Histori mahnitëse e treguar nga Profeti

Historia e njëmbëdhjetë.

Ebu Hurejra -radiallahu anhu- tregon se Profeti -alejhi selam- ka thënë: “Një burrë shiste verë në anijen e tij dhe me vete mbante një majmun. Ai e përziente verën me ujë dhe majmuni ia merr qesen e parave dhe hipën në majë të direkut të anijes. E hap qesen dhe fillon të hedhë një dinar në anije dhe një dinar në det, derisa i ndau paratë në dy pjesë të barabarta.” E transmeton Ahmedi, Taberani, Bejhakiu, dhe e saktëson sheih Albani.

Dobitë e përfituara nga kjo histori:

1- Mashtrimi i njerëzve është punë e shëmtuar dhe për këtë kanë rënë dakord të gjitha legjislacionet, islami dhe ato që kanë qenë më përpara, sepse me të prishet jetesa e tyre. Ebu Hurejra -radiallahu anhu- tregon: “Profeti -alejhi selam- kaloi pranë një traste me ushqim (grurë) dhe futi dorën brenda saj, atij iu lagën gishtërinjtë dhe tha: Ç’është kjo o pronar i ushqimit? Ai i tha: E ka lagur shiu o i dërguar i Allahut. Profeti -alejhi selam- i tha: Pse nuk e ke nxjerrë sipër që ta shohin njerëzit?! Ai i cili na mashtron neve nuk është prej nesh.” E transmeton Muslimi, Timidhiu dhe Ibn Maxhe.
Fjala e tij: “Ai i cili na mashtron neve nuk është prej nesh” d.m.th. nuk është prej atyre që ndjekin rrugën dhe praktikën tonë sepse mashtrimi nuk është morali ynë.

2- Vera është pije dehëse që merret nga lëngu i rrushit dhe në sheriatin tonë islam është e ndaluar, sepse Allahu i Madhëruar thotë:  “O ju që keni besuar! Vera, kumari, idhujt dhe falli janë punë të pista prej shejtanit, prandaj largohuni prej tyre që të shpëtoni.” (El-Maide: 90)

Ndërsa në lidhje me sheriatet para islamit ekzistojnë tre mendime mes dijetarëve:
Mendimi i parë: Vera ka qenë e ndaluar edhe në Teurat dhe këtë e pohon sahabiu i nderuar Abdullah bin Amr bin El-As -radiallahu anhu- i cili njihet për njohuritë e tij rreth librave të mëparshëm.
Abdullah bin Amr bin El-As -radiallahu anhu- thotë: “Ky ajet Kurani: “O ju që keni besuar! Vera, kumari, idhujt dhe falli janë punë të pista prej shejtanit, prandaj largohuni prej tyre që të shpëtoni.” Në Teurat është kështu: “Allahu e ka zbritur të vërtetën për të larguar dhe për të shfuqizuar dëfrimet shkujdesëse, fyejt, mandolinat, dajret, këngët dhe verën për çdokënd që e pi. Allahu është betuar në begatinë dhe krenarinë e Tij se ai që e pi atë (verën) pasi është ndaluar kam për ta bërë të etur ditën e kiametit, dhe atij që e lë atë pasi është ndaluar kam për t’ia dhënë në Xhenet.” E transmeton Ibn Ebi Hatim dhe e saktëson Ibn Kethiri.

Mendimi i dytë: Vera ka qenë e lejuar në sheriatet e mëparshme nëse pihet në atë sasi që nuk deh. Këtë mendim e ka dhënë Ebu Hamid El-Gazali -Allahu e mëshiroftë- i cili thotë: Për sa i përket verës në sasi të pakta sheriatet nuk janë në pajtueshmëri në lidhje me të (islami e ndalon kurse sheriatet e tjera e lejojnë). Ndërsa dehjen asnjë sheriat nuk e ka lejuar, sepse dehja pengon kryerjen e detyrave dhe të adhurimeve.

