Dobi nga librat e shejh Ibën Uthejminit

January 5, 2019

Me emrin e Allahut! Paqja dhe bekimet qofshin mbi vulën e profetëve dhe imamin e të devotshmëve, mbi familjen e tij, shokët e tij, dhe mbi ata që i pasuan në të mirë deri në ditën e Kiametit. E në vazhdim…

[1] Akidja e muslimanit në lidhje me Zotin e tij të Lartësuar është baza e fesë.

[2] Vendi i akides është zemra, bazuar në fjalën e Allahut të Lartësuar: “Allahu nuk u dënon nëse betoheni pa qëllim, por u dënon për atë që vendosni në zemrat tuaja.” El-Bekare, 225.

Në ajetin tjetër: “Allahu nuk u ndëshkon për betimin që e bëni pa qëllim, por u ndëshkon për betimin e bërë me qëllim.” El-Maide, 89.

[3] Fjalët e disa njerëzve se “Akidja nuk përmendet në Kuran e as në Sunet”, duke dashur me këtë mohimin e asaj për të cilën kanë rënë dakort dijetarët, në të vërtetë është fjalë e thënë pa u medituar, pa shikur (në Kuran dhe Sunet) dhe pa dituri. Nëse thënësi i saj do të meditonte, atëherë kishte për t’a gjetur akiden të përmendur në Kuran dhe se vendi i saj është zemra.

[4] El-Akidetu është ajo çfarë beson njeriu në lidhje me Zotin e tij të Lartësuar.

[5] Të gjithë ne besojmë – dhe për Allahun janë të gjitha falënderimet – se Allahu i Lartësuar është i Gjallë dhe nuk vdes. Përmendet nga Ibën Abasi (radijAllahu anhuma) në lidhje me fjalën e Allahut të Lartmadhëruar: “A nuk jam Unë Zoti juaj?Ata u përgjigjën: “Bela /بلى – dëshmojmë se Ti je.” El-Earaf, 172.  Ibën Abasi tha: “Nëse do thonin “neam/نعم”, atëherë do kishin mohuar.”  Nëse ata në përgjigjen e pyetjes “A nuk jam Unë Zoti juaj?” do të thonin “neam/نعم”, kuptimi do të ishte: “nuk je Zoti ynë.”  Dhe kur thanë “Bela /بلى”, atëherë kuptimi është: “Po, Ti je Zoti ynë.”

[6] Së pari, ne besojmë se Allahu është i Gjallë dhe nuk vdes, bazuar në fjalën e Tij: “Mbështetu në të Përjetshmin, i Cili nuk vdes.” El-Furkan, 58. Së dyti besojmë se Allahu, Një i vetëm është Krijuesi i qiejve dhe Tokës. Allahu thotë: “Kurse ata që ju i adhuroni krahas Tij, nuk zotërojnë as sa cipa e bërthamës së hurmës. Nëse ju u luteni atyre ata nuk e dëgjojnë lutjen tuaj, por edhe sikur t’a dëgjonin nuk do t’ju përgjigjeshin. Në Ditën e Kiametit ata do t’a mohojnë adhurimin që u bënit atyre.” El-Fatir, 13-14.

Dhe thotë: “Thuaju (o Muhamed): Thirrini ata që i hyjnizoni krahas Allahut! Ata nuk kanë pushtet as sa pesha e një thërrmije qoftë në qiej apo në Tokë. Për ata nuk ka pjesë as në qiej e as në Tokë, dhe Allahu nuk ka asnjë ndihmës nga radhët e tyre.” Sebe, 22.  Pra, të gjithë ne besojmë se Allahu i Lartësuar, Një i vetëm, është Krijuesi i qiejve dhe Tokës, askush nuk i ka krijuar ato përveç Tij, askush nuk ka marrë pjesë në krijimin e tyre dhe askush nuk e ka ndihmuar Atë në krijimin e tyre.

[7] Ne të gjithë besojmë se Allahu i Lartësuar është i Vetmi rregullues i çështjeve. Allahu i Lartësuar thotë: “Nëse u ka goditur ndonjë plagë, edhe popullin (armik) e kanë goditur të tilla plagë. Ato ditë (fitoreje dhe humbjeje) Ne i ndërrojmë midis njerëzve.” Ali-Imran, 140. Njëherë në këtë gjendje dhe njëherë në gjendje tjetër.

