Histori të bukura të treguara nga Profeti – 12

October 13, 2017

Historia e dymbëdhjetë.

Ebu Hurejra dhe Abdullah bin Mesudi-radiallahuanhum- tregojnë se Profeti -alejhi selam- ka thënë: “Një burrë prej atyre që kanë qenë para jush nuk kishte punuar kurrë ndonjë punë të mirë veç teuhidit (njësimit të Allahut), dhe kur i erdhi vdekja u tha njerëzve të tij: Kur të vdes më digjni derisa të bëhem shkrumb, pastaj më bluani, pastaj më shpërndani në një ditë me erë gjysmën në tokë dhe gjysmën në det. Se pasha Allahun, nëse Allahu do të më ringjallë do të më dënojë me një dënim që nuk e ka dënuar me të njeri në botë. Kur ai vdiq dhe pasardhësit e tij bënë me të siç kishte porositur, Allahu urdhëroi tokën dhe mblodhi çfarë kishte në të, urdhëroi detin dhe mblodhi çfarë kishte në të dhe ai menjëherë e pa veten para Allahut. Allahu i tha: Çfarë të shtyri të veprosh kështu? Ai i tha: O Zot, nga frika prej Teje dhe Ti e di më mirë se çdo kush tjetër! Atëherë Allahu e fali edhe pse nuk kishte bërë asnjë punë të mirë veç teuhidit.” E transmeton Buhariu, Muslimi, Nesaiu, Ahmedi, Hakimi, Taberani, Ibn Hibani etj.

 Dobitë e përfituara nga këto histori:

1- Ngjarja ka ndodhur në mesin e besimtarëve të Beni Israilëve siç ka ardhur në disa transmetime të tjera të hadithit, sepse ata në një periudhë të gjatë kohore trashëguan librat e Allahut dhe profetësinë, siç thotë profeti -alejhi selam-: “Beni Israilët udhëhiqeshin nga profetët, dhe sa herë që vdiste ndonjë profet dërgohej një tjetër.” E transmeton Buhariu dhe Muslimi.

2- Ndarja e besimtarëve në lidhje me besimin e tyre në tre grupe, siç është përmendur në Kuran: “Pastaj Ne ua trashëguam librin atyre që i zgjodhëm prej robëve Tanë. Prej tyre ka zullumqar të vetes së vet, prej tyre ka të mesëm dhe prej tyre ka që shpejtojnë në të mira me ndihmën e Allahut. Kjo është mirësia e madhe.” Suretu Fatir: 32.

Të gjitha këto grupe bëjnë pjesë te rrethi i madh i besimit dhe dallojnë nga njëri-tjetri nga punët e tyre, siç thotë sheihul-islam Ibn Tejmije -Allahu e mëshiroftë-: “Zullumqari i vetes së vet është ai gjynahqar i cili lë urdhrat e Allahut dhe kryen të ndaluarat e Tij. I mesmi është ai i cili kryen detyrat dhe lë të ndaluarat. Dhe shpejtuesi për në të mira është ai i cili afrohet te Allahu me aq sa mundet prej detyrave dhe të pëlqyerave, dhe lë të ndaluarat dhe të urryerat.”

Ky njeri bën pjesë te grupi i parë i besimtarëve d.m.th. te grupi i zullumqarëve të veteve të tyre, madje në shtresën më të ulët të këtij grupi të cilët nuk arritën të punojnë asnjë të mirë veç besimit në Allahun Një.

3- Nuk ka njeri që mund ta kapë mëshira e Allahut pa teuhid (njësimin e Allahut), sepse ky njeri nga përshkrimi i tij ishte se të vetmen punë kishte teuhidin dhe kjo gjë përkon me fjalën e Allahut: “Allahu nuk fal t’i bëhet Atij shok, dhe pos tij fal kë të dojë.” Suretu En-Nisa: 48.

