Dobi dhe mësime të përfituara nga historia e Nuhut

July 23, 2015

Të gjithë pejgamberët duke filluar me Nuhun e deri tek Muhamedi sal-lAllahu alejhi ve sel-lem, ishin në unanimitet për thirrjen (e njerëzve) në monoteizmin e pastër dhe ndalimin e tyre nga shirku (idhujtaria). Nuhu ashtu sikurse edhe pejgamberët e tjerë, të parën gjë që u thonin njerëzve ishin këto fjalë: O populli im! Adhuroni Allahun, ju nuk keni të adhuruar tjetër përveç Tij! | El Araf: 59.

Këtë parim e përsërisnin (kohë pas kohe) në forma dhe mënyra të ndryshme, dhe me këtë kuptojmë etikën e thirrjes dhe përsosmërinë e saj.

Nuhu e ftoi popullin e tij ditën dhe natën, haptas dhe fshehurazi, në çdo kohë dhe në çdo gjendje që supozonte suksesin e thirrjes. Ai i inkurjonte ata duke u kujtuar shpërblimin e shpejtë në këtë botë, shpëtimin nga dënimi dhe mundësinë  e shijimit të pasurisë dhe pasardhësve, si dhe shtimin e rrizkut nëse ata do të besonin në shpërblimin e amshueshëm (të botës tjetër). Në të njëjtën kohë u tërhiqte vërejten nga e kundërta e atyre gjërave që i inkurajonte. Nuhu duroi shumë në këtë rrugë, ashtu sikurse kanë duruar dhe pejgamberët e tjerë. Ai i ftoi me fjalë të buta, me dhemshuri dhe me çdo shprehje që tërheq zemrën dhe arrin qëllimin. Ai pohonte argumentet hyjnore dhe u sqaronte faktet.

Dyshimet[1] që lëshuan armiqtë e profetëve për shpalljet e tyre, ishin në vetvete fakte që i shuanin argumentet e vet përgënjeshtruesve. Kjo sepse dyshimet që ata hodhën dhe që nuk kishin të tjera veç tyre, nuk ishin të bazuara në fakte dhe realitete që t’i besonin njerëzit e logjikshëm. Kur populli i Nuhut tha: “Ne shohim se ti je thjesht njeri si ne, dhe shohim që ty të shkojnë pas vetëm më të pavlerët nga ne pa u menduar. Ne nuk shohim se ti ke diçka më të mirë se ne, madje ju quajmë  gënjeshtarë.” | Hud: 27.

Nëse mediton në fjalitë e thëna më sipër do të gjesh vetëm shtrembërime që tregojnë se janë të dështuar dhe kryeneç ndaj së vërtetës.

Ata thanë: “Ne shohim se ti je thjesht njeri si ne.” Nëse një e vërtetë vjen nga një njeri, a mund të konsiderohet ky një dyshim që tregon se ajo gjë mund të mos jetë e vërtetë?

Në thelb fjalët e mësipërme nënkuptojnë se çdo fjalë që e thotë njeriu dhe ngado që e merr supozohet të jetë e kotë, dhe kjo është akuzë e rëndë për të gjitha njohuritë njerëzore që njerëzit i kanë përfituar nga njëri-tjetri. Realisht ky perceptim i hedh poshtë të gjitha njohuritë. A ekziston ndojë njohuri që njerëzit të mos e kenë përfituar nga njëri-tjetri edhe pse në shkallë të ndryshme? Është fakt se njohuritë më të larta, më të vërteta dhe më të dobishme janë ato (njohuri) që njerëzit i përfitojnë nga profetët, të cilët ua mësuan përmes shpalljes hyjnore.

Gjithashtu, ata i thanë: “Ne nuk shohim se ti ke diçka më të mirë se ne.” D.m.th. ne dhe ju jemi njerëz.

Të gjithë pejgamberët i janë kundërpërgjigjur këtij koncepti duke thënë: “Ne jemi vetëm njerëz si ju, por Allahu ia dhuron Hirin e Tij kujt të dojë prej robërve të Vet.” | Ibrahim: 11.

