A e prish abdesin prekja e vetes?

July 16, 2017

A e prish abdesin prekja e vetes?

Transmetohet nga Talk bin Aliu (radijAllahu anhu) se ka thënë: Një burrë tha: Preka organin tim gjinital, – ose ka thënë: Personi që prek organin e tij gjenital në namaz, a e ka detyrë të marrë abdes? Profeti (sal-lallahu alejhi ue sel-lem) tha: “Ai është pjesë e jotja.” Hadithin e ka konsideruar autentik Ibën Hibani. Ibën el-Medinij ka thënë: Ky hadith është më i saktë se hadithi i Busras.

Transmetohet nga Busrah bintu Safvan (radijAllahu anha) se i Dërguari i Allahut (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) ka thënë: “Ai që e prek organin e tij gjenital duhet të marrë abdes.” Hadithin e ka konsideruar autentik Tirmidhiu dhe Ibën Hibani. Buhariu ka thënë: Ky është hadithi më i saktë në këtë temë.

Shejh Salih el-Feuzani (Allahu e ruajt) ka thënë: Të dyja këto hadithe nga konsteksti i jashtëm bien në kontradit me njëra-tjetrën, ngase hadithi i Talk bin Ali (radijAllahu anhu) tregon se prekja e organit gjenital nuk e prish abdesin. Ndërsa hadithi i Busras (radijAllahu anha) tregon se ajo (prekja) e prish abdesin. Nisur nga kjo, dijetarët janë kundërshtuar për këtë çështje në dy fjalë:

Fjala e parë: Prekja e organit gjinital nuk e prish abdesin. Duke punuar me hadithin e Talk bin Aliut (radijAllahu anhu) dhe ajo është fjala e tij (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem): “Ai është pjesë e jotja.” Ky është medh’hebi hanefi dhe një transmetim nga imam Ahmedi. Shih “El-Mebsut” (1/66) dhe “El-Mugnij” (1/241). Ashtu siç nuk prishet (abdesi) kur njeriu prek dorën e tij, këmbën ose fytyrën, po ashtu abdesi nuk prishet kur ai prek organin e tij.

Kanë thënë: Ky është më i saktë se hadithi i Busras dhe punohet me të.

Fjala e dytë: Prekja e organit gjenital e prish abdesin duke punuar (bazuar) me hadithin e Busras (radijAllahu anha). Dijetarët e kësaj fjalë janë përgjigjur për hadithin e Talk bin Ali (radijAllahu anhu) -edhe pse është autentik- se ky gjykim supozohet të ketë qenë në fillim të islamit e më pas e abrogoi (shfuqizoi) hadithi i Busras. Talk bin Ali ka shkuar në Medine (bëri hixhret) para se të ndërtohej xhamia e të Dërguarit të Allahut (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem), ndërsa hadithi i Busras është më i vonshëm se ai i Talk bin Ali. Nëse dy hadithe bien në kontradit me njëri-tjetrin -duke qenë të dy të saktë- dhe nuk ekziston mundësia që të bashkohet mes tyre, në këtë rast hadithi që është më i vonshëm e shfuqizon të parin (të hershmin). Kështu që hadithi i Busras (radijAllahu anha) është abrogues (shfuqizues) i hadithit të Talk bin Ali (radijAllahu anhu).

Prej dijetarëve ka të tillë që kanë bashkuar mes dy haditheve duke thënë: Hadithi i Talk bin Ali bën fjalë për atë që e prek organin e tij mbi rrobat e tij (e jo direkt), ndërsa hadithi i Busras (radijAllahu anhu) ka të bëjë me atë që e prek direkt (pa pengesë) organin e tij. Bazuar në një transmetim tjetër ku thuhet: “Kush e çon dorën te organi i tij (kush e prek atë) le të marrë abdes.” D.m.th. e prek direkt pa pasur ndonjë pengesë (rrobe). Përgjigja që është para saj është më e mirë (më e saktë). Pra, hadithi i Talk bin Ali (radijAllahu anhu) ka të bëjë me gjykimin që ka qenë në fillim të islamit e më pas e abrogoi atë hadithi i Busras (radijAllahu anha). Kjo është fjala më e saktë.

Shkëputur me shkurtime nga “Tes’hilul ilmam bifik’hil ehadith min bulug el-meram” vëll. 1.

Përktheu: Unejs Sheme

Loading...