri, babi i tij ka qenë shumë i ri kur ka lindur djali i tij Abdullahu. Thuhet se ai ka qenë vetëm 12 vjeç. E pranoi islamin para babait të tij Amër bin Asit. Ishte prej atyre që e adhuronin Allahun shumë dhe ishte ndër sahabët që ka transmetuar shumë hadithe nga i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!), madje Ebu Hurejra thoshte se Abdullah bin Amër bin Asi ia kalonte atij në transmetimin e hadithit, pasi ai i shkruante hadithet, ndërsa Ebu Hurejra nuk i shkruante ato. Megjithatë, hadithet e transmetuara prej tij, nuk patën famën që patën hadithet e transmetuara nga Ebu Hurejra. Abdullahi ka jetuar pjesën më të madhe të jetës në Egjipt, ndërsa ka ndërruar jetë në moshën 73 vjeçare në Palestinë në vitin 99 hixhri. Biografia e tij gjendet në librin “El Isabeh”, vëllimi: 6, faqja: 176-177 dhe “Usudu el gabeh”, vëllimi: 6, faqja: 338-347.

[3] {Kurani: El Ahzab, ajeti: 45-46.}