Lavdërimi i takon Allahut, Zotit të botëve! Paqja dhe bekimi qofshin mbi Profetin tonë Muhamed, mbi familjen dhe shokët e tij!
Kjo është një broshurë e shkurtër mbi mënyrën e kryerjes së umres, rregullat dhe normat e saj, ku jemi përpjekur të shpjegojmë shumicën e asaj që i nevojitet zakonisht atij që kryen umren.
I kërkojmë Allahut ta bëjë këtë vepër të sinqertë për Fytyrën e Tij Fisnike dhe të dobishme për gjithë muslimanët.
Së pari: Kushtet e pranimit të adhurimit.
Adhurimi nuk pranohet tek Allahu i Lartësuar veçse me dy kushte:
1. Sinqeriteti. Qëllimi duhet të jetë kënaqësia e Allahut dhe bota tjetër. Allahu i Lartësuar thotë: “Dhe nuk ishin urdhëruar për tjetër veçse të adhuronin Allahun, duke qenë të sinqertë në adhurimin e Tij dhe të pastër nga idhujtaria.” | El Bejjineh: 5. Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Veprat janë sipas qëllimeve dhe çdo njeri do ta ketë shpërblimin sipas qëllimit të tij.” Transmeton Buhariu me nr.1 dhe Muslimi me nr. 1907.
2. Ndjekja e Profetit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem në fjalë dhe vepra i cili ka thënë: “Kushdo që shpik diçka në çështjen tonë (në fe) që nuk është prej saj, ajo është e refuzuar.” Transmeton Buhariu me nr. 2697 dhe Muslimi me nr. 1718. Në një transmetim tjetër të Muslimit me nr. 1718 thuhet: “Kush bën një vepër që nuk është në përputhje me udhëzimin tonë, ajo është e refuzuar.”
Së dyti: Gjykimi fetar mbi mësimin e mënyrës së kryerjes së Umres dhe rregullave të saj.
Duhet që ai që dëshiron të adhurojë Allahun përmes një adhurimi, të mësojë udhëzimin e Profetit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem në atë adhurim që veprimi i tij të jetë në përputhje me sunetin. Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem i nxiste njerëzit që ta pasonin dhe të udhëhiqeshin me udhëzimin e tij. Transmetohet nga Malik bin Huvejrith se ka thënë: Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Faluni ashtu siç më keni parë mua duke u falur.” Transmeton Buhariu me nr. 6008 se Xhabiri ka thënë: “Kam parë Profetin sal-lAllahu alejhi ue sel-lem duke hedhur gurët nga sipër devesë së tij në ditën e Kurbanit, dhe duke thënë: Merrni prej meje ritet tuaja të haxhit, sepse nuk e di nëse do të kryej përsëri haxh pas këtij haxhi.” Transmeton Muslimi me nr.1297.
Së treti: Vlerat e Umres.
Umreja ka dy lloje vlerash; të përgjithshme dhe të veçanta.
Vlerat e përgjithshme:
Nga Ebu Hurejra transmetohet se Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Dy umret nga njëra te tjetra janë shlyerje për mëkatet që janë bërë ndërmjet tyre, dhe haxhi i pranuar nuk ka shpërblim tjetër përveç xhenetit.” Transmeton Buhariu me nr. 1773 dhe Muslimi me nr. 1349.
Nga Abdullah ibn Mesudi transmetohet se Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Kryeni vazhdimisht haxhin dhe umren, sepse ato e largojnë varfërinë dhe mëkatet ashtu si zjarri (2) i farkëtarit heq papastërtitë nga hekuri, ari dhe argjendi. Haxhi i pranuar nuk ka shpërblim tjetër përveç xhenetit.” Transmetohet nga Tirmidhiu me nr. 810 dhe Nesaiu me nr. 2631.(2) Pajisja e farkëtarit dhe e argjendarit në të cilën mban zjarrin. (Libri “Temhid” i Abdulberrit 15/102.)
Mënyra e kryerjes së Umres.
Së pari: Rregullat e mikateve (kufijtë e ihramit).
Mikatet janë vendet që i ka caktuar Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem si kufij, nga ku duhet të hyhet në gjendjen e ihramit për këdo që ka për qëllim të kryejë haxhin apo umren.
