Dispozita e ujit të përdorur për abdes apo gusul nga femra

KAPITULLI I UJËRAVE

LIBRI BULUGUL MERAM

Dispozita e ujit të përdorur për abdes apo gusul nga femra 

Hadithi 7 – Transmetohet nga një person i cili kishte shoqëruar Profetin (Paqja e Zotit qoftë mbi të) se ka thënë; Profeti e ka ndaluar që femra të lahet me ujin që i tepron burrit (nga larja) ose që burri të lahet me ujin që i tepron femrës, pra duhet që ata të marrin ujë njëkohësisht! Këtë hadith e ka transmetuar Ebu Daudi dhe Nesaiu.

Hadithi 8 – Transmetohet nga Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të) se ka thënë: Profeti (Paqja e Zotit qoftë mbi të) lahej me ujin që i tepronte Mejmunes (nga larja). Këtë hadith e ka transmetuar Muslimi.

Hadithi 9 – Autorët e Suneneve (Ebu Daudi, Tirmidhiu, Nesaiu dhe Ibën Maxheh) kanë transmetuar: Njëra nga gratë e Profetit (Paqja e Zotit qoftë mbi të) u la në një kusi dhe më pas erdhi Profeti (Paqja e Zotit qoftë mbi të) për t’u larë nga e njëjta enë. Ajo i tha: Unë isha xhunub. Ai i tha: Uji nuk bëhet xhunub! Këtë hadith e ka saktësuar Tirmidhiu dhe Ibn Huzejme.

Pikëpamjet e shkollave juridike mbi përdorimin e tepricës së ujit të përdorur nga femra.

Shkollat juridike janë ndarë në disa mendime përsa i përket çështjes së përdorimit për  abdes ose gusël të tepricës së ujit të përdorur nga femra. Ndërkohë që nuk ka dilemë midis katër shkollave juridike sa i takon ligjshmërisë së përdorimit nga femra të tepricës së ujit të përdorur nga mashkulli, për abdes apo për gusël.

Mendimi i parë: Teprica e ujit të përdorur për abdes apo për gusël nga femra është e pastër dhe mund të përdoret edhe nga mashkulli. Ky është mendimi i tre prej shkollave juridike Islame; i shkollës Hanefite, Malikite dhe Shafi-ite.

Ky mendim mbështetet nga disa argumente ndër të cilët veçojmë hadithin e Ibën Abasit (Allahu qoftë i kënaqur me të):Profeti i Zotit (Paqja e Zotit qoftë mbi të)  lahej me ujin që i tepronte Mejmunes (Allahu qoftë i kënaqur me të). (Muslimi: 323)

Hadithi i Aishes (Allahu qoftë i kënaqur me të) të cilin e transmeton imam Buhari (Allahu e mëshiroftë) ku ajo ka thënë: Unë dhe Profeti (Paqja e Zotit qoftë mbi të) laheshim nga e njëjta enë prej xhunubllëkut.(Buhari:250)

Hadithi i Enesit (Allahu qoftë i kënaqur me të) ku thotë:Profeti (Paqja e Zotit qoftë mbi të) lahej me gruan e tij nga e njëjta enë. (Buhariu: 264)

Hadithi i Abdullah ibën Umerit (Allahu qoftë i kënaqur me të) i cili ka thënë: Burrat dhe gratë merrnin abdes në kohën e Profetit (alejhi selam) nga e njëjta enë. (Buhariu: 193)

Hadithi i Aliut (Allahu qoftë i kënaqur me të) të cilin e transmeton Imam Ahmedi në Musnedin e tij:I Dërguari i Allahut (Paqja e Zotit qoftë mbi të) dhe familja e tij laheshin nga e njëjta enë. (Shejh Shuajbi këtë hadith e ka cilësuar të mirë.)

Mendimi i dytë: Nuk i lejohet mashkullit të përdorë tepricën e ujit të përdorur nga femra. Ky është mendimi i shkollës Hanbelite.

Argumenti i këtij mendimi është hadithi i Hakem El Gifarit: Profeti (Paqja e Zotit qoftë mbi të) e ndaloi që burri të marrë abdes me tepricën e ujit të femrës. (Ebu Daudi: 82)

Mendimi i tretë: Është mendimi i Ibën Hazmit (Allahu e mëshiroftë) i cili është i të njëjtit mendim me  imam Ahmedin (Allahu e mëshiroftë), që mashkullit nuk i lejohet të marrë abdes apo gusël me ujin që e ka përdorur femra për abdes apo për gusël. Ibën Hazmi shton se i lejohet mashkullit të marrë abdes apo gusël nga uji që e përdor femra, me kusht që të marrin ujë njëkohësisht nga ena. Argumenti ku ai e bazon këtë është hadithi i Humejdit i cili thotë se kam takuar një burrë i cili ka ndenjur me Profetin (Paqja e Zotit qoftë mbi të) për katër vite, po aq sa ka ndenjur Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të). Ai thoshte: Profeti (Paqja e Zotit qoftëmbi të) e ndaloi që femra të lahet me tepricën e ujit të mashkullit, ose që mashkulli të lahet me tepricën e ujit të femrës. Le të marrin ujë të dy njëkohësisht. (Ebu Daudi: 81)

Tri shkollat juridike (Hanefite, Malikite dhe Shafiite) të cilat nuk e shohin të ndaluar që mashkulli apo femra të përdorë tepricën e ujit të  lënë nga gjinia e kundërt për abdes apo për gusël, mbështeten mbi ty kritere. Kriteri i parë; është dhënia përparësi e argumentave të cilët e lejojnë një gjë të tillë, sepse ata janë më të shumtë dhe më të saktë. Kriteri i dytë; është pajtimi midis argumentave duke i konsideruar argumentat e ndalesës si të formës jo të prerë, që do të thotë se një gjë e tillë nuk është e ndaluar por e papëlqyeshme që të përdoret ky lloj uji në rast të disponimit të një uji tjetër. Të këtij mendimi ishin Ibën Tejmijeh dhe Ibën Uthejmini (Allahu i mëshiroftë). (Esh Sherh El Mumti: 1/46)

Ky është dhe mendimi më i përshtatshëm në këtë çështje sepse përmes tij pajtohen të gjithë argumentat.

Allahu e di më së miri!

Përshtati: Rexhep Milaqi