Histori të bukura të treguara nga Profeti – Historia e gjashtëmbëdhjetë

May 9, 2018

Histori të bukura të treguara nga Profeti -alejhi selam-

– Historia e gjashtëmbëdhjetë –

Ebu Hurejra -radiallahu anhu- tregon se Profeti -alejhi selam- ka thënë:
“Njëherë një burrë tha: Do të jap sadaka këtë natë. Kështu ai doli me sadakanë e tij dhe (pa e ditur) e vendosi atë në dorën e një hajduti. Njerëzit në mëngjes filluan të flasin dhe të thonin: Mbrëmë i është dhënë sadaka filan hajduti! Ai tha: O Allah, Ty të takon lavdia! Do të jap sadaka përsëri këtë natë. Ai doli me sadakanë e tij dhe (pa e ditur) e vendosi atë në dorën e një gruaje imorale. Njerëzit në mëngjes filluan të flisnin dhe të thonin: Mbrëmë i është dhënë sadaka filanes imorale! Ai tha: O Allah, Ty të takon lavdia edhe pse ishte një grua imorale! Do të jap sadaka përsëri këtë natë. Ai doli me sadakanë e tij dhe e vendosi atë në dorën e një të pasuri. Njerëzit në mëngjes filluan të flisnin dhe të thonin: Mbrëmë i është dhënë sadaka një të pasuri! Ai tha: O Allah, Ty të takon lavdia për vjedhësin, për imoralen dhe për të pasurin! Burri më pas pa një ëndërr ku i’u tha: Sadakaja jote të është pranuar. Për sa i përket vjedhësit ndoshta për shkak të saj ai do të braktisë vjedhjen. Ndërsa gruaja imorale ndoshta për shkak të saj lë imoralitetin. Ndërsa i pasuri ndoshta për shkak të saj ndërgjegjësohet dhe jep prej asaj që i ka dhënë Allahu.”
Transmeton Buhariu dhe Muslimi.

Dobitë e përfituara nga kjo histori:

E para: Sadakaja është punë e mirë dhe adhurim i hershëm me të cilin është adhuruar Allahu i Madhëruar, sepse kjo ngjarje u përket popujve para Islamit dhe konkretisht kohës së Beni Israilëve, siç është cilësuar në disa transmetime të tjera. Ajo është punë e mirë sepse tregon për mëshirë ndaj krijesave të Allahut, jo se Allahu nuk ka mundësi t’i furnizojë vet ata por se Ai do që t’a shikojë bamirësinë mes robërve të Tij. Ajo është adhurim i hershëm sepse gjendet kudo që gjenden mësimet e profetëve.
Sadakaja është fjalë arabe dhe do të thotë ‘lëmoshë’. Rrënja prej së cilës rrjedh fjala përdoret për gjërat e forta sepse ato në gjuhën arabe cilësohen me fjalën ‘Sadk’ që do të thotë ‘e fortë’. Kështu, sadakaja është quajtur me atë emër sepse është argument i fortë besimi.
Sadakaja si argument i fortë besimi është cilësuar edhe nga Profeti -alejhi selam- në një hadith kur ka thënë: “Sadakaja është rreze drite.” E transmeton Muslimi.
Ibn Rexheb El-Hanbelij në shpjegimin e hadithit thotë: “Është rreze si rrezja e diellit dhe prandaj argumentet e forta (në Kuran) quhen [burhan] – (rreze drite), sepse ato janë të qarta në tregueshmërinë e tyre. Kështu është dhe sadakaja si rreze treguese për besim të shëndoshë, shpirt të mirë, dhe shenjë e pranisë së ëmbëlsisë së besimit dhe e shijimit të tij.”

