Shkaqet e përqëndrimit në fe – shkaku i dytë –

July 29, 2017

Shkaku i dytë: Ndjekja e sunetit të Profetit sal-lAllahu alejhi ve sel-lem.

Nga kjo kuptojmë qartë një shkak të dytë të përqëndrimit në fenë e Allahut të përmendur në këtë tekst madhështor, dhe që siguron vazhdimësinë e ecjes në këtë rrugë të drejtë, në fenë që Allahu ka zgjedhur për ty dhe të ka udhëzuar me mirësinë e Tij të madhe. Ai është suneti i Profetit sl-lAllahu alejhi ve sel-lem, sepse Abdullah ibën Mesudi radijallahu anhu thotë qartë duke na paralajmëruar të gjithëve: “Dhe sikur ta linit sunetin e Profetit tuaj, do të kishit humbur.” Lënia e sunetit është shkak për devijimin nga kjo rrugë e drejtë, prandaj ruaju prej kësaj. Dhe e kundërta sjell të kundërtën. Nëse e zbaton sunetin e Profetit tënd sal-lAllahu alejhi ve sel-lem, do të jesh i udhëzuar. Praktikimi i sunetit e bën të domosdoshëm paraprakisht njohjen e tij. Kështu çështja kthehet tek dituria dhe puna me të, dituri me të cilën duhet të njohësh sunetin e saktë profetik larg shpikjeve, larg risive dhe gjërave të futura në të por që s’janë prej tij. Së dyti: Të punosh me atë dituri që ke mësuar prej sunetit dhe ta praktikosh në jetë atë sa të mundesh. Kjo të siguron vazhdimësinë dhe qëndrueshmërinë në fenë e Allahut si dhe të përforcon këmbët në këtë rrugë të drejtë. Prandaj, jeta jote le të jetë sipas këtij parimi thelbësor.

Shejh Uthejmini, Allahu e mëshiroftë, në vijim të shpjegimit të tij thotë: “Dhe ato (pesë namazet të falura me xhemat në xhami) janë prej rrugëve të udhëzimit.” Të vërtetën ka thënë, madje pesë namazet janë shkaqet më të mëdha të udhëzimit pas dy dëshmive, sepse namazi është shtylla më madhore e Islamit pas dy dëshmive. Pastaj tha: “Sikur të faleshit në shtëpitë tuaja ashtu siç falet ai që qëndron pas e falet në shtëpinë e tij, do të kishit lënë sunetin e Profetit tuaj, E sikur ju ta linit sunetin e Profetit tuaj, do të humbisnit.”

D.m.th. sikur çdokush të falej në shtëpinë e tij ashtu siç falet ai që mbetet pas dhe falet në shtëpinë e vet, kësisoj do të kishim braktisur sunetin dhe xhamitë do mbeteshin shkretë. Njerëzit do shkëputeshin nga njëri-tjetri, nuk do njiheshin dhe nuk do afroheshin me njëri-tjetrin, si dhe nuk do ndodhte kjo pamje madhështore në fenë Islame. Nga mëshira e Allahut dhe urtësia e Tij është se Ai ka ligjëruar për robërit faljen bashkarisht pesë herë çdo ditë. E takon vëllanë tënd dhe e përshëndet atë me paqe e ai të përshëndet me paqe, e të dy bashkë pasoni të njëjtin imam (prijës, drejtues të faljes). Kjo është një mirësi madhështore dhe prej lidhjeve më të mëdha të vëllazërisë dhe dashurisë.[1]

Pastaj tha: “Po të na shikoje do vëreje se nuk mungonte prej tij (prej namazit me xhemat në xhami) askush përveç ndonjë hipokriti.” Hipokritët janë të shumtë sidomos kur islami ngrihet, krenohet e forcohet, sepse në këtë rast njeriu nuk ka mundësi ta shfaq haptas mohimin e tij. Për këtë arsye, nuk u shfaq hipokrizia në kohën e Profetit sal-lAllahu alejhi ve sel-lem veçse pasi fituan muslimanët në betejën e Bedrit. Kur muslimanët fituan betejën e Bedrit në vitin e dytë pas emigrimit, atëherë filloi të shfaqet hipokrizia. Jobesimtarët u frikësuan dhe filluan të hiqeshin si muslimanë, aq sa vinin tek i Dërguari sal-lAllahu alejhi e sel-lem dhe i thoshin: “Dëshmojmë se ti je i Dërguari i Allahut.” Allahu i Lartmadhëruar u thotë: “Allahu e di se ti je i Dërguari i Tij, por Allahu dëshmon se hipokritët janë gënjeshtarë!” | El Munafikun: 1.

Ata nuk thanë të vërtetën, por: “Ata thonë me gojët e tyre atë që nuk e kanë në zemrat e tyre.” | El Fet’h: 11.

Ibën Mesudi thotë: “Nuk mungonte prej tij veçse një hipokrit.” Përse mungon prej tij hipokriti? Sepse ai nuk shpreson shpërblim e as nuk beson tek llogaridhënia, prandaj nuk merr pjesë në namazin me xhemat. Për këtë arsye i Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Namazi më i rëndë për hipokritët është darka (jacia) dhe mëngjesi (sabahu).” Tek namazi i jacisë nuk vërehet kush mungoi, sepse në kohën e Profetit sal-lAllahu alejhi ve sel-lem nuk kishte energji elektrike (rrymë) e as ndriçim, prandaj kush të donte mungonte dhe nuk dallohej. Namazi i jacisë dhe i sabahut vijnë në dy kohë rehatie dhe gjumi, prandaj ato janë të rënda për hipokritët dhe ata mungojnë prej tyre. E sikur ta dinin se çka në to (shpërblimin e madh të tyre) do të vinin qoftë dhe duke u tërhequr zvarrë (siç ka ardhur në një hadith të saktë).

