Gjërat që i bëjnë dobi të vdekurit

April 26, 2017

Së pari: Duaja e muslimanit dhe istigfari i tij për të nëse i plotëson kushtet e pranimit, për shkak të fjalës së Allahut të Madhëruar: “Dhe ata që erdhën pas tyre thonë: O Zot, na fal neve dhe vëllezërit tanë që na parakaluan në besim, dhe mos bëj në zemrat tona smirë për ata që besuan! O Zoti ynë, Ti je i mëshirshëm!”[1]

Ndërsa hadithe ka shumë, ku prej tyre është hadithi i Ebu Derda radiallahu anhu i cili ka thënë:

Profeti sal-lallahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Duaja e muslimanit për vëllain e tij në fshehtësi është e pranuar. Në kokën e tij është një engjëll i ngarkuar. Sa herë që lutet për vëllain e tij për mirë meleku i ngarkuar thotë: Amin, edhe për ty po ashtu!”[2]

Madje pjesa më e madhe e namazit të xhenazes tij dëshmon për të, sepse shumica e tij është dua dhe istigfar për të vdekurin.

Së dyti: Shlyerja e kujdestarit të të vdekurit agjërimin nedhër (të premtuar), por jo agjërimin e Ramazanit. Për këtë ka shumë hadithe.

1- Transmetohet nga Aishja radiallahu anha se Profeti sal-lAllahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Kush vdes dhe ka agjërim pa plotësuar, agjëron për të kujdestari i tij.”[3]

2- Transmetohet nga Ibën Abasi radiallahu anhuma se ka thënë: “Erdhi një burrë tek Profeti sal-lAllahu alejhi ve se-lem dhe tha: O i dërguar i Allahut, nëna ime ka vdekur dhe ajo ka pasur borxh agjërimin e një muaji. A ta shlyej unë në vend të saj? Ai tha: Po, borxhi i Allahut është më parësor të shlyhet.”

Po nga ai gjithashtu transmetohet se një grua tha: Motra ime vdiq.[4]

3- Transmetohet nga Ibën Abasi radiallahu anhuma se Sead bin Ubade radiallahu anhu e pyeti Profetin sal-lallahu alejhi ve sel-lem dhe i tha: “Nëna ime ka vdekur dhe ka agjërim nedhër. Ai i tha: Shlyeje ti në vend të saj.”[5]

Së treti: Shlyerja e borxhit në vend të tij nga cilido njeri, kujdestar apo jo. Për këtë ka shumë hadithe ku një pjesë e të cilëve janë përmendur.

Së katërti: Për veprat e mira që bën fëmija i devotshëm prindërit kanë shpërblim si ai pa iu pakësuar gjë atij nga shpërblimi, sepse fëmija është rrjedhojë e përpjekjes dhe punës së tyre dhe Allahu i Madhëruar thotë: “Nuk është për njeriun vetëm se ajo që ka punuar.”[6]

Transmetohet nga halla e Amara bint Umejr se ajo ka pyetur Aishen radiallahu anha në lidhje me jetimin që e ka përsipër; a të ha nga pasuria e tij? Ajo i tha: Ka thënë Profeti sal-lAllahu alejhi ve sel-lem: “Pasuria më e mirë që ha njeriu është nga puna e tij, dhe fëmija është nga puna e tij.”[7]

E përkrahin atë çfarë thotë ajeti dhe hadithi hadithe të posaçme që kanë ardhur për dobinë që ka prindi me punën e fëmijës së tij të devotshëm, si; sadakaja, agjërimi, lirimi i skllavit etj.