E dyta: Përmbushja e zotimeve është cilësi e besimtarëve sepse fjala e burrit; [do të jap sadaka këtë natë], tregon për zotim.
Zotimet janë adhurime të cilat i ndërmarrin besimtarët në emër të Zotit të tyre për t’a shtyrë veten drejt adhurimeve, duke i’a bërë ato detyrë vetes edhe pse në origjinë nuk janë të tilla. Allahu i Madhëruar i ka lavdëruar besimtarët e mirë për përmbajtjen e zotimeve në Kuran, kur ka thënë: “Sigurisht, besimtarët e mirë do të pinë në kupa me pije të përzier me Kafur. * Nga burimi që vetëm robërit e Allahut pinë dhe të cilin mund t’a çojnë nga të duan. * Ata u përmbahen zotimeve dhe i frikësohen Ditës tmerri i së cilës përhapet gjithkund.” Suretu El-Insan: 5-7.
Këto zotime quhen zotime të lavdëruara sepse ato janë të pakushtëzuara dhe besimtari siç e thamë më lart nuk do gjë tjetër veçse t’a shtyjë vetën për në punë të mira, ndryshe nga betimet e kushtëzuara të cilat nuk janë të lavdëruara.
Zotimet e kushtëzuara janë si p.sh.: Nëse Allahu më shëron nga kjo sëmundje unë do të bëj për Të kurban! Nëse Allahu m’a kthen filanin shëndoshë e mirë unë do të jap sadaka! Nëse Allahu m’a bën këtë të mirë, do të bëj për hir të Tij një haxh apo umre! Këto zotime nuk janë të pëlqyera sepse Profeti -alejhi selam- thotë: “Zotimi (i kushtëzuar) nuk shpejton dhe as nuk vonon gjë. Të mirat nëpërmjet zotimeve dalin prej kopracit.” E transmeton Buhariu dhe Muslimi.

E treta: Fshehja e sadakasë është punë më e mirë se dhënia e saj haptazi sepse burri doli për t’a dhënë atë natën, madje për shkak të kësaj pune i ngatërroi njerëzit që e meritojnë atë me të tjerë.
Allahu i Madhëruar thotë: “T’i jepni lëmoshat haptazi është gjë e mirë, por t’ua jepni ato të varfërve fshehurazi është edhe më mirë dhe u shlyen disa nga gjynahet tuaja. Allahu e njeh mirë çdo vepër që bëni.” Suretu El-Bakare: 271.
Ibn Kethiri -Allahu e mëshiroftë- në komentimin e ajetit thotë: “Ajeti tregon se fshehja e sadakasë është më e mirë se dhënia e saj haptazi sepse ashtu është më larg syfaqësisë, veçse nëse në dhënien e saj haptazi ka ndonjë dobi si p.sh. pasimi i njerëzve.”
Sa më e fshehtë të jetë sadakaja aq më shumë shpërblehet tek Allahu, siç thotë Profeti -alejhi selam- për ata që do të futen nën hijen e Allahut atë ditë që nuk ka hije tjetër veç hijes së Tij: “ … dhe një burrë që jep sadakanë e tij fshehurazi aq sa nuk e merr vesh e majta çfarë ka dhënë e djathta.” E transmeton Buhariu dhe Muslimi.
Ibn Batal në komentimin e hadithit thotë: “Ky shembull tregon kujdes të madh në fshehje të sadakasë sepse e majta është shumë afër të djathtës.”

E katërta: Sadakaja në origjinë u takon njerëzve të ndershëm dhe nevojtarë. Kjo sepse sadakaja e burrit kur përfundoi në duart e njerëzve jo të ndershëm si vjedhësi dhe imoralja, apo në duart e njerëzve të panevojshëm si i pasuri, njerëzit u çuditën madje edhe vet burrit nuk i pëlqeu kjo gjë siç duket qartë në përsëritjen dy herë të dhënies së sadakasë.
Për sa u përket njerëzve të nevojshëm është e qartë sepse sadakaja quhet haku i fukarasë, ndërsa për sa u përket njerëzve të ndershëm është sepse i ndershmi e përdor atë në punë të mira kurse i pandershmi mund t’a përdorë atë në punë të këqija.