Kush kalon nga një prej këtyre mikateve (kufijve) me qëllim për haxh apo umre duhet të hyjë në ihram aty, dhe nuk lejohet të kalojë pa hyrë në ihram.
Kush ndodhet më afër Mekës se këto mikate (kufij) kufiri i tij i ihramit është vendi ku ai banon, dhe prej aty hyn në ihram për haxh apo umre.
Banorët e Mekës ose kush vendos të hyjë në ihram nga Meka: për haxhin hyjnë në ihram nga Meka, ndërsa për umren duhet të dalin jashtë kufijve të haremit (terrritorit të shenjtë) si në Ten’im p.sh. dhe të hyjnë në ihram që andej.
Kush është në aeroplan hyn në ihram kur kalon paralel me mikatin. Ai duhet të përgatitet dhe të veshë rrobat e ihramit para se ta kalojë mikatin, dhe kur e kalon shpreh nijetin menjëherë. Atij nuk i lejohet ta vonojë ihramin deri sa të zbresë në aeroport. Sakaq, më mirë për të është të thotë “lebbejke” pak para mbërritjes në mikat për shkak të shpejtësisë së avionit.
Së dyti: Mënyra e hyrjes në ihram dhe rregullat e tij.
Për atë që ka për qëllim hyrjen në ihram është e pëlqyeshme të kryej këto veprime:
Të lahet sepse është sunet i fortë për burra e gra, përfshirë gratë me menstruacione ose lehonë.
Të parfumoset me parfumin më të mirë që disponon si p.sh. vaji i drurit të uudit në kokë dhe në mjekër, dhe nuk ka problem nëse aroma mbetet pas hyrjes në ihram. Gruas nuk i lejohet të përdorë parfum që ka aromë që të mos ndihet nga burrat e huaj.
Të veshë rrobat e ihramit: për burrin janë dy copa (izar dhe rida’), të bardha e të pastra ose të reja. Gruaja vesh çfarë të dojë pa u zbukuruar, nuk vesh nikab e as doreza, por mbulon fytyrën dhe duart me diçka tjetër nëse ka burra të huaj përreth.
Të hyjë në ihram pas faljes së një namazi qoftë farz apo nafile. Kjo normë nuk është e detyrueshme.
Pastaj thotë: “Lebbejke Allahumme umran!” (Të përgjigjem o Zot, për kryerjen e umres!) Nëse bën umre për dikë tjetër, thotë: “Lebbejke Allahumme umran an filan!” (Të përgjigjem o Zot për kryerjen e umres për filanin!)
Nëse ka frikë se mund ta ndalojë diçka nga përfundimi i riteve, vendos kushtin duke thënë: “(Të përgjigjem o Zot për kryerjen e umres, e nëse më del ndonjë pengesë atëherë lirimi im është aty ku më del pengesa.) Në këtë rast, nëse pengohet mund të dalë nga ihrami pa detyrime.
Mandej ai apo ajo duhet të thotë sa më shpesh: “Lebbejke Allahumme lebbejk, lebbejke la sherike leke lebbejk, innel-hamde uen-ni‘mete leke uel-mulk, la sherike lek.” Burri e thotë me zë të lartë, poashtu dhe gruaja nëse s’ka burra të huaj pranë. Njeriu që është në ihram duhet ta thotë sa më shpesh telbijen, sidomos kur ndryshon situata apo koha si p.sh. kur ngjitet, kur zbret, kur bie nata apo kur agon dita. Kuptimi i fjalëve të telbijes: “Lebbejke Allahumme”, do të thotë; “Të përgjigjem Ty o Zot herë pas here në kryerjen e adhurimeve”. “El hamd”: pohimi i përsosmërisë për Allahun me dashuri dhe madhërim. “En-ni‘meh”: të mirat që u jep Zoti robërve të Tij si plotësimi i kërkesave dhe largimi i të keqes. “El-mulk”: zotërimi dhe sundimi janë vetëm për Allahun. “La sherike lek”: askush nuk të shoqëron në cilësitë e Tua përfshirë sundimin, krijimin, përkujdesin dhe hyjninë.
(Marrë shkurtimisht nga libri “Mexhmu‘ fetava ue resail el Uthejmin”, vëll. 22, fq. 96.)
Telbija në Umre thuhet nga momenti i hyrjes në ihram deri sa të fillojë tavafin.
