Fikhu i namazit sipas Shejh Albanit – 1
Falënderimi i takon vetëm Allahut! Atë falënderojmë dhe vetëm prej Tij ndihmë dhe falje kërkojmë! I mbështetemi Allahut të na ruajë nga sherri i vetes dhe nga të këqijat e punëve tona! Atë që Allahu e udhëzon nuk ka kush e humb, e ai që e lë veten e tij në humbje nuk ka kush e udhëzon përveç Allahut. Dëshmoj se nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë përveç Allahut, Një e të Vetëm, dhe se Muhamedi (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) është rob i Allahut dhe i dërguari i Tij.
Prej kohësh qarkullon në mesin e muslimanëve bindja se Shejh Albani (Allahu e mëshiroftë) në çështjet e fikhut[1] ka ardhur me mendime/gjykime që s’i ka patur dikush prej dijetarëve të mëdhenj para tij. Nisur nga kjo e pashë të arsyeshme dhe të dobishme që t’i ofroj lexuesit disa çështje nga fikhu i Shejh Albanit (Allahu e mëshiroftë) në lidhje me namazin. Aty del në pah se Shejh Albani (Allahu e mëshiroftë) bie dakort në shumë mendime me dijetarët e hershëm, dhe se nuk ka ardhur me diçka për të cilën nuk ka pararendës.
[1] Ezani dhe ikameti.
Shejh Albani ka qenë i mendimet se ezani dhe ikameti janë farz kifaje për burrat.
Ky është; një mendim tek malikitë,[2] një transmetim tek shafitë,[3] është medh’hebi hanbeli,[4] mendimi që ka zgjedhur dijetari i Islamit Ibën Tejmije[5] dhe mendimi i imam Sheukanit[6] (Allahu i mëshiroftë!). Ndërsa Ibën Hazmi ka shkuar më tej duke e konsideruar kusht për saktësimin e namazit.[7]
Shejh Albani (Allahu e mëshiroftë!) ka thënë: “E vërteta është se ezani është farz kifaje (ku mjafton të thërrasë dikush dhe bie obligimi nga pjesa tjetër). Kjo është ajo që e ka saktësuar dijetari i Islamit Ibën Tejmije. Madje, ky gjykim vlen dhe për individin (personin që gjendet i vetëm).”[8]
[2] Ezani i parë ditën e xhuma
Shejh Albani ka qenë i mendimit për mosthirrjen e ezanit të parë ditën e xhuma, atë ezan që e vendosi prijësi i besimtarëve Uthman bin Afani (radijAllahu anhu).[9]
Ky është edhe mendimi i Abdullah bin Umerit,[10] Abdullah bin Zubejrit,[11] El-Hasenit,[12] Ataut[13] dhe Es-Sananit[14] (Allahu i mëshiroftë!). Imam Shafiu ka thënë: “Atau nuk e pranonte faktin se Uthmani ka qenë ai që e ka vendosur atë (ezanin e parë). Ai thoshte se diçka të tillë e ka bërë Muauija. Gjithsesi, ajo që ka qenë në kohën e të Dërguarit të Allahut (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) (me një ezan të vetëm dhe jo me dy) është më e dashur tek mua.”[15]
[3] Vendosja e sutrës në namaz.
Shejh Albani ka qenë i mendimit se marrja e sutrës në namaz është vaxhib, dhe ka thënë: “Namazliu e ka për detyrë të falet drejt sutrës. Në këtë pikë nuk ka dallim midis xhamisë apo ndonjë vendi tjetër, e as mes xhamisë së madhe apo të vogël.”[16]
Ky është edhe mendimi i Ibën Huzejmes,[17] Ebu Auane,[18] Ibën Abduselamit nga malikitë,[19] një transmetim nga Ahmedi[20] dhe mendimi që ka përzgjedhur imam Sheukani[21] (Allahu i mëshiroftë).
Vijon…
Përmblodhi: Unejs Sheme
—————————————-
[1] Madje edhe në hadith.
[2] “El-Kauanin El-Fikhijjeh” (1/36).
[3] “El-Mexhmu’u” (3/89) i imam Neveviut.
[4] “El-Kafi fi Fik’hi Ibën Hanbel” (1/100) dhe “El-Insaf” (1/407). Ibën Tejmije (Allahu e mëshiroftë) thotë: “E saktë është se ezani dhe ikameti janë farz kifaje dhe nuk duhet që banorët e qytetit apo të fshatit t’a lënë (pa thirrur) ezanin dhe ikametin. Kjo është e njohura në medh’hebin e Ahmedit dhe të tjerëve.” “Fetaua El-Kubra” (2/41) dhe (5/321).
[5] “Mexhmu’ul-Fetaua” (22/64) dhe “Fetaua El-Kubra” (2/41).
[6] “Es-Sejlul-Xherar” (1/197).
[7] “El-Muhal-la” (3/122).
[8] “Temmamul-Minneh” (144) dhe “Eth-Themerul-Mustetab” (1/116).
[9] “El-Exhvebeh En-nafiah” (13).
[10] “Musanefu” (1/470) i Ibën Ebi Shejbe.
[11] “Musanefu” (3/206) i Abdurrazakut.
[12] “Musanefu” (1/470) i Ibën Ebi Shejbe.
[13] “Musanefu” (3/206) i Abdurrazakut.
[14] “Subulus-Selam” (1/126).
[15] “El-Ummu” (1/195).
[16] Shih “Aslu Sifetus-Salah” (116) dhe “Temmamul-Minneh” (300).
[17] “Sahihu Ibën Huzejmeh” (2/27).
[18] “Musnedu Ebi Auaneh” (1/382).
[19] “Et-Taxhu uel-Iklil” (1/534) dhe “Meuahibul-Xhelil” (1/532).
[20] “El-Insaf” (2/103).
[21] “Nejlul-Eutar” (3/2) dhe “Es-Sejlul-Xherar” (1/176).
Të Ngjashme
- A është e lejuar për gruan me mestruacione që të bëjë Istihara? Udha e Besimtarëve
- Nata e Kadrit Abdurrazak ibn Abdulmuhsin el-Bedër
- Bëhu i begatë kudo që të jesh Udha e Besimtarëve
- Përmendja e të metave dhe hapja e derës së dëshpërimit Udha e Besimtarëve
- Vepro duke qenë i pajisur me dituri Udha e Besimtarëve