Atëherë, Allahu u dha mirësi profetëve dhe i veçoi me shpallje dhe dërgesë, edhe pse refuzimi i popullit të Nuhut nga ky aspekt konsiderohet injoranca më e shëmtuar  dhe prej mangësive që ata hedhin ndaj mirësisë hyjnore. Mirësia dhe urtësia e Allahut aludon në faktin se profetët janë prej njerëzve, me qëllim që njerëzit të kenë mundësi të marrin prej tyre dhe tu lehtësohet kjo mirësi dhe mënyra e përfitimit prej saj. Këta përgënjeshtrues e mohuan thelbin e kësaj mirësie dhe formën e drejtë dhe të dobishme që u solli.

Ata thanë: “Shohim që ty të shkojnë pas vetëm më të pavlerët nga ne.”

Tek njerëzit e mençur është shumë e qartë se e vërteta njihet nga faktet që ajo mban dhe jo prej atyre që e ndjekin atë (të vërtetën). Këto fjalë erdhën si rezultat i mendjemadhësisë dhe përhumbjes, dhe siç dihet mendjemadhësia është pengesë që robi të njohë të vërtetën dhe ta ndjekë atë.

Ata gjithashtu thanë: “Të pavlerët nga ne.”

Nëse kishin për qëllim varfërinë, duhet ditur se varfëria nuk është mangësi. E nëse kishin për qëllim moralin (e atyre besimtarëve), kjo akuzë konsiderohet gënjeshtër sepse në realitet të ulët në morale ishin vetëm ata që e nxorrën këtë fjalë nga gojët e tyre. A mund të quhet besimi në Allahun dhe në pejgamberët, bindja ndaj Zotit dhe profetit, nënshtrimi ndaj të vërtetës dhe largimi nga çdo mangësi e ulët, a mund të cilësohen si gjëra të ulëta?? Apo ndjekësit e këtyre vlerave si të pavlerë? Apo më meritues (i këtij epiteti) të jetë ai që braktisi detyrën më të madhe, njësimin e Allahut, falënderimin e Tij dhe që mbush zemrën më mendjemadhësi ndaj së vërtetës dhe ndaj njerëzve?!! Betohem se kjo është poshtërsia më e madhe, por ata ishin popull i përhumbur dhe nuk i akuzuan këta njerëz të zgjedhur veçse për faktin se besuan Allahun, Krenarin dhe të Falënderuarin.

Pastaj i cilësuan si njerëz të nxituar që marrin hapa “Pa menduar fare”.

Pra ata hodhën hapin të parët për të besuar ty o Nuh dhe nuk pyetën askënd, nuk pritën e as nuk u matën. Nëse kjo do supozohej si e vërtetë, atëherë kjo tregon qartë dhe llogaritet prej argumenteve. Kjo për faktin se e vërteta kundërmon; dritë, bukuri, hijeshi, vërtetësi dhe siguri që nuk pret t’i marrësh leje askujt për ta ndjekur apo jo (të vërtetën). Gjërat që kërkojnë rrahje mendimesh janë gjërat e panjohura që nuk u dihet vërtetësia apo dobia që kanë.

Ndryshe ndodh me besimin që është më i qartë se rrezet e diellit në shkëlqim dhe më i ëmbël se gjithçka tjetër. Prej këtij besimi nuk mund të vonohet veçse një mendjemadh dhe kryeneç si rasti i këtyre tiranëve djallëzorë.

Pastaj thanë: “Ne nuk shohim se ti ke diçka më të mirë se ne.”

A vihet re ndonjë drejtësi në këto fjalë? Sepse ata shpalosin vetet e tyre dhe nga ajo që flasin kuptohet se këtë gjë u mban zemra. Ose tregon faktin se këta njerëz flasin atë që nuk e besojnë. Sidoqoftë, e vërteta duhet pranuar pa marrë parasysh e tha një i mirë apo një tjetër jo i mirë, sepse e vërteta qëndron më lart se çdo gjë tjetër.