I pari: Transmetohet nga Aishja radiallahu anha se një burrë i tha Profetit sal-lAllahu alejhi ve sel-lem: “Nëna ime vdiq papritur, dhe them se po të kishte folur (lënë porosi) do të kishte dhënë sadaka. A të jap sadaka për të? Ai tha: Po, jep sadaka për të.”[8]

I dyti: Transmetohet nga Ibën Abasi radiallahu anhuma se Sead bin Ubade radiallahu anhu u vëllazërua me Beni Seide. Nëna e tij vdiq pa qenë ai prezent, ndaj ai erdhi tek Profeti sal-lAllahu alejhi ve sel-lem dhe i tha: “O i dërguar i Allahut, nëna ime vdiq kur unë nuk isha aty. A i bën dobi nëse jap sadaka për të? Ai tha: Po. -Ai tha: Unë dëshmoj se çka ka ndërmjet dy mureve frytdhënëse[9] janë sadaka për të.”[10]

I treti: Transmetohet nga Ebu Hurejra radiallahu anhu se një burrë i tha Profetit sal-lAllahu alejhi ve sel-lem: “Babai im vdiq dhe la pasuri, por nuk ka lënë porosi. A i vlen atij po të jap sadaka për të? Ai i tha: Po.”[11]

I katërti: Transmetohet nga Abdullah bin Amri radiallahu anhu: “As bin Uail Sehmij la porosi që të lirohen për të njëqind skllevër. I biri i tij Hishami liroi pesëdhjetë skllevër, dhe biri i tij Amri deshi të lirojë për të pesëdhjetë të mbeturit.

Tha: (Të pres) Derisa të pyes Profetin sal-lAllahu alejhi ve sel-lem. Ai erdhi tek Profeti sal-lAllahu alejhi ve sel-lem dhe i tha: Babai im la porosi për të liruar një qind skllevër. Hishami liroi për të pesëdhjetë dhe kanë mbetur edhe pesëdhjetë. A t’i liroj unë për të? Profeti sal-lAllahu alejhi ve sel-lem tha: Sikur të ishte musliman e të lironit skllevër për të, të jepnit sadaka apo të bënit haxhin për të, do t’i arrinte atij. (Në një transmetim tjetër thuhet: Sikur të pohonte teuhidin, të agjëroje a të jepje sadaka për të, do t’i vlente atij).”[12]

Ka thënë shejhu ynë, Allahu e mëshiroftë: “Ka thënë Sheukani në “Nejl el eutar”: Hadithet në këtë çështje tregojnë se sadakaja nga fëmija u shkon prindërve pas vdekjes pa lënë ata porosi, dhe atyre u arrin shpërblimi i saj. Kështu përjashtohet me këto hadithe fjala e Allahut të Madhëruar: “Nuk është për njeriun vetëm se ajo që ka punuar.” Por në hadithet e kësaj çështje nuk është vetëm se arritja e sadakasë nga fëmija, në një kohë kur është saktësuar se fëmija është nga vepra e njeriut kështu që nuk ka nevojë për të pretenduar përjashtim. Ndërsa të tjerët përveç fëmijës, ajo çka duket nga ana e jashtme e ajeteve të përgjithshme kuranore është se nuk arrin shpërblimi i saj të vdekurit. Kështu që ndalemi këtu derisa të vijë argument që tregon për përjashtimin e saj.”

Them (d.m.th. shejhu): Kjo është e sakta që rezulton nga rregullat e dijes; ajeti është me kuptim të përgjithshëm dhe se shpërblimi i sadakasë etj. arrin nga fëmija tek prindi, sepse ai është prej punës së tij në kundërshtim me njerëzit e tjerë.

Së pesti: Çka ka lënë pas gjurmë të veprave të mira dhe sadaka të rrjedhshme për shkak të fjalës së Allahut të Madhëruar: “Shkruajmë atë që kanë vepruar dhe gjurmët e tyre.” Dhe për këtë ka hadithe:

1- Transmetohet nga Ebu Hurejra radiallahu anhu se Profeti sal-lAllahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Kur vdes njeriu i ndërpritet puna e tij, përveç tre gjërave; sadakasë së rrjedhshme, dijes që ka dobi, ose një fëmijë i devotshëm që lutet për të.”[13]

