Haxhi për në shtëpinë e lashtë të Allahut Qaben e Ibrahimit -alejhi selam-.

July 22, 2016

Haxhi për në shtëpinë e lashtë të Allahut Qaben e Ibrahimit -alejhi selam-.

Pak ditë na ndajnë nga sezoni i madh i haxhit për në shtëpinë e Allahut një ndër shenjat më të mëdha të njësimit të adhurimit Allahut në tokë sipas mësime të profetëve të tij. Për tu njohur më gjerësisht me historinë e këtij riti dhe zanafillën e tij duhet të kthehemi mbrapa në histori te Ibrahimi -alejhi selam-.

-Pjesa e parë-

Qabeja shtëpia e parë për njerëzit në tokë.

Allahu i madhëruar ka bërë xhami apo shtëpi në tokë për adhurimin e tij dhe kjo gjë është e vjetër në historinë e njerëzimit. Më e para shtëpi e ndërtuar në tokë për këtë qëllim është Qabeja e Mekës siç thotë Allahu i madhëruar në Kuran: “Shtëpia e parë e vënë për njerëzit është ajo e Bekës, e bereqetshme dhe udhëzim për mbarë botët * Në të ka ajete të qarta dhe vendi i Ibrahimit. Kush futet në të është i sigurt. Prandaj për hir të Allahut është bërë detyrë për njerëzit haxhi i shtëpisë për atë që ka mundësi dhe kush mohon, Allahu nuk ia ka nevojën askujt prej botëve” suretu Ali Imran: 96-97. Ajeti tregon qartë se Qabeja është shtëpia e parë e ndërtuar për adhurimin e Allahut në tokë dhe të njëjtën gjë e pohon edhe profeti -alejhi selam- siç tregon Ebu Dherri -radiallahu anhu-: “E kam pyetur profetin -alejhi selam- se cila xhami është ndërtuar e para? Profeti -alejhi selam- më tha: xhamia e shenjtë (Qabja). Ebu Dheri i thotë: Pastaj cila? Profeti -alejhi selam- i thotë: xhamia e Aksasë. Ebu Dheri i thotë: Sa ka pasur mes tyre? Profeti -alejhi selam- i thotë: dyzet vjet. Pastaj ku të kapë namazi, falu se aty është xhami” e transmeton Buhariu dhe Muslimi. Ky hadith vërteton siç e thamë faktin se Qabeja është shtëpia e parë por shton diçka më shumë duke treguar se xhamia tjetër e begatë xhamia e Aksasë është pas Qabesë dhe i vë një distancë kohore të caktuar dhe që është dyzet vjet. Kjo distancë kohore që ka pasur mes ty dy xhamive i ka pas preokupuar dijetarët e islamit sepse Sulejmani -alejhi selam- ndërtuesi i Aksasë është shumë më shumë se dyzet vjet pas Ibrahimit -alejhi selam- ndërtuesi i Qabesë. Ibn El-Kajimi në librin Zad El-Mead ka dhënë përgjigje shumë të vyer në lidhje me këtë çështje dhe thotë: Ky hadith ka qenë problem për ata që nuk e kanë kuptuar domethënien e tij duke thënë: dihet se Sulejmani i biri i Daudit është ai i cili e ka ndërtuar xhaminë e Aksasë dhe mes tij dhe Ibrahimit ka më shumë se një mijë vjet! Kjo është nga injoranca e atij që flet se Sulejmani është përtëritësi i ndërtimit dhe jo themeluesi i saj sepse themeluesi i saj ka qenë Jakubi i biri Is’hakut -alejhima selam- pas ndërtimit të Ibrahimit -alejhi selam- kaq sa është përmendur. Fakti që Qabeja është shtëpia e parë nuk do të thotë se është e para e të gjitha shtëpive qoftë edhe ato të banimit. Aliu -radiallahu anhu- kur është pyetur për Qaben dhe ka thënë: “Ka pasur shtëpi para saj por kjo është shtëpia e parë e bërë për adhurim” E transmeton Ibn Ebij Hatim. Kjo thënie Aliut përveçse tregon se xhamia e Qabes është shtëpia e parë e ndërtuar për adhurim hedh poshtë njëkohësisht dhe pretendimet e disa dijetarëve se ajo është ndërtuar që në kohën e Ademit -alejhi selam- apo para tij siç do të vij më poshtë.

Qabeja është shtëpia e Ibrahimit -alejhi selam-.

Qabeja është ndërtuar në kohën e Ibrahimit -alejhi selam- dhe nuk ka asnjë argument të saktë që tregon se ajo ka qenë e ndërtuar para tij siç shprehet Ibn Kethir -Allahu e mëshiroftë- në librin El-Bidaje ue En-Nihaje. Disa dijetarë janë kapur pas fjalës së Allahut: “Përkujto kur i treguam Ibrahimit vendin e shtëpisë” suretu El-Haxh: 27 Ata thonë: Allahu i tregoi atij vendin ku ka qenë e ndërtuar para tij. Ibn Kethiri duke kundërshtuar mendimin e tyre thotë: Ky ajet nuk tregon se Qabeja ka qenë e ndërtuar para Ibrahimit por tregon se Allahu e njoftoi Ibrahimin për vendin që kishte caktuar në dijen e tij të hershme për ndërtimin e saj. Po ashtu edhe një ajet tjetër në Kuran: “Përkujto kur Ibrahimi ngriti themelet e shtëpisë (së Allahut)” suretu El-Bekara: 127. Ata thonë: Ibrahimi i ngriti themelet dhe jo i vuri sepse ajo ka qenë e ndërtuar më përpara. Ne themi: Edhe ky ajet nuk tregon se ajo ka qenë e ndërtuar më përpara, bile në hadithin e Aishes -radiallahu anha- se profeti -alejhi selam- ka thënë: “Sikur të mos ishte populli yt afër kufrin (myslimanë të rinj) do ta kisha shembur shtëpinë dhe do ta kisha ndërtuar atë mbi themelet e Ibrahimit -alejhi selam- sepse kurejshëve nuk u mjaftoi pasuria” E transmeton Buhariu dhe Muslimi. Në këtë hadith themelet cilësohen si themelet e Ibrahimit dhe Allahu e di më së miri. Sheikh Albani -Allahu e mëshiroftë- në librin Es-Silsile Ed-Daife thotë: Ajo që përmendet në disa transmetime se themelet e shtëpisë së Allahut kanë qenë para Ibrahimit dhe Ismailit dhe se ata vetëm sa i kanë ngritur ato, nuk vlen asnjë prej tyre për argumentim sepse janë me zinxhirë transmetimi të shkëputura siç dallohet qartë për çdo njeri që i studion zinxhirët e tyre.

Dr Abdullah Nabolli

Loading...