Dita e Ashures, dita e dhjetë e muajit Muharrem.
Ajo është ditë e shënuar pasi në këtë ditë Allahu ka shpëtuar Musain dhe popullin e tij nga Faraoni dhe ushtria e tij.
Është e pëlqyeshme që kjo ditë të agjërohet në shenjë falënderimi ndaj Zotit, pasi i Dërguari i Allahut, paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të, e ka agjëruar këtë ditë dhe ka porositur që ta agjërojmë atë, duke na treguar se agjërimi i kësaj dite shlyen gjynahet e vitit të kaluar.
Po ashtu, është e pëlqyeshme që kjo ditë të shoqërohet me agjërimin e një dite para apo pas saj për t’u dalluar nga hebrenjtë, pasi edhe ata e agjërojnë ditën e dhjetë.
Nuk është praktikë fetare e fesë tonë që të bëhet ndonjë ëmbëlsirë e veçantë me rastin e ditës së ashures.
Ka qenë kaderi i Zotit që po në këtë ditë në datën dhjetë të muajit Muharrem, ditën e Ashures, të vritej Husejni nipi i Pejgamberit dhe njëri ndër zotërinjtë e banorëve të Xhenetit.
Mirëpo, nuk lejohet që ne të veprojmë ashtu siç veprojnë disa sekte të devijuara të cilët pretendojnë se mbajnë zi për Husejnin duke goditur veten me kamxhikë, me zinxhirë e me mjete prerëse.
Të gjitha këto janë veprime të shëmtuara dhe të refuzuara.
I Dërguari i Allahut, paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të, ka thënë: “Kush shpik në fenë tonë diçka që nuk është prej saj, ajo është e refuzuar!”
Vdekja e Profetit, paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të, ishte më e rëndë se vdekja e kujtdo tjetër. Po ashtu vdekja e Ebu Bekrit, njeriut më të mirë pas Pejgamberit sal-lAllahu alejhi ve sel-lem.
Umeri, Uthmani dhe Aliu (babai i Husejnit) që të tre u vranë pabesisht dhe ranë shehid.
Ata ishin më të mirë se Husejni, Allahu qoftë i kënaqur nga të gjithë ata.
Ne nuk vajtojmë për shehidët duke bërë marrëzira, duke gjuajtur veten me kamxhikë, me hanxhar e me zinxhirë e duke lënë një imazh të shëmtuar për Islamin. Kjo pasi njerëzit kujtojnë se këto janë praktika të fesë Islame, ndërsa disa media qëllimisht i shfaqin ato si të jenë praktika Islame për të trembur njerëzit që nuk dinë.
Ne kemi bindjen se shehidët (dëshmorët e këtij umeti) janë të gjallë tek Zoti në xhenete të begata. Përse duhet të qajmë e të vajtojmë rrugëve e shesheve duke shqyer rrobat e duke goditur veten si të çmendur?!!
Këto janë praktika të shëmtuara dhe bidate, dhe bidati të çon në zjarr.
Allahun e lusim të na ruaj nga zjarri i Xhehenemit!
Dosje: Dita e Ashurasë, Muaji Muharrem