Duaja është ilaç

Duaja është ilaç!

Duaja (lutja) është prej ilaçeve më të dobishme. Ajo parandalon fatkeqësitë, i mënjanon dhe i lehtëson në rast se ato ndodhin. Dua’ja është arma e muslimanit.

Këtë fakt e mbështet edhe Hakimi në librin e tij të saktë[1] me anën e një hadithi të transmetuar nga Ali Bin Ebi Talibi, sipas të cilit i Dërguari i Allahut (alejhi selam) ka thënë: “Duaja është arma e muslimanit, shtylla e fesë dhe drita e tokës dhe e qiejve.”

Në rastet e fatkeqësive, dua’ja kalon në tri situata:

E para: Kur tregohet më e fortë se fatkeqësia dhe e largon atë.

E dyta: Kur tregohet më e dobët se fatkeqësia, por arrin ta dobësojë këtë të fundit.

E treta: Kur Duaja i bën ballë fatkeqësisë dhe anasjelltas. Si rrjedhojë, të dyja luftojnë njëra-tjetrën.

Në librin e saktë [2] të El-Hakimit transmetohet nga Aishja (radijallahu anha) se Profeti (alejhi selam) ka thënë:  “Paralajmërimi nuk i bën dobi paracaktimit (kaderit) të Allahut, por duaja bën dobi për atë që ka ndodhur apo që nuk ka ndodhur. Në të vërtetë, kur fatkeqësia zbret atë e pengon dua’a, e kështu ato luftojnë njëra-tjetrën deri  në ditën e gjykimit.”

Gjithashtu, Ibn Umeri transmeton[3] se i Dërguari i Allahut (alejhi selam) ka thënë: “Duaja sjell dobi për atë (fatkeqësi) që ka ndodhur dhe për atë që nuk ka ndodhur. Pra, bëni dua o robër të Allahut!”                                                                                              

Transmetohet[4] nga Theubani se i Dërguari i Allahut (alejhi selam) ka thënë: “Kaderin nuk e kthen gjë tjetër veç duasë dhe jetën nuk e shton gjë tjetër veç mirësisë. Me të vërtetë, njeriut i privohet furnizimi për një gjynah që ka bërë.”

—————————————————–

[1] Në librin “El-Mustdrek”, dhe të quajturit e tij me emrin “I sakti” është një teprim.

[2] (1/492) dhe thotë se zinxhiri i transmetimit të tij është i saktë. Dhehebiu thotë: “Për dobësinë e Zekerijas është rënë dakord unanimisht. Hadithi transmetohet nga Taberiu në librat “El-Eusat” (4615) dhe “Ed-Dua”(23). Gjithashtu transmetohet edhe nga El-Berazi (29/3), El-Hatibi në “Historikun” e tij (453/8) dhe Ibnl Xheuzi në “El-Uehebat” (1411). Sipas këtij të fundit, hadithi është i dobët. Edhe El-Hejthemi thotë se ky hadith është i dobët. Në krah të hadithit qëndron transmetimi i Ahmedit (234/5), El-Taberiut në librin e tij “El-Kebir” (86/20) dhe El-Kudait (862). Kurse, në librin e tij “Sahihul Xhamiul Kebir” autori e ka konsideruar këtë hadith si hasen.

[3] “El-Mustedrek” (1/493) dhe e ka bërë të dobët  Edh-Dhehebiu  te “Përmbledhja” e tij. Gjithashtu, ky hadith transmetohet edhe nga Tirmidhiu i cili thotë se ky hadith është i dobët.

Them: Hadithin e mbështet ajo që përmendëm më parë. Autori e ka bërë hasen në librin “Sahihul Xhamiul Kebir” (3409).

[4] “El-Mustedrek” (1/493). Këtë hadith e konsiderojnë si të dobët edhe Edh-Dhehebiu dhe Et-Tirmidhiu.

Them: Përkrah tij dëshmon ajo që u përmend me parë. Në librin “Sahihul Xhami” (3409) Albani e ka konsideruar hadith hasen.

Titulli i librit në shqip: “Sëmundja dhe Ilaçi”.

Autori: Ibn Kajjim el Xheuzije (751 h).