Ebu Hurejra transmeton se e ka dëgjuar të Dërguarin e Allahut – lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të – të thotë: “Era është prej mëshirës së Allahut të Lartësuar. Ajo vjen me mëshirë dhe vjen me dënim. Prandaj kur ta shikoni atë mos e shani, por kërkojini Allahut të mirën e saj dhe kërkojini mbrojtje Atij prej të keqes së saj.” Transmeton Ebu Daudi, Nesaiu, Ibn Maxheh etj.
Nuk lejohet të shahet era sepse ajo është prej argumenteve të fuqisë së të Plotfuqishmit, siç thotë i Lartësuari: “Dhe prej argumenteve të Tij është se Ai i dërgon erërat si përgëzim (për ardhjen e shiut).” (Rum/Romakët: 46)
Ai na ka mësuar të lutemi konkretisht në këtë formë:
Aishja – Allahu qoftë i kënaqur prej saj – përcjell se kur frynte erë Profeti – lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të – thoshte: “O Allah, unë të kërkoj të mirën e saj, të mirën që gjendet tek ajo dhe të mirën me të cilën është dërguar. Dhe të kërkoj mbrojtje nga e keqja e saj, nga e keqja që gjendet në të dhe nga e keqja me të cilën ajo është dërguar.”
Transmeton Buhariu (3206) dhe Muslimi 15/899, dhe kjo është shprehja e tij.
E mira e saj është freskimi në ditët e nxehta dhe largimi i erërave të këqija që përhapen ndonjëherë për shkaqe të ndryshme, dhe ajo i largon ato. Ajo shtyn retë që sjellin shiun e dobishëm.
E keqja e saj është e qartë; nëse ajo fryn me shpejtësi të madhe shkakton tragjedi dhe fatkeqësi të shumta tek çdo gjë që kalon mbi të. Erërat njerëzit i quajnë me emra të ndryshëm: Tajfune, ciklone, tufane, stuhi (kur shoqërohet me rrebeshe shiu), tornado, uragane etj.
Dhe me to Allahu i Madhëruar ka dënuar disa popuj: “… ajo është një erë në të cilën ka dënim të dhembshëm. Ajo shkatërron çdo gjë me urdhër të Zotit të saj saqë nuk u duk më asgjë prej tyre veç banesave të tyre. Kështu e shpërblejmë Ne popullin kriminel.” (Ahkaf: 24-25)
Dhe në ato që ndodhin sot nëpër botë ka goxha mësim për popullin që mendon! Allahu na ruajtë!
Tek Suneni i Ebu Daudit nga Aishja – Allahu qoftë i kënaqur me të – përcillet se ka thënë: Profeti – sal lall llahu alejhi ue sel lem – kur shikonte në qiell re të paformuara mirë (që akoma nuk ishin grumbulluar), e linte çdo gjë – edhe nëse ishte në namaz – dhe thoshte: “Allahumme inni eudhu bike min sherriha” (O Allah unë të kërkoj mbrojtje nga e keqja e saj). E nëse binte shi thoshte: “Allahumme sajjiben henijen” (O Allah bëje këtë shi të bollshëm, të shumtë, me bereqet (të begatë, të dobishëm që sjell të mira të shumta).
Sh.p.: Nga kjo nuk kuptohet domosdoshmërisht se ai e linte namazin fare dhe bënte atë dua, por duanë mund ta bënte edhe duke qenë në namaz. Siç ka ardhur prej tij – sal lall llahu alejhi ue sel lem – tek Ebu Daudi ligjshmëria e thënies “Elhamdu lilah” nëse teshtin gjatë namazit. Allahu e di më së miri.
Emin Bilali
Të Ngjashme
- A është e lejuar për gruan me mestruacione që të bëjë Istihara? Udha e Besimtarëve
- Nata e Kadrit Abdurrazak ibn Abdulmuhsin el-Bedër
- Bëhu i begatë kudo që të jesh Udha e Besimtarëve
- Përmendja e të metave dhe hapja e derës së dëshpërimit Udha e Besimtarëve
- Vepro duke qenë i pajisur me dituri Udha e Besimtarëve