Gjithmonë përmendet si kusht për fitimin e mëshirës së Allahut teuhidi (njësimi i Allahut), dhe kjo sepse njerëzit në përgjithësi e besojnë Zotin e tyre dhe çështja e tyre çalon te njësimi i Allahut. Por tek ata që nuk do të mëshirohen prej Allahut futen edhe mohuesit sepse ata e meritojnë akoma më shumë këtë gjë. Sheihul-Islam Ibn Tejmije thotë: “Arroganti i cili nuk e pohon ekzistencën e Allahut nga ana e jashtme si Faraoni, është mohues më i madh se ata (mushrikët e Arabisë që besonin Allahun dhe i shoqëronin atij zota të tjerë).”

4- Frika e këtij burri në prag të vdekjes për çfarë vjen pas saj tregon për besimin e tij, sepse për atë që ndodh pas vdekjes i vetmi burim për të janë lajmet profetike. Pra burri i besonte ato dhe prandaj kishte frikë, dhe nga ana tjetër nuk arriti ta shoqërojë frikën e tij me shpresë prej Allahut sepse nuk kishte punuar asnjë të mirë. Kjo në dallim nga ai i cili ka besuar dhe punuar vepra të mira, që ndihet më i qetë dhe shpreson prej Allahut, siç transmetohet nga Enesi -radiallahu anhu- kur tregon: “Profeti -alejhi selam- hyri te një djalë në prag të vdekjes dhe i tha: Si e gjen veten? Ai i tha: Pasha Allahun o i dërguar i Allahut, unë shpresoj tek Allahu dhe kam frikë gjynahet e mia. Atëherë profeti -alejhi selam- i tha: Nuk bashkohen këto dy gjëra në zemrën e një robi në një situatë si kjo veçse Allahu do t’i japë atë që shpreson dhe do ta sigurojë nga ajo që ka frikë.” E transmeton Tirmidhiu, Ibn Maxhe dhe Nesaiu.

Pavarësisht nga gjendja e robit dhe përgatitja e tij për ahiret, profeti -alejhi selam- këshillonte siç tregon Xhabiri -radiallahu anhu-:  “E kam dëgjuar profetin -alejhi selam- tre ditë para se të vdiste duke thënë: të mos vdesë askush prej jush veçse duke menduar mirë për Allahun.” E transmeton Muslimi dhe Ebu Daudi.

Dijetarët thonë: Të mendojë mirë për Allahun do të thotë të mendojë se ai do ta mëshirojë dhe do ta falë, sepse frika në prag të vdekjes nuk bën më dobi. Frika duhet të jetë kur njeriu gëzon shëndet që të ndalojë atë nga kapërcimi i kufijve të Allahut.

5- Ky njeri u mundua t’i shpëtonte Zotit të tij nga marrja në llogari me katër gjëra:

E para: Djegia e trupit deri në shkrumbim.

E dyta: Bluarja e shkrumbit.

E treta: Shpërndarja e masës së bluar në një ditë me erë që copëzat e tij t’i marrë era dhe të shkojnë sa më larg njëra-tjetrës.

E katërta: Shpërndarja të mos bëhet e gjitha në një vend por në vende të ndryshme; një pjesë në tokë dhe një pjesë në det, për ta bërë akoma më të pamundur mbledhjen e tyre.

Të gjitha këto veprime së bashku nuk arritën dot ta ndalojnë rikthimin e tij që të shkojë në vend fjala e Allahut:  “Thuaj: Patjetër, pasha Zotin tim, do të ringjalleni dhe do të njoftoheni për atë që keni punuar! Kjo për Allahun është gjë e lehtë.” Suretu Et-Tegabun: 7.

6- Fjala e burrit; [nëse Allahu do të më ringjallë do të më dënojë me një dënim që nuk e ka dënuar me të njeri në botë], tregon se ai në përgjithësi besonte në ringjallje dhe në mundësinë e Allahut për t’i ringjallur krijesat e Tij. Mirëpo mesa duket nga injoranca e tij në lidhje me detajet e besimit në Allah dhe të ringjalljes, dhe frika e madhe që kishte nga takimi me Allahun mendoi se ashtu mund t’i shpëtonte. Madje në një prej transmetimeve të hadithit burri thoshte: “… ndoshta do të humb nga sytë e Allahut.” E transmeton Ahmedi.