[8] Ne të gjithë besojmë se fjala ‘la ilahe il lAllah’ do të thotë se nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë përveç Allahut të Lartësuar. Argument për këtë është fjala e Allahut të Madhëruar: “Kjo është kështu, sepse Allahu është e Vërteta (i vetmi që meriton të adhurohet), kurse gjithçka që adhurohet përveç Tij është e pavërtetë. Dhe pa dyshim, Allahu është më i Lartësuari dhe i Madhërishmi.” El-Haxh, 62. Pra, nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë përveç Allahut dhe se çdo gjë tjetër që adhurohet përveç Tij është e kotë (e pavërtetë). Ata që adhurojnë diellin kanë adhuruar të kotën (të pavërtetën). Ata që adhurojnë hënën kanë adhuruar të kotën (të pavërtetën). Ata që adhurojnë Profetin (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) adhurimi i tyre është i kotë. Ata që adhurojnë Isain (alejhi selam) adhurimi i tyre është i kotë. Çdo gjë që adhurohet përveç Allahut të Madhëruar adhurimi i tij është i kotë.

[9] Ne të gjithë besojmë se Allahu i Lartësuar është cilësuar me atribute të plota, pra të gjitha atributet e plota pohohen për Allahun e Lartmadhëruar. Argument është fjala e Allahut të Lartësuar: “Atyre që nuk besojnë në jetën tjetër u takon shembulli i keq (cilësitë e shëmtuara), kurse Allahut i përket shembulli më i lartë (cilësitë më të larta). Ai është i Plotfuqishmi, i Urti.” En-Nahl, 62. I Lartësuari thotë: “Atij i përket shembulli më i lartë në qiej dhe në Tokë.” Er-Rrum, 27. “El-Methelu” në ajet ka kuptimin “përshkrimi”, siç thotë i Lartësuari: “Ja përshkrimi i Xhenetit që u premtohet të përkushtuarve (ndaj Allahut); një vend ku ka lumenj me ujë të pandotur.” Muhamed, 15.

[10] Ne të gjithë besojmë se Allahu i Lartësuar është cilësuar me atribute të plota nga të gjitha anët. Ai është cilësuar se është i Gjallë, se Ai është Dëgjues, se Ai është Shikues, se Ai është i Gjithëdijshëm, se Ai është i Plutfuqishëm, se Ai është i Urtë (Hakim), se Ai është i Butë (Halim), Mirënjohës (Shekur) etj. prej atyre që Allahu i Lartësuar ka përmendur për Veten e Tij. Ne nuk mundemi të njohim në formë të hollësishme atë që Allahu ka pohuar për Veten e Tij prej atributeve, porse mundemi që t’i njohim në formë të përgjithshme. Allahu i Lartësuar patjetër është i cilësuar (përshkruar) me atribute të plota (që nuk përmbajnë asnjë mangësie), porse ne nuk mundemi t’i njohim në formë të hollësishme.

[11] Mësojeni këtë rregull dhe jetoni e vdisni në të, se: “Përgjigjja e vetme e besimtarëve kur thirren tek Allahu dhe i Dërguari i Tij që ai të gjykojë midis tyre, është “Dëgjojmë dhe bindemi”. En-Nur, 52. Dhe nuk themi: Këtë nuk e percepton dot mendja (llogjika) prandaj nuk e pranojmë. Kush je ti që mund të gjykosh për Zotin e botëve se kjo është e përshtatshme ndërsa kjo tjetra jo?!!! Rrënjoseni thellë në zemër këtë rregull, i qetësoni me të shpirtrat tuaj, jetoni me të (sipas saj) dhe vdisni në të ngase kjo është rruga e të Dërguarit të Allahut (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem), kjo është rruga e prijësve të drejtëudhëzuar dhe kjo është rruga e sahabëve dhe atyre që i pasuan me vendosmëri e përkushtim në besim.

 

“Durusun ue fetaua minel-Haramejn esh-Sherifejn”, vëll. 1.

Përktheu: Unejs Sheme

Loading...