Dobitë e përfituara nga pjesa e fundit e hadithit të Xhibrilit

October 28, 2007

 

 

Pjesa e pestë e hadithit dhe dobitë

e nxjerra prej tij

 

Njeriu i huaj tha:Më trego kur do të ndodhë dita e gjykimit?” Profeti (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) iu përgjigj: “I pyeturi nuk posedon njohuri më shumë nga ai që pyet.” Tha:Atëherë më trego për shenjat që lajmërojnë afrimin e saj?” Tha:Do të ndodhë atëherë kur robëresha të lind zotërinë e saj dhe kur të shikosh barinjtë e varfër, të zbathur e të leckosur që bëjnë ndërtesa të larta.” Umeri tha:Më pas ky njeri u largua dhe pas një kohe të gjatë Profeti (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) më tha:A e di kush ishte ai që pyeste o Umer?” Thashë:Allahu dhe i Dërguari i Tij e njohin më mirë”. Atëherë Profeti (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) tha:Ai ishte Xhibrili, erdhi t’ju mësojë fenë tuaj.”

Nga kjo pjesë e hadithit nxjerrim këto dobi:

Dobia e parë: Ditën se kur do të ndodhë Dita e Gjykimit nuk e di askush tjetër përveç Allahut.

Allahu i Madhëruar në Librin e Tij thotë: ”S’ka dyshim se vetëm Allahu e di se kur do të ndodhë Kiameti. Ai e di kur e lëshon shiun dhe Ai di se çka në mitra. Askush nuk e di përveç Tij se çfarë mund t’i ndodhë nesër dhe se kur do të vdesë. Allahu është më i Dijshmi, më i Njohuri.” [1]

Gjithashtu thotë: ”Çelësat e fshehtësisë janë vetëm tek Ai dhe atë (fshehtësinë) nuk e di askush përveç Tij.” [2]

Një nga këta çelësa është edhe Dita e Gjykimit.

Argument për këtë është hadithi i Profetit (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) që thotë:“Çelësat e fshehtësisë janë pesë…” dhe më pas lexoi ajetin e sures Lukman: ”S’ka dyshim se vetëm Allahu….”. [3]

Dhe në një ajet tjetër Allahu i Madhëruar thotë: ”Të pyesin ty (Muhamed) për Kiametin se kur do të ndodhë. Thuaj: “Atë e di vetëm Zoti im dhe momentin e tij askush nuk mund ta zbulojë përveç Tij. Çështja e Kiametit është preokupim i rëndë në qiej dhe në tokë e ai nuk u vjen ndryshe vetëm se befas. Të pyesin, sikur ti di për të.” Thuaj: “Për të di vetëm Allahu, por shumica e njerëzve nuk e dinë (pse është e fshehtë).” [4]

Eshtë transmetuar në hadithet e Profetit (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) se Kiameti do të ndodhë ditën e xhuma. Në çfarë viti, muaji apo në cilën të xhuma të muajit, nuk e di askush tjetër përveç Allahut.

Eshtë transmetuar se Profeti (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Dita më e mirë në të cilën lind dielli është dita e xhuma. Në këtë ditë u krijua Ademi, në këtë ditë hyri në xhenet e në këtë ditë doli prej tij dhe Kiameti nuk do të ndodhë vetëm se në këtë ditë”. [5]

Ebu Daudi dhe Nesaiu e transmetojnë këtë hadith me disa shtesa dhe thonë: “Dita më e mirë në të cilën lind dielli është dita e xhuma. Në këtë ditë u krijua Ademi, në këtë ditë zbriti (nga xheneti, në tokë), në këtë ditë ka ndërruar jetë dhe në këtë ditë do të bëhet Kiameti. Nuk ka asnjë kafshë që të mos frikësohet në ditën e xhuma që nga koha kur hyn mëngjesi e deri në lindjen e diellit, nga frika se mos ndodh Kiameti, me përjashtim të njerëzve dhe xhinëve që janë të vetmit që nuk frikësohen”. [6]

Nga ky hadith kuptojmë se Kiameti do të ndodhë në mëngjesin e ditës së xhuma, akoma pa lindur dielli.

Dobia e dytë: Fjala ”Kiamet” ka raste që vjen me kuptimin e vdekjes kur t’i fryhet surit ashtu siç ka lajmëruar Profeti (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!): “Nuk do të behet Kiameti vetëm se ndaj njerëzve më të këqinj”. [7]

Çdo njeri që vdes, për të është bërë kiameti, sepse është transferuar nga vendi i punës në vendin e shpërblimit.