Ndalohet që personi në ihram të bëjë ndonjë nga gjërat që janë të ndaluara në këtë gjendje, deri sa të dalë nga ihrami.
Së treti: Mënyra e kryerjes së tavafit.
Kur personi në ihram hyn në xhaminë e shenjtë, është e pëlqyeshme të hyjë me këmbën e djathtë dhe të thotë lutjen e hyrjes në xhami. Një nga versionet më të sakta të transmetuara për këtë është të thuhet: “O Allah, më hap dyert e mëshirës Tënde!” Kjo lutje thuhet kur hyn në çdo xhami dhe jo vetëm në xhaminë e shenjtë.
Kur personi dëshiron të fillojë tavafin, ai e ndërpret telbijen dhe bën ritualin e idhtibasë (duke futur pjesën e mesme të rrobës nën sqetullën e djathtë dhe duke vendosur dy skajet e saj mbi shpatullën e majtë). Pas përfundimit të tavafit ai e rikthen rrobën në gjendjen e mëparshme, sepse rituali i idhtibasë bëhet vetëm gjatë tavafit.
Më pas i drejtohet gurit të zi, e prek atë me dorën e djathtë dhe e puth. Nëse nuk ka mundësi ta puthë, atëherë vetëm e prek dhe puth dorën. Nëse nuk mund ta prekë me dorë, e prek me një mjet si shkop dhe e puth atë. Nëse nuk i mundësohet as kjo, atëherë e përshëndet nga larg me dorë dhe nuk e puth dorën. Është më e mirë të mos shtyhet e të mos dëmtojë njerëzit dhe të mos dëmtohet vetë (për të prekur gurin e zi).
Gjatë prekjes ose bërjes me shenjë drejt gurit të zi, thotë: “Allahu Ekber.”
Pastaj fillon tavafin duke e pasur Qaben në të majtën e tij. Kur arrin te këndi jug-perëndimor (ruknul Jemeni), e prek atë pa e puthur. Nëse nuk ka mundësi, nuk është e pëlqyeshme të shtyhet për ta prekur dhe as të bëjë me shenjë drejt tij.
Midis Ruknul-Jemanit dhe Gurit të Zi thuhet: “Zoti ynë, na jep të mira në këtë botë, të mira në botën tjetër, dhe na ruaj nga ndëshkimi i zjarrit.”
Sa herë që kalon pranë Gurit të Zi ia bën me dorë, dhe thotë: “Allahu Ekber.”
Gjatë tavafit mund të thotë çfarë të dëshirojë nga dhikri, lutjet dhe leximi i Kuranit.
Është prej sunetit që në tri rrotullimet e para të eci shpejt me hapa të shkurtër (kjo quhet raml), ndërsa në katër rrotullimet e tjera ecën në mënyrë normale.
Pasi ta përfundojë tavafin shkon te Mekami i Ibrahimit dhe lexon: “Dhe merreni Mekamin [vendin] e Ibrahimit si vend-faljeje (namazi).” Pastaj fal dy rekate pas tij nëse mundet, në të kundërt i fal në çdo vend të xhamisë. Në rekatin e parë lexon pas Fatihasë suren ”Kul ja ejjuhel kafirun”, ndërsa në rekatin e dytë pas Fatihasë thotë suren ”Kul Huvallahu ehad”.
Së katërti: Mënyra e kryerjes së sa’jit.
Pasi të përfundojë tavafin dhe dy rekatet e tij, shkon drejt vendit të sa’jit (mes Safasë dhe Mervasë). Kur afrohet te Safaja, lexon: “Vërtet Safa dhe Merva janë nga shenjat e Allahut.” Dhe pastaj thotë: “Filloj me atë që ka filluar Allahu.”
Pastaj ngjitet te kodra e Safasë derisa të shohë Qaben ose drejtimin e saj, dhe kthehet me fytyrë nga ajo duke thënë: “Nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë përveç Allahut, i vetëm, pa ortak. Atij i përket pushteti dhe lavdia, dhe Ai ka fuqi mbi çdo gjë. Nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë përveç Allahut, i vetëm, e përmbushi premtimin e Tij, e ndihmoi robin e Tij dhe i mposhti aleatët i vetëm.” Këtë e përsërit tri herë dhe ndërmjet kësaj lutet për veten e tij.
