Dita e Verës dhe Nevruzi

March 12, 2016

Në ditët që vijnë, ne myslimanët shqiptarë përballemi me dy festa, festimi i të cilave është bërë traditë e vendit tone: festa e ditës së Verës dhe festa e Nevruzit dhe është e nevojshme të dimë se çjanë këto dy festa, nga rrjedhin dhe cili është gjykimi i festimit të tyre?
Origjina dhe kuptimi i këtyre festave.
Dita e Verës.
Dita e Verës është një ditë feste e shqiptarëve paganë (dmth para krishtit, Isait alejhi selam) e cila festohet me dt: 14 Mars dhe ja ç’thotë për të letrari Faik Konica (i lindur në Konicë sot brenda kufijve të Greqisë jo shumë larg Kolonjës dhe Përmetit 1875-1942):
“Miqve, shokëve të Lidhjes Shqipëtare “Verore”, u dërgoj kujtime miqësie, urime të zemrës, për Ditën e Verës që na afrohet. S’e festuam dot sivjet këtë ditë të bukur: po në mos e festuam me trup, do ta festojmë me zëmer.
Ç’është Dita e Verës? Është dita në të cilën shtërgjyshërit t’anë, kur s’kish lindur edhe krishtërimi, kremtojin bashkë me Romanët dhe me Grekët e Vjetër, perëndit’ e luleve, të shelgjeve, të krojeve. Kur çkrin dimëri, kur qaset Vera buzëqeshur e hollë dhe e gjatë si në piktyrë të Botticelli (piktor italian i periudhës menjëherë pas mesjetës jetuar në vitin 1445-1510), zemra e njeriut çgarkohet nga një barë, shijon një qetësi, një lumtësi t’ëmblë. Në këtë gëzim, stërgjyshërit t’anë ndiejin një detyrë t’u falen perëndive që sillnin këto mirësira. Dhe ashtu leu festa hiroshe që quajmë Dit’ e Verës”.
Sipas përshkrimit të Konicës, festa e dites se Veres i përket kohës pagane të popullit shqiptar, kohë ne te cilen ata besonin në shumë zota siç besonin edhe popujt e tjerë përreth. Ata në këtë ditë u faleshin perëndive për mirësinë e ardhjes së pranverës dhe largimit të dimrit, bile studiuesit tregojnë për një tempull kushtuar 14 Marsit në zonën e Çermenikës së Elbasanit.
Festa e ditës së Verës më ardhjen e krishterimit në vendin tonë pësoi një ndryshim për t’iu përshtatur besimit të ri i cili nuk pranonte ekzistencën e shumë zotave dhe ja ç’thotë prifti At Berdardin Palaj (prift nga Shkodra i cili ka jetuar 1894-1946):
“Shtëpi më shtëpi në ditët e veravet, pjesëtarët e familjes bashkoheshin rreth zjarrit për me lidhë shtrigat, mgjillcat, llungjat, rrollcat e të gjitha shtazët dëmtuese : gjarprin mos ti nxajë, lepurin mos t’u hajë loknat e bathën, e shpendin emën për emën e krimbat e tokës mos t’u mbajnë dam ndër ara. Tri ditë përpara veravet duhet me mshefë shoshat, sitat, furkat e me çartë krojet, në mënyrë që mos me i pamë këto sende asnjë rob i shtëpisë, pse për ndryshej nul lidhet gja. Këto ditët e veravet bijnë gjithmonë ndër ditët e para të marsit. Mbas darkë, të gjithë pjesëtarët e shtëpisë bashkohen rreth zjarmit. I zoti i shtëpisë merr një pe të zi leshi, e lidhë për vergue një nyje e thotë këto fjalë. Lidhe Zot nata e mojt e dita e verave ! Unë pak e Zoti shum ! Po lidhim shtringat. Kështu përsërit këtë veprim për secilin shpirt damtues, sëmundje, krimba e kodra që don me lidhë”.