Sheihul-islam Ibn Tejmije në lidhje me ngjarjen e këtij burri thotë: “Ky burrë kishte dyshim dhe injorancë në lidhje me fuqinë e Allahut për rikthimin e birit të Ademit pasi që është djegur dhe shpërndarë, d.m.th. për rikthimin e të vdekurit nëse bëhet ashtu me të. Kjo prek dy baza të mëdha:

E para ka lidhje me Allahun; besimi se Allahu ka mundësi për çdo gjë.

E dyta ka lidhje me ditën e kiametit; besimi se Allahu e rikthen të vdekurin dhe e shpërblen për punët e tij.

Megjithatë, përderisa besonte te Zoti në përgjithësi dhe besonte në ditën e kiametit se Allahu shpërblen dhe dënon pas vdekjes, dhe kishte punuar një punë të mirë që është frika prej Allahut se mos e dënon për gjynahet e tij, e fali Allahu për shkak të atij besimi që kishte, për ditën e kiametit dhe për atë punë të mirë.” Shih ‘Mexhmua El-Fetaua’ 12/491.

7- Çdo gjë prej krijesave të Allahut i nënshtrohet vullnetit të Tij, sepse Allahu kur i dha urdhërin tokës dhe detit për të mbledhur pluhurin e trupit të tij e bënë atë gjë menjëherë. Ashtu si do t’i nënshtrohet vullnetit të Tij ditën e kiametit dëgjimi, shikimi dhe lëkura e trupit, dhe do të dëshmojnë kundra trupit të tyre. Allahu thotë: “Ata kur vijnë pranë zjarrit (dhe mundohen t’i përgënjeshtrojnë veprat e tyre të këqija) dëshmon kundër tyre dëgjimi i tyre, shikimi i tyre dhe lëkurat e tyre për atë që punonin. * Ata u thonë lëkurave të tyre: Përse dëshmuat kundër nesh? Ato thonë: Na bëri të flasim Allahu i Cili bën të flasë çdo gjë.” Suretu Fusilet: 20-21.

8- Në lidhje me Allahun mjafton vetëm një fjalë prej Tij dhe çdo gjë bëhet siç thotë Ai në Kuran:  “Fjala jonë për diçka kur duam të bëhet është: Bëhu! -dhe ajo bëhet.” Suretu El-Nahl: 40. Në këtë hadith këtë gjë e tregon shpejtësia e rikthimit të burrit, sepse aty thuhet: [… dhe ai menjëherë e pa veten para Allahut].

9- Allahu e merr në pyetje për ta dëgjuar përgjigjen prej tij edhe pse e di më mirë se kushdo tjetër shkakun, siç ka ardhur në disa hadithe:

Hadithi i parë është hadithi i pyetjes së melaikeve: “Ndërrohen mes jush melaike gjatë natës dhe melaike gjatë ditës, dhe bashkohen në namazin e sabahut dhe në namazin e ikindisë. Pastaj ngrihen ata që kishin radhën dhe Allahu i pyet edhe pse Ai e di më mirë se ata: Si i latë robtë e Mi? Ata i thonë: I lamë duke u falur dhe i gjetëm duke u falur.” E transmeton Buhariu dhe Muslimi.

Dijetarët thonë se pyetja këtu është bërë që të nxjerrë në pah vlerat e besimtarëve.