Mendimi i tretë: Vera në sheriatet e mëparshme lejohej të pihej pa kushtëzim dehjen. Ky mendim është mendimi i Sheukanit -Allahu e mëshiroftë- i cili thotë: E kam vrojtuar me kujdes Teuratin dhe Inxhilin dhe nuk kam gjetur në to veçse lejimin e verës, pa e kushtëzuar me masën dehëse.
Mendimi më i saktë i dhënë për këtë çështje është mendimi i parë, sepse ai përveç dëshmisë së sahabiut Abdullah bin Amr bin El-As përkrahet edhe nga thënia profetike: “Alkooli është nëna e ndyrësive (apo e të këqijave)” e treguar nga Ibn Abasi dhe nga vet Abdullah bin Amr bin El-Asi.
Ibn Abasi -radiallahu anhu- tregon se profeti -alejhi selam- ka thënë: “Alkooli është nëna e ndyrësive dhe më e madhja e të mëdhajave. Ai që e pi atë shkon me nënën, tezen dhe hallën e tij.” E transmeton Taberani dhe e saktëson sheih Albani.
Abdullah bin Amr bin El-As -radiallahu anhu- tregon se Profeti -alejhi selam- ka thënë: “Alkooli është nëna e të këqijave. Atij që e pi atë nuk i pranohet namazi dyzet ditë, dhe nëse vdes duke e pasur në bark vdes si në kohën e injorancës.” E transmeton Taberani dhe Darakutni, dhe e saktëson sheih Albani.

Fakti që profeti -alejhi selam- e përshkruan alkoolin si nëna e të gjitha punëve të këqija është e pamundur të mos merret në konsideratë në sheriatet e mëparshme, sepse ai në këtë mënyrë bëhet shkak për të rënë në gjëra të tjera të ndaluara si; vrajsa e tjetrit, prishja e nderit etj. Dhe ja çfarë tregon Uthmani -radiallahu anhu-:
“Largojuni alkoolit se ai është nëna e të gjitha të këqijave. Një burrë prej atyre që kanë qenë para jush veçohej nga njerëzit dhe adhuronte Allahun. Një gruaje imorale i’u lidh zemra pas tij dhe ajo i dërgoi shërbëtoren e saj për t’i thënë: Të kërkojmë për dëshmitar. Ai niset me shërbëtoren e saj dhe ajo sa herë që ai kalonte ndonjë portë e mbyllte nga pas, derisa përfundoi te një grua e bukur e cila pranë saj kishte një shërbëtor dhe një enë me alkool. Ajo i thotë: Nuk të kam thirrur për dëshmitar por; për të bërë kontakt me mua, ose të pish këtë alkool në kupë, ose të vrasësh këtë shërbëtor. Ai i tha: Më jep këtë alkool. Ajo ia dha dhe ai i tha: Më shtoni! Ai vazhdoi kështu derisa bëri zina dhe e vrau dhe shërbëtorin.” E transmeton Nesaiu dhe e saktëson sheih Albani.

Pra, alkooli duhet të ketë qenë i ndaluar edhe në sheriatet e mëparshme dhe se fakti që nuk e gjejmë sot në Teurat është për shkak se aty ka vënë dorë njeriu. Nëse qëndron ky përfundim atëherë nga hadithi përfitohet se mashtrimi është i nënçmuar edhe nëse bëhet ndaj një malli haram.
Në lidhje me një çështje të ngjashme imam Ahmedi -Allahu e mëshiroftë- thotë: “Derri i ngordhur është dy herë haram, e nëse e vjedh nga një i krishterë bëhet tre herë haram.” Shih librin ‘El-Furusije’ të Ibn Kajimit. Kjo do të thotë se fakti se malli në vetvete është haram nuk e pengon që harami ta prekë edhe nga anë të tjera, si në rastin tonë kur ka mashtrim.
Ndërsa, nëse qëndron mendimi tjetër se ata e kanë pasur të lejuar alkoolin, atëherë mashtrimi është bërë në një gjë të lejuar dhe nuk përmban më paqartësi.

3- Allahu i madhëruar shpeshherë i frymëzon kafshët për t’u dhënë mësim njerëzve siç bëri me këtë majmun. Raste të tilla ka pasur edhe më përpara, dhe ndoshta nga më të hershmet është frymëzimi i korbit për të varrosur shokun e tij që t’i mësojë birit të Ademit varrosjen e të vëllait. Raste të tilla ka pasur edhe në kohën e profetit tonë Muhamed -alejhi selam- si rasti i ujkut që njoftoi daljen e Profetit -alejhi selam-, apo majmunët që gurëzuan majmunen që bëri zina etj.

4- Nuk ka bereqet në mashtrim sepse hadithi tregon se çmimi i ujit përfundoi në det dhe nuk mbeti tjetër veçse çmimi i verës. Hakim bin Hizam -radiallahu anhu- tregon se Profeti -alejhi selam- ka thënë: “Shitësi dhe blerësi kanë të drejtë të zgjedhin (prishjen e aktit) përderisa nuk janë ndarë nga njëri-tjetri. Ata nëse kanë thënë të vërtetën dhe e kanë bërë të qartë mallin atëherë u begatohet shitblerja, e nëse i fshehin të metat e mallit dhe gënjejnë u fshihet begatia e saj.” E transmeton Buhariu dhe Muslimi.

 

Shkroi: Dr. Abdullah Nabolli