Ne kete citat shohim një përzierje të besimit pagan me monoteizmin (besimin në një zot), sepse lidhja e së keqes është besim pagan, kurse lutja e zotit është monoteizëm dhe njerëzit sipas përshkrimit të këtij prifti bashkojnë mes të dyjave.
Ky zakon edhe pas ardhjes së Islamit në Shqipëri nuk arriti të largohej edhe pse studiuesit thonë se ajo u dobësua dmth nuk kishte më atë interesimin e mëparshëm dhe në disa vende u shua fare si festë.
Madhërimi i stinës së pranverës nuk ka qenë vetëm zakon i paganëve shqiptarë dhe e popujve rreth tyre por edhe i popujve persë dhe këtë e gjejmë te persët me një emër tjetër që quhet festa e Nevruzit.
Nevruzi
Nevruzi është një festë tjetër pagane, origjina e se ciles kthehet në Persi. Kjo feste festohet në ditën e parë pranverës më 21 Mars atëherë kur dielli kalon mbi atë shenjë astrologjike e cila quhet dashi dhe shënon fillimin e pranverës.
Historiani i njohur Ibn Khaldun e kthen fillimin e kësaj feste në kohën e Zeradeshtit (profeti i pretenduar i mexhusëve paganëve persë) dhe thotë:
“Zeradeshti është ai i cili u ka ndërtuar atyre shtëpitë e zjarrit dhe u ka caktuar dy festa: Nevruzin në kohën e fillimit të pranverës dhe Mehraxhanin në kohën fillimit të vjeshtës”.
Më pas me ardhjen e islamit dhe hyrjen e persëve në islam janë shtuar pyetjet e njerëzve për këto festa dhe ato i gjejmë të përmendura edhe nga sahabët psh:
Abdullah bin Umeri thotë: “Kush qëndron në vendet e të huajve (jomyslimanëve) dhe bën Nevruzin dhe Mehraxhanin e tyre dhe përngjasohet me ta derisa të vdesë do të ringjallet me ta ditën e kiametit” e transmeton Bejhakiu.
Muhamed bin Sirini tregon se Aliut -radiallahu anhu- i kanë sjellë një dhuratë për Nevruz dhe ai pyeti: Çështë kjo? I thanë: O prijësi i besimtarëve, kjo është dita e Nevruzit. Ai u tha: çdo ditë bëni Fejruz sepse nuk i pëlqeu ti thoshte Nevruz.
Aliu këtu ka dashur të thotë dhe Allahu e di më së miri: Çdo ditë bëni dhurata por jo në emër të Nevruzit.
Imam Dhehebiu thotë: thuhet se gjyshi i Ebu Hanifes –Allahu e mëshiroftë- i cili quhet En-Numan bin El-Merzuban (me origjinë perse) është ai i cili i dha dhuratën Aliut -radiallahu anhu- dhe ajo ishte një lloj ëmbëlsire që quhej [Faludhexh].
Kjo tregon se popujt persë të sapo futur në islam nuk e kanë pasur të lehtë të largohen nga ky adet dhe prandaj Mutedidit, prijësit të besimtarëve në vitin 282 të hixhretit i eshte dashur të nxirrte urdhrin për ndalimin e festimit të Nevruzit.
Historiani i njohur Ibn Kethiri –Allahu e mëshiroftë- në librin e tij “El-Bidaje ue En-Nihaje” tregon në lidhje me ngjarjet e viti 282H dhe thotë:
“Në këtë vit Mutedidi i ndaloi njerëzit ne ditën e Nevruzit te bejne ato punë që kishin zakon ti bënin si: ndezja e zjarrit, spërkatja e ujit dhe punë të tjera të ngjashme me punët e mexhusëve. Ai gjithashtu ndaloi edhe nga dhuratat e bujqve që u bëni atyre që linin punët për tu marrë ne këtë ditë, me festimet e saj”.
Nevruzi është festë që më pas ka kaluar edhe në mesin e myslimanëve shqiptarë nëpërmjet ndikimit të sektit bektashian sepse i pari i tyre haxhi Bektashi rridhte nga ato zona të Persisë Neisaburi vend i origjinës së kësaj feste siç u tha më lart.