Në fund thanë: “Madje ju quajm gënjeshtarë.”

Hamendësimi është gënjeshtra më e madhe. Nëse do të thonin: Ne e dimë dhe jemi të bindur se ju jeni gënjeshtarë, atëherë fjalë të tilla kanë mundësi t’i thonë të gjithë, por ku e keni argumentin që u bën të besoni se ata janë gënjeshtarë?

Këto ishin e gjitha cfarë kishin, argumentet dhe faktet të cilat në realitet ishin të rrëzuara në zanafillë siç duket qartë, e megjithatë kjo nuk i pengoi profetët që të përballen duke u sjellë argumente dhe fakte të ndryshme, të cilat nuk lënë vend për të dyshuar në kotësinë e tyre.

Prej vlerave që gëzojnë pejgamberët dhe prej fakteve që vërtetojnë profetësinë e tyre është sinqeriteti i plotë ndaj Allahut të Lartësuar, përulja ndaj Allahut dhe shërbimi i tyre në dobi të krijesave, siç është thirrja, dija, dhe të ngjashme me to. Për këtë arsye (profetët) gjithmonë e shfaqin këtë realitet dhe e përsërisin shpesh tek popujt, dhe secili prej tyre thoshte: O populli im! Unë për këtë nuk kërkoj nga ju kurrfarë pasurie. Mua më shpërblen vetëm Allahu.” | Hud: 29.

Prandaj, prej vlerave më madhore që përfitojnë ndjekësit e profetëve është se ata do ta arrijnë të njëjtën mirësi. Kështu, Allahu u jep prej mirësive të Tij dhe pozitë në këtë botë dhe në botën tjetër, më tepër se ç’garojnë njerëzit e dunjasë pas dunjasë së tyre.

Të flasësh për qëllimet e besimtarëve dhe për mirësitë që Allahu u ka dhënë dhe të flasësh bindshëm në vend të Zotit se Ai nuk do t’iu japë mirësi, e gjithë kjo është trashëgimi që kanë lënë pas armiqtë e profetëve. Për këtë arsye, në momentin kur populli i Nuhut filloi të fliste me kompetenca në vend të Zotit dhe filluan t’i përçmonin besimtarët, ai u tha: “As nuk them se unë jam engjëll e as do t’u them atyre të cilët sytë tuaj i nënçmojnë, se Allahu nuk do t’u japë kurrfarë të mire. Allahu e di më mirë se ç’ka në shpirtrat e tyre.” | Hud: 31.

Njeriu gjithmonë duhet të kërkojë ndihmën e Allahut, të përmend emrin e Tij sa herë që hipën apo zbret nga diçka, madje në çdo gjendje dhe lëvizje. Të falenderojë Allahun dhe të shtojë përmendjen e Tij, sidomos në rastet e shpëtimit nga fatkeqësitë dhe vështirësitë. Allahu i Lartësuar thotë: “Hipni në anije! Me emrin e Allahut ajo lundron dhe ndalet! Me të vërtetë, Zoti im është Falës dhe Mëshirëplotë.” | Hud: 41.

Gjithashtu ka thënë: “Kur të hipësh në varkë ti dhe ata që janë me ty, thuaj: Qoftë lavdëruar Allahu i cili na shpëtoi prej popullit keqbërës!” | El Muminun: 28. Ashtu sikurse duhet të bëjë dua për begati aty ku qëndron kalimthi, siç janë vendpushimet në vendet e udhëtimit apo shtëpitë e përhershme të banimit. Këtë e themi duke u bazuar në fjalën e Allahut: “Dhe thuaj: Zoti im, më zbarko në vend të bekuar, se Ti je më i miri për të na zbarkuar.” | El Muminun: 29.

E gjithë kjo nxit në përmendjen e Allahut dhe të jep forcë në lëvizje dhe qëndrime, si dhe tregon sigurinë që zemra ka me Allahun. Sjell zbritjen e begatisë e cila është më e mira që mund ta shoqërojë robin në gjendjet e tij, pa të cilën ai nuk bën dot qoftë dhe për një moment.