2- Transmetohet po nga Ebu Hurejra radiallahu anhu se Profeti sal-lAllahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Nga punët dhe veprat e mira që e shoqërojnë besimtarin pas vdekjes janë: Një dije që e ka dhënë dhe e ka shpërndarë, një fëmijë të devotshëm që e ka lënë pas, një mus’haf që e ka lënë trashëgimi, një xhami që e ka ndërtuar, një xhami që e ka ndërtuar për udhëtarin, një kanal që e ka hapur, një sadaka që e ka nxjerrë nga pasuria e tij kur ka qenë shëndoshë dhe gjallë. Këto e ndjekin atë pas vdekjes së tij.”[14]

3- Transmetohet nga Xherir bin Abdullahi se ka thënë: “Ishim tek Profeti sal-lAllahu alejhi ve sel-lem në fillim të ditës dhe atij i erdhën disa njerëz këmbëzbathur, të zhveshur, kishin veshur rroba prej leshi dhe abaje të grisura të çara tek koka, me shpata të varura në qafë. Shumica e tyre ishin nga Mudarra, madje të gjithë ishin nga Mudarra. Profetit sal-lAllahu alejhi ve el-lem i ndryshoi ngjyra e fytyrës kur pa varfërinë e tyre. Ai hyri e pastaj doli, urdhëroi Bilalin të thirrë ezanin dhe ikametin dhe u fal. Pastaj mbajti ligjëratë dhe tha:O njerëz, frikësojuni Zotit tuaj i Cili ju krijoi juve prej një njeriu …” deri në fund të ajetit:Allahu është Mbikëqyrës mbi ju!”Dhe ajetin në suren Hashr:Frikësojuni Allahut, le të shikojë njeriu se çfarë ka vepruar për nesër dhe frikësojuni Allahut.”Atëherë njerëzit dhanë sadaka nga ari, nga argjendi, nga rrobat, nga gruri, nga temri (sa tha) qoftë dhe me një gjysëm hurme.

Ka thënë: Erdhi një burrë nga ensarët me një qese që mezi ia mbante dora, madje s’ia mbajti dot. Pastaj vazhduan njerëzit të jepnin derisa pashë dy grumbuj me ushqim dhe rroba, e derisa pashë fytyrën e Profetit sal-lAllahu alejhi ve sel-lem që u çel si të ishte e zbukuruar me ar. Profeti sal-lAllahu alejhi ve sel-lem tha: “Kush bën i pari në islam një synet (punë) të mirë ai ka shpërblimin e asaj dhe shpërblimin e atij që punon me të pas tij, pa ua pakësuar shpërblimin atyre aspak. Dhe kush bën i pari në islam një punë të keqe ai do të ketë barrën e saj dhe barrën e atij që e vepron atë pas tij, pa ua pakësuar barrën atyre aspak.”[15]

 Marrë nga libri: “Enciklopedia e thjeshtuar e fikhut”.

 Autor: Husejn el Auajshe

 Përktheu: Teuta Xeka

 ——————————————————————-

[1] El Hashr: 10.

[2] Muslimi e të tjerë.

[3] Buhariu dhe Musimi.

[4] Buhariu dhe Muslimi.

[5] Buhariu dhe Muslimi.

[6] En Nexhm: 39.

[7] Ebu Daudi, Nesaiu, Tirmidhiu dhe Ibën Maxhe, dhe e saktëson shejh Albani.

[8] Buhariu dhe Muslimi.

[9] Në kuptimin ‘i gjithë kopshti’.

[10] Buhariu.

[11] Muslimi.

[12] E transmeton Ebu Daudi dhe e saktëson shejh Albani. Gjithashtu Bejhakiu dhe Ahmedi, dhe zinxhirin e ka të saktë.

[13] Muslimi.

[14] Ibën Maxhe e të tjerë, dhe e saktëson shejh Albani.

[15] Muslimi.

Dosje:

Loading...