Gjuha dhe dëmet e saj

January 29, 2023

Ka thënë Allahu i Madhëruar:

“Dhe mos ndiq (mos fol, mos bëj) atë gjë për të cilën s’ke dijeni. Me të vërtetë që të dëgjuarit, të shikuarit dhe zemra, secila prej tyre do të pyetet (nga Allahu në ditën e llogarisë).” |Isra: 36|

Transmetohet nga Ebu Musa el-Esharij, Allahu qoftë i kënaqur me të, se ka thënë:

“O i Dërguari i Allahut! Cili është muslimani më i mirë?

Ai iu përgjigj:

Ai i cili janë të ruajtur muslimanët e tjerë nga dora dhe gjuha e tij.” Transmeton Buhariu 11/308, 6477, dhe Muslimi me nr. 2988.

Gjithashtu transmetohet nga Ebu Hurejra, Allahu qoftë i kënaqur me të, se e ka dëgjuar të Dërguarin e Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem duket thënë:

“Ndodh që njeriu të flasë një fjalë që nuk i kushton rëndësi, e si shkak i saj hidhet në zjarr (xhehenem) në një distancë më të largët sesa ajo mes lindjes dhe perëndimit.” Transmeton Buhariu 11/308, 6477, Muslimi 2988, dhe Tirmidhiu 2314.

Transmetohet nga Sufjan ibën Abdilah, Allahu qoftë i kënaqur me të, se ka thënë:

“O i Dërguar i Allahut! Më trego diçka që të kapem fort pas saj!

Ai ia ktheu:

Thuaj: (E besova Allahun) Dhe përmbaju urdhrave të Tij e largohu nga ndalesat e Tij.

I thashë:

O i Dërguar i Allahut! Cila është ajo gjë që frikësohesh për mua më shumë?

Atëherë ai kapi gjuhën e tij, e ma ktheu:

Kjo!” Transmeton Tirmidhiu 2410, ndërsa baza e hadithit gjendet te Muslimi me nr. 38.

Transmetohet nga Ukbe ibën Amir, Allahu qoftë i kënaqur me të, se ka thënë:

“O i Dërguari i Allahut! Si të shpëtojmë?

Ai iu përgjigj:

Ruaje gjuhën tënde, të të mjaftojë shtëpia jote dhe qaj për mëkatin tënd.” Transmeton Tirmidhiu me nr. 2406.

Shpjegimi:

Ruajtja e gjuhës nga harami dhe fjalët e padobishme ka dobi të madhe, si dhe konsiderohet shpëtim në këtë botë e në botën tjetër.

Për këtë arsye, i Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka nxitur drejt ruajtjes së saj, dhe na ka treguar se ajo është prej faktorëve më të mëdhenj që të drejtojnë për në shpëtim.

Dobitë:

  • Prej islamit të plotë të njeriut është ruajtja e gjuhës nga përfolja e të tjerëve.
  • Ruajtja e gjuhës është faktor i cili drejton për në shpëtim.
  • Njeriu mund të hyjë në zjarr si pasojë e një fjale që nuk i kushton rëndësi.

 

Shkëputur nga libri: “Mësimet e përditshme”.

Shkroi: Rashid AbdulKerijm

Përktheu: Ardit Ulqinaku

Loading...