Pastaj përmendi se; ndonjërin prej muslimanëve e sillnin duke e mbajtur prej krahëve dy burra derisa e vendosnin në rresht (saf). Ishte njeri i sëmurë, nuk kishte mundësi të ecte vet, e mbanin nga dy anët, ecnin dalëngadalë me të, derisa e vendosnin në rresht dhe falej me xhematin. Allahu qoftë i kënaqur prej tyre! Me këto vepra dhe të tjera ata e sunduan lindjen dhe  perëndimin. E kur umeti islam mbeti pas dhe zemrat e tyre u përçanë, u bënë kështu siç i shikoni; një umet i nënçmuar edhe pse ata arrijnë një miljard! (Kaq ka qenë në kohën e shejh Uthejminit, ndërsa sot llogariten afërsisht një miljard e gjysëm!) Megjithatë, ata janë prej pupujve më të nënçmuar sepse janë të përçarë! Madje disa prej tyre janë të armiqësuar mes veti. Dikush prej tyre mendon për tjetrin se është më i rrezikshëm për të sesa jehudët dhe të krishterët, Allahu na ruajt! Ata janë të përçarë! (Sh.p. Shiko poshtëshënimin me nr.1.) Në kohën e Profetit sal-lAllahu alejhi ve sel-lem nuk bënte vaki të mungonte nga namazi me xhemat askush, edhe nëse ishte i sëmurë. E sillnin për krahësh dy burra derisa e vendosnin në saf.

Sikur të ktheheshim ashtu siç ishin sahabët do të bëheshim një umet krenar, të dalluar, të gjithë do të frikësoheshin prej tij, të gjithë e lajkatonin dhe i serviloseshin dhe përpiqeshin të fitonin dashurinë e tij. E lus Allahun të na rikthejë lavdinë dhe të na rikthejë krenarinë që kemi pasur! Me të vërtetë, Ai është i Plotfuqishëm për gjithçka!”[2]

 

Shkroi: Emin Bilali

———————————————————–

[1] Sh.p.: Medito rreth këtyre fjalëve të shejhut dhe kupto sesa shkatërrim të madh kanë sjellë në fenë tonë ata që nuk e përhapin selamin, me pretendimin mizor dhe shpifës se ti nuk je prej pasuesve të sunetit! E nëse e përhapin selamin e bëjnë atë me fytyra të vrenjtura ndaj vëllezërve të tyre. Nuk ia japin hakun kësaj përshëndetjeje të paqes e cila është përshëndetja e engjëjve dhe e banorëve të Xhenetit, as nuk i ndihmojnë vëllezërit e tyre e as ua zgjidhin hallet, por përkundrazi ua shtojnë brengat. Për fat të keq i kanë shndërruar vendet më të paqta të tokës (shtëpitë e Allahut) nga vende të vëllazërimit, bashkimit, këshillimit, dashjes së të mirës reciproke ku mësohet suneti, në vende ku mësohet gibeti, ku takon armiq të cilët janë armiqtë e tu vetëm pse ti nuk pason verbërisht pa pasur asnjë alternativë tjetër filan fetva apo filan shejh. Nëse largohesh prej diturisë dhe i mbyll sytë do të arrish në këtë diktaturë.

Ka kuptuar prej sunetit (dhe ajo vërtetë është sunet) se duhet ta bashkojë këmbën me ty në namaz, dhe atë madje sa më fort saqë ndonjëherë të bezdis shtrëngimi i fortë tek këmba dhe e ke mendjen tek ai e jo tek namazi. Por nuk ka kuptuar akoma përse është ligjëruar ky veprim dhe që është bashkimi i zemrave, siç ka thënë i Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ve sel-lem: “Bashkohuni dhe mos u përçani e të përçahen zemrat tuaja.” E ngjesh këmbën e tij te këmba jote për të mos lejuar shejtanin të na përçajë, por në zemrën e tij të urren dhe beson se ti je (minimumi) i kërcënuar me zjarrin e xhehenemit. Përse?! Sepse ti s’je pjesëtar i bandës së tij. Kësisoj i shikon muslimanët të falen me rreshta të drejtuara e të sistemuara, me këmbët dhe me supet e bashkuara, por zemrat e tyre janë ashtu siç thotë Allahu i Madhëruar: “Armiqësia mes tyre është e ashpër; i mendon ata të bashkuar por zemrat e tyre janë të përçara. Kjo për shkak se ata janë njerëz që nuk logjikojnë.” Po, pasha Allahun! Sa pak kuptojnë nga feja e Allahut e cila ka ardhur për t’i bashkuar njerëzit, e kjo është edhe një prej synimeve më madhore të fesë Islame. Por kush e kupton këtë?! Allahu me mëshirën e Tij të madhe e largoftë prej nesh këtë sprovë sa më shpejt!

[2] Shiko “Rijadus-salihin” me shpjegim të shejh Uthejminit, Allahu e mëshiroftë. Hadithi me nr. 1069.

Dosje:

Loading...