Pastaj zbret nga Safa në drejtim të Mervas me ecje normale. Kur arrin në zonën midis dy flamujve jeshilë vrapon me shpejtësi. Pasi kalon flamurin e dytë jeshil vazhdon me ecje normale. Vrapimi nuk vlen për gratë.
Kur arrin te Merva vepron siç bëri te Safa (si në paragrafin nr. 2 më sipër).
Pastaj kthehet nga Merva tek Safa duke ecur, dhe kur arrin te flamuri jeshil vrapon derisa të arrijë te flamuri i dytë jeshil. Kur të arrijë te i dyti ecën në mënyrë të zakonshme.
Kështu vepron derisa të përfundojë shtatë xhirot; shkuarja nga Safa në Merva është një xhiro, dhe kthimi nga Merva në Safa është xhiro tjetër.
Gjatë sa’jit mund të thotë çfarë të dëshirojë nga dhikri, lutjet dhe leximi i Kuranit.
Së pesti: Mënyra e qethjes apo shkurtimit të flokëve.
Pasi përfundon tavafin dhe sa’jin, umraxhiu (ai që bën umren) duhet të qethë ose të presë flokët nëse është burrë. Prej sunetit është që qethja apo prerja të përfshijë të gjithë kokën.
Rruarja është më e pëlqyeshme se shkurtimi, përveç kur sezoni i haxhit është afër dhe nuk ka kohë që të rriten flokët. Në këtë rast është më mirë që të shkurtohen.
Ndërsa gruaja shkurton pak nga skajet e flokëve të saj sa majat e mollëzave.
Gjëra që ndalohen gjatë ihramit (ndalesat e ihramit):
Rruarja, shkurtimi ose shkulja e qimeve nga çfarëdo pjese e trupit.
Prerja e plotë apo e pjesshme e thonjve të dorës apo të këmbës.
Mbulimi i kokës me diçka që qëndron ngjitur me të, si; kapele, shall, turban, apo hedhja e diçkaje mbi kokë si rrobë, shami, batanije, karton apo diçka tjetër që shërben për mbulimin e kokës. Kjo vlen vetëm për burrat dhe jo për femrat.
Veshja e rrobave të zakonshme të qepura sipas trupit, si; këmisha, pantallonat, çorapet dhe dorezat. Kjo vlen vetëm për burrat. Ndërsa femrat ndalohen nga; veshja e nikabit, burkës dhe çdo gjëje që mbulon fytyrën si nikabi. Ato duhet të mbulojnë fytyrën me mbulesën e zakonshme para burrave të huaj, edhe nëse ajo e prek fytyrën. Nuk është e ligjshme të vendosin një lidhëse për të penguar mbulesën të mos prekë fytyrën ngase për ligjshmërinë e një gjëje të tillë nuk ka argument.
Gratë nuk duhet të veshin doreza, por në prani të burrave të huaj ato duhet t’i mbulojnë duart me rrobën e tyre.
Parfumosja në trup ose në rrobat e ihramit.
Vrasja e gjahut të tokës, ose kapja e tij edhe nëse nuk e vret.
Propozimi për martesë për vete apo për të tjerët.
Kryerja e kontratës martesore.
Prekje apo përqafim me dëshirë seksuale midis bashkëshortëve.
Marrëdhëniet seksuale.
Vlera e veçantë e Umres në Ramazan.
Nga Ibën Abbasi transmetohet se Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Një umre gjatë Ramazanit është e barabartë me një haxh me mua.”(3) Transmeton Buhariu me nr. 1863 dhe Muslimi me nr. 1256. (3)
Përgatiti: Komisioni shkencor pranë qendrës për shërbimin e mesazhit Islam në gjuhë të ndryshme.
Përktheu: Rexhep Milaqi
Dosje: Umreja
Të Ngjashme
- Disa njerëz i merr gjumi dhe kur bëhet ikameti nuk marin abdes Udha e Besimtarëve
- Mendimi juridik i imam Malikut dhe metoda e tij në veprën “El Muatta” Udha e Besimtarëve
- Disa shkelje që ndodhin gjatë marrjes së tejemumit – 2 – Udha e Besimtarëve
- Imam Ebu Hanife, nxënësit, librat dhe medhhebi i tij Udha e Besimtarëve
- Imam Ahmedi, shkolla, nxënësit dhe librat e medhhebit të tij Udha e Besimtarëve