E shikoj botën me sytë e tu!

Si rrallë herë në atë orë, mëngjesi i asaj dite më gjeti në stacion duke pritur trenin për një udhëtim të papritur që më kishte dalë. Gjatë kësaj kohe – ku qëndroja i ulur mbi valixhe – heshtjen m’a theu një vogëlush i cili me vete kishte një qese të vogël të mbushur me lodra. Pa u menduar shumë m’u drejtua:

Më falni! Ku mund ta gjej trenin për një botë më të mirë?

E ngrita kokën i çuditur dhe shikimi im i habitur u drejtua nga pyetësi i vogël, dhe si me gjysëm zëri i thashë:

“Si… çfarë…?! Vogëlush… për cilën botë e ke fjalën?!

Më tha: Botën për të cilën më ka treguar gjyshi im.

– Një botë në të cilën njerëzit janë ende njerëzorë dhe e duan njëri-tjetrin,

– Një botë në të cilën zemrat janë të pastra dhe të boshatisura nga zilia, urrejtja dhe smira.

– Një botë në të cilën fqinjët e duan dhe e ndihmojnë njëri-tejtrin.

– Një botë në të cilën mikun e ke përherë në ndihmë në rast nevoje.

– Një botë në të cilën ai që jep gëzohet më shumë se sa ai që merr.

– Një botë ku jeta vlerësohet më shumë se çdo gjë.

– Një botë ku gëzohesh me gëzimin e tjetrit dhe pikëllohesh me fatkeqësinë e tij.

– Një botë ku atë që do për veten dhe familjen tënde e do dhe e shpreson për të tjerët.

– Një botë ku vendin e fjalëve e zënë veprat.

– Një botë ku e duan të mirën dhe e urrejnë të keqen.

– Një botë ku buzëqeshja të dhurohet me pastërti.

– Një botë…

Ndalu pak – e ndëpreva vrullin e fjalëve të djaloshit.

Më fal vogëlush!

Stacioni i fundit i trenit të asaj bote që ti përmende ishte mendja dhe zemra e gjyshit tënd.

Tani ishte vogëlushi ai që po më shihte me habi, ku shkëlqimi i syve të tij sikur thonte: “Vallë, a më kuptove çfarë thashë?!”

Pastaj… heshtje… dhe secili mori rrugën drejt botës së tij.

“E shikoj botën me sytë e tu!”

Unejs Sheme