Edukata e kërkimit të dijes dhe durimi ndaj mësuesit

January 9, 2026

Imam Nesaiu kujdesej shumë për pamjen e tij të jashtme, saqë disa e akuzonin (gabimisht) për luks apo mendjemadhësi. Ndërsa Harith bin Miskin ishte një imam dhe transmetues i besueshëm, por ai kërkonte pagesë për transmetimin e haditheve.

Kur Nesaiu shkoi në mexhlisin e tij mësimor, Harithi i kërkoi një pagesë (ndoshta të lartë) dhe Nesaiu nuk pranoi. Kështu, Nesaiu fshihej pas një shtylle të xhamisë për të dëgjuar hadithet pa e parë shejhu dhe pa paguar.

Për shkak se mësuesi nuk e kishte synim drejtpërdrejt atë (pasi e kishte dëbuar nga mësimi), Nesaiu kur transmetonte prej tij e fshinte formulën e zakonshme ‘na tregoi’ ose ‘na njoftoi’ (hadethena/ahberana), që të mos thoshte diçka që nuk ishte plotësisht realitet.

Edhe pse shumica e dijetarëve e lejojnë këtë formulë edhe nëse mësuesi nuk e sheh nxënësin, Nesaiu prej devotshmërisë së tij të lartë e shmangu atë. Megjithatë, duke qenë se Harith bin Miskin ishte shumë i besueshëm, Nesaiu nuk pranoi ta humbiste dijen e tij.

Sot nëse një nxënësi i ndodh problemi më i vogël me mësuesin, ai e braktis mësimin. Mjafton që mësuesi të mos e presë gazmueshëm dhe nxënësi largohet prej mendjemadhësisë. Mos të flasim pastaj nëse mësuesi e kritikon apo thotë një fjalë që i bën të tjerët të qeshin, nxënësit e sotëm nuk e durojnë këtë. Ndërkohë, edukata e kërkimit të dijes dikton që nxënësi të bëjë durim ndaj rreptësisë së mësuesit.

Disa mësues e përdorin rreptësinë si metodë edukimi. Një shejh kishte një rreth mësimor shumë të madh ku lexoheshin afërsisht 20 libra në një seancë. Ai vuri re një nxënës të ri i cili ishte martuar rishtaz dhe vonohej. Ky nxënës falej në një xhami afër shtëpisë dhe vinte 15 minuta me vonesë, ndërsa të tjerët faleshin me shejhun. Ditën e parë dhe të dytë shejhu e la të lexonte kur i erdhi radha, por ditën e tretë sapo i erdhi radha këtij nxënësi, shejhu u ngrit dhe e la. Kjo ishte një metodë edukimi; si mund të vinte ai me vonesë kur mësuesi dhe nxënësit e tjerë ishin aty që para agimit? Dija nuk barazohet me asgjë tjetër.

Me keqardhje themi se shumë nxënës sot vijnë në mësim si me zor. Disa madje e lënë librin në xhami dhe nuk e hapin derisa vijnë në mësimin tjetër, njerëz të tillë rrallëherë kanë sukses. Kjo çështje kërkon seriozitet. Nxënësi duhet të durojë rreptësinë e mësuesit, ashtu si i sëmuri duron mjekun që të shërohet.

Nga ana tjetër, mësuesi duhet t’i mirëpresë nxënësit, t’i trajtojë mirë dhe të jetë i drejtë mes tyre. Nëse mësuesi vlerëson një nxënës më të zgjuar apo përsërit mësimin për një nxënës që kupton më ngadalë, nuk ka problem.

Nxënësi duhet t’i kurojë sëmundjet e zemrës si xhelozia, nëse mësuesi i kushton vëmendje dikujt tjetër. Këto gjëra shkaktojnë largimin e shumë njerëzve nga dija. Nxënësi duhet të ketë durim, ndërsa mësuesi duhet të jetë i drejtë sa të mundet dhe ta trajtojë secilin sipas asaj që meriton.

 

Autor: AbdulKerim el Hudajr

Përshtati: Fatjon Isufi

Dosje: ,

Loading...