Gjykimi i festimit të festave pagane në Islam.
Islam do të thotë dorëzim tek Allahu, zoti i vetëm i njerezve, besim ne te cilin kane thirrur të gjithë profetët e Allahut dhe prej plotësimit të këtij dorëzimi është mohimi i adeteve të kohës pagane.
Festat pagane kanë lindur në një shoqëri e cila nuk njeh për bazë atë që njeh Islami dhe ato karakterizohen nga tre gjëra:
1- Paganët, festat e tyre ua kushtojnë idhujve dhe zotave të hamendësuar ku në realitet nuk ekziston zot tjetër veç Allahut.
2- Ata në festat e tyre i japin vlerë disa ditëve qe jane pa vlerë sepse Allahu i madhëruar është krijuesi i kohës dhe vleresimi i saj eshte ne doren e Tij. Ai i jep vlerë asaj që do dhe ne ate qe Ai e do e marrim prej Tij, ose nga librat e zbritura, ose nga thëniet e profetëve.
Profeti -alejhi selam- siç tregohet nga Enesi -radiallahu anhu- kur mbërriti në Medine i gjeti njerëzit duke u dëfryer në dy ditë dhe i pyeti: Çfarë janë këto dy ditë: Ata i thanë: Ditë që dëfreheshim në xhahilijet (para islamit). Profeti alejhi selam u tha: “Allahu ua ka zëvendësuar ato me dy më të mira: Ditën e Kurbanit dhe ditën e Fitrit” E transmeton Ebu Daudi dhe e saktëson sheikh Albani.
Fjala e profetit -alejhi selam- [ua ka zëvendësuar ato me dy më të mira] dmth janë më të mira sepse kanë vlerë te Allahu i madhëruar dhe jo pa vlerë te Ai si ato që ju po festoni.
3- Ata në festat e tyre nuk ruajnë rregullat e Allahut të caktuara për njerëzit duke i shoqëruar ato me gjëra të ndaluara si alkoli, lakuriqësia e shthruje të tjera të pafundme.
Ibn Abasi -radiallahu anhu- kur ka lexuar ajetin ku Allahu i madhëruar i ndalon gratë të dalin jashtë të zbukuruara ne te cilin thuhet:
“…dhe mos u zbukuroni si në kohën e injorancës” suretu El-Ahzab: 33, ka thënë:
“Kjo ka ngjarë në kohën mes Nuhut dhe Idrisit e cila ka qenë një mijë vjet. Dy barqe nga bijtë e Ademit njëri prej tyre banonte në fushë dhe tjetri në koder. Ata të kodres kishin burrat e bukur dhe gratë jo shumë të bukura, kurse ata te fushes kishin grate të bukura dhe burrat jo shumë të bukur. Iblisi shkoi te një burrë prej burrave të fushës në pamjen e një djali dhe hyri te ai qiraxhi. Ai i shërbente atij dhe ai një ditë mori një vegël muzikore si fyelli i bariut dhe nxori një zë të padëgjuar ndonjëherë më përpara. Njerezit kur e morën vesh ngjarjen erdhën për ta dëgjuar dhe caktuan një festë për tu bashkuar pranë tij një herë në vit ku gratë zbukuroheshin për burrat. Një burrë nga ata te kodres vjen tek ata te fushes dhe sheh bukurine e grave te tyre. Ai pastaj shkoi dhe njoftoi shokët e tij dhe ata zbriten tek ato dhe mes tyre u shfaq zinaja.
Ibn Abasi thote: Kjo është fjala e Allahut […dhe mos u zbukuroni si në kohën e injorancës] ” e transmeton Taberiu.
Këto janë festat e paganëve dhe nuk i shkon një myslimani të përzihet me to sepse bazat e tyre janë ndryshe nga bazat tona dhe se përzierja me ta dëmton besimin tonë dhe saktëson besimin e tyre për të cilin thamë që është i gabuar.
Çfarë duhet të ketë kujdes myslimani në ditët e festave pagane?