Ka raste të tjera ku fjala ”Kiamet” vjen me kuptimin e ringjalljes, ashtu siç thotë dhe Allahu i Madhëruar në librin e Tij: ”Ata i nënshtrohen zjarrit mëngjes e mbrëmje dhe në ditën e Kiametit u thuhet (engjëjve): “Ithtarët e Faraonit futini në dënimin më të rëndë.” [8]

Dobia e tretë: Pjesa e hadithit: ”I pyeturi nuk posedon njohuri më shumë se ai që pyet.’do të thotë se krijesat nuk e dinë se kur do të ndodhë Kiameti dhe çdo njeri që pyet apo pyetet, kurrsesi nuk e di të fshehtën e saj.

Ibën Rexhebi ka thënë: “Ky hadith do të thotë se dija e krijesave përsa i përket Ditës së Gjykimit, është e njëjtë. Allahu e ka fshehur atë dhe askush nuk e di përveç Tij.”

Dobia e katërt: Profeti (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) është pyetur shumë herë se kur do të ndodhë Kiameti dhe ai përgjigjej duke treguar disa nga shenjat që lajmërojnë afrimin e tij ose e udhëzonte pyetësin në gjëra më të dobishme se pyetja e tij.

Argument për rastin e parë është hadithi që transmeton Ebu Hurejra që thotë: “Një arab nga shkretëtira e pyeti të Dërguarin e Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!): “Kur do të ndodhë Kiameti?” Profeti (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) tha: “Kur të humbasë amaneti, atëherë prite Kiametin”.[9]

Argument për rastin e dytë është hadithi që transmeton Enesi që thotë: “Një burrë e pyeti Profetin (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) “Kur do të ndodhë Kiameti?” Profeti ((Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) iu përgjigj: “Çfarë ke përgatitur për të?” Ai tha: “Asgjë tjetër përveç dashurisë time për Allahun dhe të dërguarin e Tij”. Atëherë Profeti (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) i tha: “Ti do të jesh me ata që do”. [10]

Dobia e pestë: Te pjesa e hadithit: ”Atëherë më trego për shenjat që lajmërojnë afrimin e tij. nxjerrim se këto shenja ndahen në dy grupe:.

Në grupin e parë bëjnë pjesë ato shenja që janë shumë afër Kiametit, p.sh.: lindja e diellit nga perëndimi, dalja e dexhalit, dalja e jexhuxhëve dhe maxhuxhëve, zbritja e Isait (Paqja e Allahut qoftë mbi të!) nga qielli etj.

Në grupin e dytë bëjnë pjesë ato shenja që do të ndodhin para shenjave që përmendëm, p.sh.: këto dy shenja që përmenden në hadith.

Kuptimin i tekstit: ”Atëherë kur robëresha të lindë zotërinë e saj.” disa dijetarë e kanë komentuar me shtimin e robëreshave të luftës, të cilat lindin fëmijë nga zotërinjtë e tyre. Ato më pas bëhen nëna të fëmijëve të tyre dhe këta fëmijë bëhen sikur të ishin zotërijtë e tyre. Kjo, sepse ata fitojnë lirinë ndërsa nënat e tyre mbeten robëresha.

Disa të tjerë e kanë komentuar me ndryshimin e njerëzve aq sa fëmijët nuk i respektojnë më prindërit, por i shtypin dhe i poshtërojnë ata, duke u sjellë sikur të ishin zotërinjtë e prindërve të tyre. Me këtë mendim është edhe Ibën Haxher el Askalani.[11]

Kuptimi e tekstit: ”Kur të shikosh barinjtë e varfër, të zbathur e të leckosur që bëjnë ndërtesa të larta.” është se të varfërit (ata që nuk kanë të ardhura) dhe ata që ruajnë bagëtitë do të ndryshojnë (do të pasurohen). Ata do shpërngulen nga shkretëtirat për në qytete madje do ndërtojnë dhe pallate të larta.

Këto dy shenja që përmendëm, janë realizuar.

