12- Vrasja e jobesimtarit që është në besë të dikujt apo në mbrojtjen e dikujt nuk është e lejueshme. Musai (alejhi selam) u pendua nga vrasja e Kobtit Egjiptian, ndaj kërkoi fjale tek Allahu nga ky veprim dhe Ai i’a pranoi pendimin.
13- Ai që vret njerëz padrejtësisht konsiderohet kryeneç dhe prishës i rregullit në tokë, edhe nëse pretendon se me këtë synon thjesht të terrorizojë apo mendon se është duke përmirësuar. Kjo nuk i lejohet në asnjë mënyrë derisa t’i kthehet legjislacionit dhe të shohë rastet kur i lejohet diçka e tillë.
14- Të njoftosh tjetrin për gjërat që thuhen për të apo kundrejt tij në formë këshillimi nga frika e të keqes që mund t’i kanoset, e gjithë kjo nuk përfshihet tek thashethemet. Madje, ka raste kur një hap i tillë mund të bëhet detyrë, siç ishte rasti i atij njeriut që erdhi duke nxituar nga cepi i qytetit për t’i treguar Musait. Këtë veprim Kurani e tregon në formë lavdërimi.
15- Njeriu kur frikësohet nga vrasja apo dëmtimi i padrejtë kur është duke jetuar në një vend, nuk duhet t’a çojë veten drejt shkatërrimit dhe të dorëzohet para rrënimit. Përkundrazi, le të largohet nga ai vend sipas mundësive që i jepen ashtu sikurse veproi Musai (alejhi selam).
16- Nëse është e nevojshme që të kryhet njëra prej dy të këqijave, atëherë bëhet e detyrueshme të kryhet ajo që është më pak e dëmshme dhe më shumë e paqtë, për të larguar atë që është më e madhe dhe më e rrezikshme.
Tek historia e Musait, kur çështja u bë e tillë mes qëndrimit në Egjipt duke rrezikuar jetën dhe largimit për në ndonjë vend tjetër të largët që njerëzit nuk i lidhte rruga për atje. Por nga ana tjetër, ai (Musai) nuk kishte udhërrëfyes për tek ai vend përpos udhëzimit që i vinte nga Zoti. S’ka dyshim se ky hap ishte më i sigurtë për jetën e Musait, prandaj ai i dha përparësi.
17- Nga historia e Musait (alejhi selam) përfitojmë se ai që e kërkon dijen mëson diçka të hijshme. Kërkuesit të dijes që i duhet të punojë apo të flasë me këtë dije por që nuk i është qartësuar se cili nga mendimet është më i saktë, duhet që udhëzimin t’a kërkojë tek Zoti i tij. Duhet t’i lutet Allahut që t’a udhëzojë tek e drejta mes këtyre dy mendimeve, pasiqë t’a ketë synuar të vërtetën dhe të ketë hulumtuar për të. Allahu nuk e zhgënjen atë që gjendet në këtë pozitë, siç ndodhi me Musain i cili kur synoi kah Medjeni dhe nuk dinte shtegun dhe udhëzuesin për atje, tha: “Shpresoj se Zoti im do të më tregojë rrugën e drejtë!” [Kasas: 22]
18- Mëshira dhe mirësia ndaj krijesave duhet të ekzistojë, qoftë ndaj atyre që i njeh apo edhe ndaj të tjerëve që nuk i njeh. Prej moralit dhe mirësisë që gëzonin Pejgamberët ishte dhe ndihma për t’u dhënë ujë bagëtive apo ndihma ndaj të vobektëve. Kështu i ndodhi Musait me dy vajzat e plakut nga Medjeni, kur u ndihmoi për t’u dhënë ujë bagëtive të tyre në momentin kur i pa se ishin të pamundura për t’a bërë diçka të tillë pa u larguar barinjtë e tjerë.
19- Allahu i Lartësuar ashtu sikurse do që lutësi t’i kërkojë (lutet) Atij përmes emrave dhe atributeve, përmes mirësive të plota dhe të veçanta, po ashtu Ai do që robi t’i kërkojë (lutet) Atij edhe duke treguar dobësinë, paaftësinë, varfërinë dhe pamundësinë për të arritur interesat e tij, apo për të larguar dëmet nga vetja. Siç ndodhi me Musain kur u lut duke thënë: “Zoti im, çfarëdo dhuntie që të më japësh unë jam nevojtar!” [Kasas: 24]
Kjo gjendje shfaq përgjigjërimin, pamundësinë dhe nevojën e madhe për Zotin e Lartësuar, gjendje e cila përkon me çdo krijesë.
20– Jeta dhe shpërblimi ndaj mirësisë kanë qenë gjithmonë etika dhe morali i popujve të mirë.
21– Robi kur kryen një vepër të sinqërtë për Allahun dhe pastaj arrin të marrë një shpërblim të paqëllimshëm, për këtë ai nuk qortohet dhe kjo nuk e cënon aspak sinqeritetin dhe shpërblimin e tij. Si rasti i Musait i cili e pranoi shpërblimin e plakut nga Medjeni, për mirësinë që ai i kishte bërë edhe pse nuk e kërkoi dhe as që e synonte një shpërblim të tillë.
22- Lejimi i pagesës në çdo punë të njohur, me çmim dhe kohë të caktuar, dhe e gjithë kjo i kthehet traditës së atij populli. Gjithashtu, lejohet që pagesa të vijë në formë interesi siç është martesa, p.sh. si u shpreh i moshuari nga Medjeni: “Plaku tha: Unë dua të të jap për grua njërën prej këtyre dy bijave të mia.” [Kasas: 27]
Po ashtu, lejohet që vet babai të kërkojë martesën e vajzës së tij përderisa është kujdestari i saj dhe kjo nuk konsiderohet mangësi (turp). Përkundrazi, mund të jetë veprim i dobishëm dhe i përkryer siç veproi plaku nga Medjeni me Musain (alejhi selam).
Kisasul Enbija (Historitë e Pejgamberëve) nga Abdurrahman bin Nasir es Seadi (Allahu e mëshiroftë).
Përktheu: Fatjon Isufi