Allahu i madhëruar në Kuran e ka urdheruar Muhamedin -alejhi selam- t’u thotë mushrikëve:
“Ju keni fenë tuaj dhe unë kam fenë time”.
Prandaj dhe myslimani në kohën e festave të tyre duhet të ruhet nga:
1- Mos prezantimi në festat e tyre.
Allahu i madhëruar në Kuran kur përmend cilësitë e njerëzve të tij të mirë thotë:
“Ata të cilët nuk prezantojnë në gënjeshtra dhe kur kalojnë pranë gjërave pavlerë nuk ua vënë veshin” Suretu el-Furkan:72.
Ibn Abasi -radiallahu anhu- në komentimin këtij ajeti thotë se fjala e Allahut [Nuk prezantojnë në gënjeshtra] dmth: Nuk prezantojnë në festat e mushrikëve.
Këtë porosi e gjejmë edhe nga udhëheqësi i drejtë i këtij ymeti Omeri -radiallahu anhu- në kohën e të cilit u çliruan shumë vende pagane: “Mos i mësoni belbëzimet e të huajve (është fjala për gjuhet e tyre duke lënë gjuhen arabe në të cilën ka zbritur feja e Allahut) dhe as mos u përzieni me mushrikët në faltoret e tyre në ditën e festës së tyre sepse zemërimi i Allahut zbret mbi ta” e transmeton Abdurrazaku dhe Bejhakiu.
2- Mos-përngjasimi me ta në veprimet e tyre.
Dijetari i madh i Islamit dhe këshilluesi i sinqertë, Sheikhu-Islam, Ibn Tejmije –Allahu e mëshiroftë- thotë:
“Nuk u lejohet myslimanëve të përngjasohen me jomyslimanët në gjërat që u përkasin festave të tyre si: ushqimi, veshja, larja (gusli nëse bëjnë ashtu atë ditë), ndezja e zjarreve, prishja e zakonit të përditshëm të jetesës apo ndonjë adhurim të veçantë etj. Dhe nuk lejohet gjithashtu të bësh gosti, dhurata, tu shesësh atyre gjëra që i përdorin për atë qëllim dhe as ti mundësosh fëmijët të luajnë me lojërat e tyre dhe as zbukurimi atë ditë. Pra, në përgjithësi nuk u lejohet (myslimanëve) të bëjnë gjëra që u përkasin festave të tyre dhe ato ditë duhen të jenë si çdo ditë tjetër” Mexhmu El-Fetaua.
3- Të mos i ndihmosh ata në punët e tyre: as me dhurata dhe as duke u shitur gjë.
Ebu Hafs El-Kebir dijetari i madh hanefi nga Buhara (i vdekur në vitin 217 H) siç tregojnë dijetarët e medhhebit hanefi thotë:
“Nëse një burrë e adhuron Allahun pesëdhjetë vjet pastaj vjen dita e Nevruzit dhe u dhuron mushrikëve një vezë si madhërim për atë ditë, ai bën kufr dhe i prishen të gjitha punët”.
Sheikhul-islam Ibn Tejmije thotë:
Ibn El-Kasim (dijetar i medhhebit maliki dhe nxënës i drejtpërdrejt i imam Malikut i vdekur në vitin 191 H) nuk e ka pëlqyer për myslimanin ti dhurojë të krishterëve ndonjë gjë në ditën e festave të tyre duke e konsideruar këtë gjë si madhërim të festave të tyre dhe ndihmesë ayre në mohim. A nuk e sheh se nuk u lejohet myslimanëve tju shesin të krishterëve gjë që është në dobi të festës së tyre: as mish, as gjellë, as rroba, as nuk u japin kafshën e udhëtimit dhe as ndihmohen në atë gjë që është në dobi të festës së tyre sepse kjo është madhërim i shirkut të tyre dhe ndihmesë në mohimin e tyre. Duhet që prijësit ti ndalojnë myslimanët nga kjo gjë dhe kjo gjë. Ky është mendimi i imam Malikut dhe të tjerëve dhe nuk di ndonjë kundërshtim për të”.
4- Të mos i ndihmosh gjithashtu as myslimanët që përngjasohen me ta.