Dobia e gjashtë: Te pjesa e hadithit: ”Më pas ky njeri u largua dhe pas një kohe të gjatë Profeti (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) më tha: “A e di kush ishte ai që pyeste o Umer?” Thashë:Allahu dhe i Dërguari i Tij e njohin më mirë”. Atëherë Profeti (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) tha: “Ai ishte Xhibrili, erdhi t’ju mësojë fenë tuaj.” Profeti (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) i lajmëroi shokët për njeriun e huaj menjëhere pas largimit të tij. Ndërsa Umerin (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) thuhet se e ka lajmëruar pas tre ditëve. Kjo që përmendëm nuk bie në kundërshtim me hadithin, sepse kur Profeti (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) u tregoi shokëve që ishin të ulur aty, Umeri (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) nuk ishte me ta, por ishte larguar menjëherë. Ai e takoi Profetin (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) pas tre ditëve dhe atëherë ai i tregoi se kush ishte njeriu i huaj që e kishte pyetur.

Dobia e shtatë: Profeti (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) gjithmonë i pyeste shokët gjatë bisedave me ta, me qëllim që t’i bënte më të vëmendshëm. Ata gjithmonë i përgjigjeshin: Allahu dhe i Dërguari i Tij e dinë më mirë; dhe pas kësaj Profeti (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ua tregonte përgjigjen.

Këtë metodë ai e përdorte me të gjithë sahabët. Eshtë transmetuar nga Muadh Ibën Xhebeli se Profeti (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) e ka pyetur: “Kush është e drejta e Allahut ndaj robit të Tij dhe e drejta e robit ndaj Allahut? Muadhi u përgjigj: “Allahu dhe i Dërguari i Tij e dinë më mire.” [12]

Pra lejohet për atë që pyetet dhe nuk e di përgjigjen të thotë: ”Nuk e di” ose ”Allahu e di më së miri”, sepse këto fjalë vlejnë për çdo pyetje. Nuk duhet thënë: “Allahu dhe i Dërguari i Tij e dinë më mirë”, sepse kjo nuk është e përshtatshme për t’iu përgjigjur çdo pyetjeje.

Nëse të pyesin: “Kur do të ndodhë Kiameti?” është obligim të thuash: “Allahu e di dhe askush tjetër përveç Tij”.

Profeti (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) nuk e di se kur do të ndodhë Kiameti dhe as çfarë do ndodhë me umetin pas vdekjes së tij. Argument për këtë është hadithi që transmeton ibën Mesudi (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) se Profeti (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Unë do ju pres te burimi im, por disa nga ju do i pengojnë (engjëjt) dhe nuk do t’i afrohen. Atëherë unë do të them: “O Zoti im! Ata janë shokët e mi.” Do më thuhet: “Ti nuk e di çfarë kanë bërë ata pas teje (vdekjes tënde)”. [13]

Njerëzit që përmenden në hadith (që nuk do lejohen të pijnë prej haudit) janë ata që tradhëtuan fenë pas vdekjes së Proftit (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!). Ata u luftuan dhe u vranë nga duart e ushtrive muslimane, komandant i të cilave ishte prijësi i besimtarëve Ebu Bekri (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!).

Këtu përfundon edhe sqarimi i këtij hadithi madhështor, duke e lutur Allahun të na e pranojë këtë punë. Amin!

Falenderimet i takojnë vetëm Allahut, paqja dhe lavdërimet e Allahut qofshin për të Dërguarin, shokët dhe familjen e tij.

 

Shkëputur nga libri: “Erdhi t’ju mësojë fenë tuaj” f.: 100-1006

Autor Abdulmuhsin Abad

Përktheu Fatjon Çorapi


[1] Suretu Lukman, 34.

[2] Suretu Enam, 59.

[3] Transmeton Buhariu, nr. 4778 nga Abdullah ibën Omeri.

[4] Sutetu Araf, 187.

[5] Transmeton Muslimi, nr.854.

[6] Transmeton Ebu Daudi, nr. 1046 dhe Nesaiu me nr. 1430. Hadithi është i saktë.

[7] Transmeton Muslimi, nr. 2949.

[8] Suretu Gafir, 46.

[9] Transmeton Buhariu, nr. 59.

[10] Transmeton Buhariu, nr. 3688 dhe Muslimi, nr. 2639.

[11] Fethul Bari, vëll. I, f. 123.

[12] Transmeton Buhariu, nr. 2856 dhe Muslimi, nr. 48.

[13] Transmeton Buhariu nga Ibën Mesudi, nr. 6576.

Dosje:

Loading...