Devotshmëria ndaj Allahut dhe praktikimi i detyrimeve të besimit janë prej shkaqeve me të cilat arrihet kjo botë, shtimi i pasardhësve, rrizku dhe forca e trupit, pa lënë mënjanë dhe shumë shkaqe të tjera. Por duhet thënë se devotshmëria është shkaku i vetëm, dhe ska tjetër që mund të arrihet mirësia e ahiretit dhe shpëtimi nga dënimi i atjeshëm.

Shpëtimi nga dënimet gjithpërfshirëse në këtë botë është vetëm për besimtarët, pejgamberët dhe ndjekësit e tyre. Ndërsa ndëshkimet e përgjithshme janë të spikatura vetëm për keqbërësit, dhe bashkë me ta futen pasardhësit dhe kafshët e tyre edhe pse nuk kanë mëkate. Kjo ngase rastet dhe ndodhitë ku Allahu ka lëshuar mbi përgënjeshtruesit dënim, i ka përfshirë fëmijët dhe kafshët e tyre.

Në disa israilijate përmendet: Populli i Nuhut apo të tjerë, kur Allahu deshi t’i shkatërronte i bëri gratë të mos lindnin me qëllim që të mos përfshiheshin fëmijët e tyre në këtë ndëshkim. Por kjo nuk ka asnjë origjinë (fakt), madje bie ndesh me argumentet e njohura. Përkundrazi, kjo është në përputhje të plotë me fjalën e Allahut që thotë: “Ruajuni ngatërresave të cilat nuk i godasin vetëm ata që bëjnë keq. Dijeni se Allahu dënon ashpër!” | El Enfal: 25.

 

Marrë nga libri: “Historitë e Profetëve”.

Autor: Abdurrahman es Seadi

Përktheu: Fatjon Isufi

 ————————————————————–

[1] Qëllimi i termit dyshim është ajo që nxit luhatje dhe dyshime në sinqeritetin e thirrësit dhe vërtetësisë të mesazhit që ai mban. E gjithë kjo për të penguar të vërtetën, mundësinë e pranimit të saj, ose për ta vonuar këtë pranim. Në shumicën e rasteve paria e çdo populli është ajo që hedh dyshimet, dhe i zbukuron për njerëzit duke i përhapur në mesin e tyre. I përsërisin që t’i dëgjojnë njerëzit e thjeshtë dhe të bëhen pjesë e pandarë e shpirtrave të tyre. Kështu ata i besojnë dhe i marrin si fakte të pamohueshme, dhe kjo i shtyn më tej që tu dalin për zot dhe të armiqësojnë të vërtetën dhe ndjekësit e saj. Ndërsa paria qesh dhe tallet me ta sepse ia aritën qëllimit që deshën.

Dyshimet janë disa llojesh: 1- Dyshime që kanë të bëjnë me thirrësin, siç është sharja e personit të jetës dhe moralit të tij, akuzat dhe goditjet me fjalë si; injoranca, humbja, çmenduria apo shpifje të tilla të ngjashme të cilat kanë për qëllim largimin e njerëzve dhe mosbesimin e tyre tek ky thirrës. 2- Dyshime që kanë të bëjnë me tematikën e thirrjes, siç është akuza se kjo thirrje është risi dhe largim nga gjendja normale e rrjedhës së atij populli, zakoneve, rendit dhe trashëgimisë. Me këtë synohet largimi i njerëzve nga thirrja për tek Allahu dhe pengimi i tyre nga kjo rrugë. 3- Dyshime që kanë të bëjnë me njerëzit që ftohen duke treguar në pamje të jashtme preokupim për interesat e tyre, popullin dhe fenë e baballarëve, ruajtjen e mirësive dhe jetesës së qetë me anë të së cilës synohet të nxisin ndjenjat e njerëzve kundër thirrësave për tek Allahu.

Për më tepër shih “Usul ed daueh” fq. 426, 436.

Dosje:

Loading...