Edukimi i fëmijëve sipas udhëzimeve profetike

August 13, 2015

Një nga sfidat më të vështira me të cilat prindi ndeshet sot është edukimi i fëmijës.

Them se para se të edukohet fëmija duhet të jetë vet prindi i edukuar. Në ç’kuptim? Ai duhet të jetë i kapur pas fesë së Allahut dhe të mos dojë për vete dhe fëmijën e tij vetëm se atë që e kënaq Allahun. Njëri nga selefët i ka thënë një prindi: “Lë të jetë ndreqja e parë e fëmijës tënd ndreqja e vetes tënde, sepse gabimet e tyre (fëmijëve) janë të lidhura me gabimin tënd. Më e mira punë e tyre është ajo që vepron ti dhe më e shëmtuara është ajo që lë ti.”

Pasi i rrituri është përqëndruar në fenë e Zotit ai duhet të ketë një objektiv të qartë në edukimin e pasardhësve. Kjo nuk duhet të jetë për të kënaqur pasionin e vet prindit, për të kënaqur njerëzit apo për t’u krenuar me fëmijën para tyre, por për të fituar dashurinë, rahmetin dhe kënaqësinë e Allahut të Madhëruar, Krijuesit të të dyve. Kjo kënaqësi nuk arrihet vetëm se me ndjekjen e udhëzimeve të mësuesit dhe edukatorit të mbarë njerëzimit, profetit Muhamed, paqja dhe mëshira e Zotit qofshin mbi të.

Po sjell disa momente nga koha e Profetit alejhis selam ku ai mëson dhe këshillon fëmijët, mësime të thjeshta dhe të bukura që ndihmojnë shumë.

1- Historia e Profetit alejhis selam me Ebu Umejrin.

A e njihni Ebu Umejrin? Ai është një djalë i vogël jo më shumë se tre vjeç, vëllai i sahabiut të nderuar Enes bin Malik. Një ditë Profeti alejhi selam shkoi të vizitojë shokun e tij Enes bin Malik në shtëpinë e tij. Aty ai pa një fëmijë të vogël ulur në tokë që në prehër mbante një zog të vogël të sëmurë, dhe nga sytë po i rridhnin lotët rrëke nga mërzia për zogun. Profeti alejhis selam iu afrua atij, e përqafoi dhe i tha: “O Ebu Umejr, çfarë bëri Nugajri?” Nugajri ishte zogu i vogël ndaj fëmija buzëqeshi.

Pas disa ditësh erdhi përsëri Profeti alejhis selam tek Ebu Umejri dhe trokiti në derë. Enesi, radija Allahu anhu, i hapi derën dhe Profeti u fut brenda. Ai menjëherë u drejtua tek Ebu Umejri (fëmija  i vogël) dhe e pyeti me butësi: “O Ebu Umejr, si është Nugajri?” Fëmija iu hodh në qafë Profetit alejhi selam duke qarë dhe i tha: Ngordhi Nugajri, ngordhi!”

Mësime që nxirren nga kjo histori:

  • Fëmija pasi merr dashuri fillon ta reflektojë atë, dhe kjo si me njerëzit edhe me kafshët. Nuk ka më të mëshirshëm për kafshët sesa fëmijët e kësaj moshe.
  • Kur Profeti alejhis selam e thirri atë me pseudonimin Ebu Umejr dhe e pyeti për zogun, ai buzëqeshi. Pse? Sepse Profeti alejhi selam e thirri me pseudinimin Ebu Umejr siç thirren të mëdhenjtë. Gjithashtu se Profeti alejhi selam e pyeti për zogun ndërkohë që nuk e kishte pyetur njeri para tij.
  • Respekti dhe vëmendja ndaj të vegjëlve ndikon në formimin e personalitetit të tyre në një moshë të vogël.

 

2- Këshillat e Profetit alejhi selam birit të xhaxhait të tij, Abdullah bin Abasit.

Një ditë Profeti alejhi selam kishte hipur mbi mushkë dhe pas tij kishte hipur djali i xhaxhait të tij Abdullah bin Abasi, Allahu qoftë i kënaqur me të. Ai asokohe ishte djalë i vogël jo më shumë se dhjetë vjeç. Profeti alejhi selam i tha atij: “O djalosh, do të mësoj disa fjalë: Ruaje Allahun të të ruaj Ai ty. Ruaje Allahun që ta gjesh para vetes. Nëse kërkon (diçka) kërkoje prej Allahut, e nëse kërkon ndihmë kërko prej Allahut. Dhe dije se nëse të gjithë njerëzit mblidhen për të të bërë dobi për ndonjë gjë, nuk do të bëjnë dobi me diçka vetëm se me atë që ta ka shkruar Allahu. Dhe sikur të mblidhen për të të bërë dëm, nuk do të të bëjnë dëm vetëm se me një gjë që Allahu ta ka shkruar. Janë ngritur lapsat dhe janë tharë fletat.”

Mësimet që nxirren nga kjo ndodhi:

  • Gjetja e momentit të përshtatshëm për mësim dhe këshillë, ku udhëtimi është një nga më të përshtatshmit. Fëmija nuk të ndjek me vëmendje nëse është i lodhur, është duke ngrënë, është përgjumësh apo është duke luajtur.
  • Mësimi i akides (besimit) së pastër si bazë e besimit tonë. Profeti alejhi selam i drejtohet me këto fjalë të mëdha një fëmije jo më shumë se dhjetë vjeç, i ka mësuar bazat e akides (besimit)  dhe nuk e ka konsideruar të vogël siç mund të mendohet.
  • Shoqërimi me fëmijët për të dalë, për të vizituar, për të mësuar etj. Sa më shumë të shoqërohet me prindin aq më shumë merr prej tij.

3- Edukata e ngrënies.

Transmetohet nga Umer ibën ebi Seleme se ka thënë: Isha i vogël në prehrin e Profetit alejhi selam dhe dora ime shkonte sa në një anë të tepsisë në tjetrën (kur haja). Ai më tha: “O djalosh, thuaj Bismilah, ha me të djathtën dhe ha para vetes.”

Mësime dhe dobi:

  • Këshillimi në momentin e duhur kur ndodh gabimi sepse kjo është më e dobishme, dhe jo të shohësh të papëlqyerën dhe të heshtësh. Nganjëherë ndodh që zemërohesh me fëmijën dhe fillon i kujton të gjitha gabimet që ka bërë në të kaluarën.
  • Thënia Bismilah në fillim të ushqimit si pjesë e edukatës së ngrënies për një musliman.
  • Përshkallëzimi në edukim: Thuaj Bismilah, ha me të djathtën dhe ha para vetes.
  • Mësimi i fëmijës pa kritika të tepërta por thjesht duke i korrigjuar gabimin.

Mblodhi dhe përgatiti: Teuta Xeka

Loading...