Allahu i Madhëruar ka thënë:
“Është Ai që u solli të analfabetëve një të dërguar nga gjiri i tyre, për t’u lexuar atyre shpalljet e Tij, për t’i pastruar e për t’u mësuar librin dhe urtësinë, ndonëse ata më parë ishin vërtet në humbje të plotë.”
| Surja Xhumuah: 2 |
Gjithashtu ka thënë:
“Ju jeni populli më i mirë i dalë për njerëzimin: (sepse) ju urdhëroni që të bëhen vepra të mira, i ndaloni të këqijat dhe besoni Allahun.”
| Surja Ali Imran: 110 |
Transmetohet nga Ebu Hurejra – Allahu qoftë i kënaqur me të – se i Dërguari i Allahut – sal-lAllahu alejhi ue sel-lem – ka thënë:
“Kush thërret për në udhëzim ka shpërblimin e atyre që e veprojnë atë, duke mos u pakësuar asgjë nga shpërblimet e tyre. E kush thërret për në humbje ka mëkatin e atyre që e veprojnë atë, duke mos u pakësuar asgjë nga mëkatet e tyre.” Transmeton Muslimi 2674 dhe Ibn Maxheh 194.
Transmetohet nga Ebu Umame El-Behilij – Allahu qoftë i kënaqur me të – se i Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë:
“Me të vërtetë që Allahu e lavdëron atë i cili ua mëson njerëzve të mirën, dhe gjithashtu ëngjëjt, banorët e qiellit e të tokës, deri edhe milingona në vendin ku jeton luten për të.” Transmeton Tirmidhiu dhe ka thënë se hadithi është i mirë me nr. 2685. Gjithashtu e ka saktësuar shejh Albani në “Sahihut-Tergijb” 1/36 dhe në “Sahihul-Xhemi” 1883.
Shpjegimi:
T’iu mësosh njerëzve të mirën dhe t’i thërrasësh drejt saj është vepra e pejgamberëve per hir të së cilës i dërgoi Allahu. Kjo është detyra më prestigjoze dhe më madhështore. Allahu zgjodhi për këtë detyrë krijesat më të nderuara. Atij të cilit ia mundëson Allahu që të eci në rrugën e tyre në mësimin e njerëzve fenë e tyre dhe drejtimin drejt së mirës, ai ka arritur të mira të shumta. Kjo vjen si shkak se përhapja e dijes, urdhërimi për të mirë e ndalimi nga e keqja konsiderohen prej punëve të mira, dhe gjithashtu se me anë të kësaj vepre i ngrihet argumenti njerëzve.
Dobitë:
- T’iu mësosh njerëzve të mirën dhe t’i edukosh ata është prej veprave të pejgamberëve.
- Vlera dhe pozita e edukimit dhe mësimit të njerëzve për çështjet e fesë së tyre, gjë e cila vjen si rrjedhojë se ai i mëson dikujt apo fton për në udhëzim, do ta ketë shpërblimin ashtu siç e kanë ata të cilët e veprojnë atë.
- Shpërblimi i madh i atij që u mëson njerëzve të mirën, gjë e cila vjen si pasojë se Allahu i Madhëruar e lavdëron atë dhe banorët e qiejve e të tokës kërkojnë falje për të. Kjo ndodh si rezultat që shihet prej përhapjes së dijes.
- Pozita e thirrjes për të tek Allahu dhe urdhërimit për mirë e ndalimin nga e keqja.
Përktheu: Ardit Ulqinaku
Të Ngjashme
- Çfarë është ndërmjetësimi i mirë? Udha e Besimtarëve
- Këshillë për qëndrueshmëri dhe pendim Udha e Besimtarëve
- Nuk arrihet dituria me rehatinë e trupit Udha e Besimtarëve
- Nuk është domosdoshmëri Udha e Besimtarëve
- Pse njerëzit tregohen të painteresuar nga kërkimi i dijes së dobishme? Udha e Besimtarëve