E pesta: Allahut i çohet lavdi për çdo gjë, e mirë qoftë apo e keqe, dhe kjo është prej nënshtrimit të plotë të robit para vullnetit të Zotit të tij. Kjo sepse burri kur e kuptoi se sadakaja e tij nuk kishte përfunduar në duart e atyre që donte d.m.th. njerëzit nevojtarë dhe të ndershëm, i çoi lavdi Allahut të Madhëruar. Ai as nuk shprehu zemërim ndaj caktimit të Tij dhe as e ndërpreu dhënien e sadakasë, madje ngulmoi t’a jepte atë përsëri.
Aishja -radiallahu anha- tregon se si Profeti -alejhi selam- i çonte lavdi Allahut të Madhëruar për çdo gjendje kur thotë: “Profetit -alejhi selam- kur i ndodhte diçka që e gëzonte thoshte: ‘El-Hamdu lilahi el-ledhij bini’metihi tetimmu es-salihat – (Lavdi Allahut me mirësinë e të Cilit kryhen punët e mira!)’ Dhe kur i ndodhte diçka që nuk e pëlqente thoshte: ‘El-Hamdu lilahi ala kul-li hal – (Lavdi Allahut për çdo gjendje!)” E transmeton Ibn Maxhe, Hakimi etj. dhe e saktëson sheih Albani.
El-Menauij në shpjegimin e këtij hadithi thotë: Caktimi i Allahut gëzim qoftë apo hidhërim, është rahmet dhe mirësi. Sikur t’i zbulohej e fshehta do të ishte kënaqur më shumë me hidhërimin sesa me gëzimin, sepse Allahu e di më së miri se çfarë është më e dobishme për robin e Tij.

E gjashta: Ëndrrat e mira janë të vërteta, madje ato janë pjesë e profetësisë të cilat mund t’i gjejmë edhe te njerëzit e mirë dhe të ndershëm të cilët nuk janë profetë.
Profeti (alejhi selam) ka thënë: “Ëndrrat e mira janë prej Allahut dhe ëndrrat e këqija janë prej shejtanit.” E transmeton Buhariu dhe Muslimi.
Ai gjithashtu thoshte: “O ju njerëz, nuk ka mbetur prej përgëzimeve profetike veçse ëndrra e mirë që sheh muslimani ose e shohin të tjerët për të.” E transmeton Muslimi.

E shtata: Veprat janë sipas nijetit dhe gabimet e paqëllimta nuk ndryshojnë gjë nga shpërblimi. Kjo sepse burrit në të tre rastet i’u pranua sadakaja edhe pse e vuri atë në dorë të atyre që nuk e meritojnë.
Një ngjarje e ngjashme ka ndodhur edhe në kohën e Profetit tonë -alejhi selam- mes një babai dhe birit të tij. Mean bin Jezid -radiallahu anhu- tregon: “Babai im kishte nxjerrë disa dinarë për sadaka dhe i kishte lënë tek një burrë në xhami (që ai t’ua shpërndante atyre që e meritojnë). Pastaj unë shkova dhe i mora, dhe kur i tregova atij (babait) më tha: Pasha Allahun, nuk të kam pas ty për qëllim. Atëherë unë dhe ai shkuam te Profeti -alejhi selam- dhe ai na tha: Ti do të kesh atë që bëre nijet o Jezid dhe ty të takon ajo që more o Mean!” E transmeton Buhariu.
Ibn Haxheri -Allahu e mëshiroftë- në komentimin e hadithit thotë:
Fjala e tij; [Ti do të kesh atë që ke bërë nijet o Jezid] d.m.th. ti bëre nijet të japësh sadaka atij që është nevojtar dhe yt bir është nevojtar. Kështu ajo ka rënë në vendin e saj edhe pse ty nuk të ka shkuar ndërmend se mund të bier në dorë të tij.
Fjala e tij; [ty të takon ajo që more o Mean] d.m.th. të takon sepse e ke marrë si nevojtar.

E teta: Lejohet t’i bëhet mirësi gjynahqarit me nijet për t’a larguar atë nga gjynahu i tij si në rastin e vjedhësit dhe të imorales, sepse prej njerëzve ka që hyjnë në këto punë të pista ngase nuk gjejnë mjaftueshmëri. Apo për t’a ndërgjegjësuar atë si në rastin e të pasurit që të ndjekë edhe ai shembullin e mirë dhe t’u japë hakun fukarenjve, sepse Allahu i Madhëruar me këtë kusht i’a pranoi sadakanë atij burri.

 

Shkroi: Dr Abdullah Nabolli

Loading...