Sheikhul-islam Ibn Tejmije thotë:
“Siç nuk lejohet për tu përngjasuar me ta në festat e tyre ashtu nuk lejohet të ndihmohet as myslimani që përngjasohet me ta, madje ndalohet nga kjo gjë. Kështu që kush bën një gosti ndryshe nga adeti i tij i perditshem në kohën e festave të tyre nuk duhet ti përgjigjesh ftesës së tij dhe kush bën dhuratë prej muslimanëve në këto festa ndryshe me zakonin e tij në ditët e tjera, nuk pranohet dhurata e tij nëse dhurata është prej atyre gjërave që ndihmojnë në përngjasim me ta. Gjithashtu myslimani nuk duhet të shesë gjëra që myslimanët i përdorin në përngjasim me ta sepse kjo është ndihmesë në punë të këqija”.
5- Të mos i urosh ata në këtë ditë.
Ibn El-Kajimi thotë: “Ndërsa përsa i përket urimit të festave të mohuesve të veçanta për ta, kjo është e ndaluar dhe për këtë janë dakord dijetarët. P.sh. ti urojë ata në ditët e festave apo agjërimeve duke u thënë: festë e begatë! Apo: gëzuar festën! Ai i cili e thotë këtë gjë nëse nuk ka mohuar, ka bërë një haram që është i barabartë me urimin e tij për atë që i bën sexhde kryqit, madje kjo është më e keqe dhe më e urryer se pirja e alkolit, vrasja e njeriut, imoraliteti dhe shumë prej atyre që feja nuk ka për ta rëndësinë e duhur dhe bien në këtë gjë pa e ditur poshtërsinë e saj. Ai i cili uron ndonjë njeri për ndonjë gjë që është kundërshtim, apo bidat, apo mohim është shfaqur para zemërimit të Allahut ndërkohë që njerëzit e devotshëm prej atyre që kanë dije i largoheshin urimeve të prijësve zullumqarë dhe urimit të injorantëve për postin e gjykatësit, mësuesit dhe myftiut për t’ju larguar zemërimit të Allahut dhe rënies nga syri i tij”.
Çfarë i thuhet atij që mendon se Islami i pranon këto festa?
Allahu i madhëruar në Kuran thete:
“Mos e përzieni të vërtetën me të kotën” sure El-Bekara: 42.
Festat e dites se Veres dhe Nevruzit janë sipas kalendarit diellor i cili nuk ka lidhje me Islamin sepse kalendari islamik është kalendar hënor. Cdo festë islame i përket llogaritjes së kohës sipas hënës, a nuk e keni vënë re se festat tona herë bien në verë e herë në dimër dhe nuk ka asnjë festë fikse.
Allahu i madhëruar në Kuran kur përmend krijimin e kohës thotë:
“Numri i muajve tek Allahu është 12 muaj, në librin e Allahut, atë ditë që ka krijuar qiellin dhe tokën. Katër prej tyre janë të shenjtë. Kjo është feja e drejtë prandaj mos i bëni në to zullum vetes tuaj.” (Surat Et-Teube: 36).
Muajt që ka për qëllim Allahu në këtë ajet janë ata hënorë: Muharrem, Safar, Rabi-ul-Euuel, Rabi-ul-Akhir, Xhumade El-Ula, Xhumade el-Ukhra, Rexhep, Shaban, Ramazan, Sheval, Dhul-Kade, Dhul-Hixhxhe. Të gjithë këta muaj lëvizin gjatë vitit në verë e në dimër dhe bashkë me to edhe festat tona islame. Atëherë si mund të përzihen këto festa me Islamin ndërkohë që nuk i shkojnë aspak përshtat atij.
Lus Allahun të na ruaj nga zemërimi i Tij dhe ta bëjë këtë këshillë shkak për qartësimin e kësaj çështjeje te shumë myslimanë që janë sprovuar me festimin e festave të paganëve, ose nga padija ose duke e marrë këtë gjë si punë të lehtë ndërkohë që tek Allahu është punë e madhe! Amin!

Dosje: ,

Loading...