Hadithi i dytë është hadithi i  pyetjes së Xhibrilit për profetin -alejhi selam- kur qau duke lexuar një ajet të sures Ibrahim dhe një tjetër të sures El-Maide, siç ka ardhur në hadith: “Profeti -alejhi selam- lexoi fjalën e Allahut në lidhje me Ibrahimin; [O Zot, ata (idhujt) kanë humbur shumë prej njerëzve. Ai i cili më ndjek mua është prej meje.] (Suretu Ibrahim: 36) Dhe fjalën e Isës -alejhi selam-: [Nëse Ti i dënon ata janë robtë e Tu, dhe nëse i fal Ti je i Plotfuqishmi dhe i Urti.] SuretuEl-Maide: 118. Dhe ai ngriti duart dhe tha: o Allah! Ymeti im, ymeti im! – dhe qau. Allahu i madhëruar i thotë Xhibrilit: Shko te Muhamedi dhe pyete edhe pse Zoti yt e di më mirë se kushdo: Pse po qan? I vjen Xhibrili dhe e pyet dhe profeti -alejhi selam- i tregon atij. Atëherë Allahu i thotë: O Xhibril, shko te Muhamedi dhe thuaji: Do të të bëjmë të kënaqur me ymetin tënd dhe nuk do të të hidhërojmë!” E transmeton Muslimi.

Dijetarët thonë se pyetja këtu është bërë për të nxjerrë në pah vlerat e Profetit – alejhi selam -.

Ndërsa në hadithin tonë pyetja është bërë për të nxjerrë në pah vlerën e frikës prej Allahut, sepse sikur të mos ishte kjo pyetje nuk do ta kishim mësuar se pse e fali Allahu këtë burrë.

10- Askush nuk duhet ta humbë shpresën nga mëshira e Allahut sepse mëshira e Tij është e madhe, dhe shfaqja më e madhe e saj do të jetë ditën e llogarisë siç thotë profeti -alejhi selam-:  “Allahu ka një qind rahmete. Me një prej tyre mëshirohen krijesat mes tyre kurse nëntëdhjetë e nëntë të tjerat  janë për ditën e kiametit.” E transmeton Muslimi.

Kjo gjë shpaloset mjaft mirë në hadithin e famshëm të shefatit (ndërmjetësimit) ku Allahu i madhëruar nxjerr prej xhehenemit edhe gjynahqarë që nuk kanë punuar as sa një grimcë prej punëve të mira, dhe thotë: “Ndërmjetësuan melaiket, ndërmjetësuan profetët, ndërmjetësuan besimtarët dhe nuk ka mbetur veçse më i mëshirshmi i të gjithë mëshiruesve. Dhe kap një grusht prej banorëve të zjarrit dhe i nxjerr prej tij edhe pse kurrë nuk kanë punuar ndonjë të mirë, ashtu të shkrumbuar.” E transmeton Muslimi.

11- Nuk duhet nxituar në etiketimin e njerëzve; ky është besimtar dhe ky është jobesimtar bazuar vetëm nga vepra apo fjala e tij në kundërshtim me besimin, sepse ky burrë edhe pse gaboi rëndë kur mendoi se Allahu nuk mund ta ringjallte nëse do të bënte ashtu siç bëri, duke hedhur kështu dyshim në fuqinë e plotë të Allahut për të ringjallur të vdekurit në çfarëdo rrethanash qoftë vdekja e tyre, e megjithatë Allahu e fali. Prandaj dhe dijetarët thonë: Jo çdokush që bie në kufër është kafir, sepse kush bie në të gabimisht gabimi është arsye justifikimi tek Allahu i madhëruar, qoftë ai edhe në lidhje me çështjet e besimit.

Sheihul-Islam IbnTejmije thotë:

“Bërja kafir ndryshon sipas gjendjes së personit, prandaj jo çdo gabimtar apo bidatçi, injorant apo i humbur është kafir, madje as i prishur apo kundërshtar i Allahut.” Shih ‘Mexhmu El-Fetaua’: 12/180.

“Ai që përpiqet prej besimtarëve për të gjetur të vërtetën dhe gabon, Allahu ia fal gabimin e tij kushdo qoftë ai, pavarësisht se gabimi i tij është në çështjet teorike (besimit) apo praktike. Kështu kanë qenë shokët e profetit -alejhi selam-.” Shih ‘Mexhmu El-Fetaua’: 23/346.

 

Përgatiti: Dr. Abdullah Nabolli

Loading...