Histori të bukura të treguara nga Profeti – Historia e katërmbëdhjetë (3)

E njëmbëdhjeta: Marrja e shembujve është mënyrë profetike në qartësimin e vlerave të porosive të Allahut. Këtë e gjejmë në këtë hadith por e gjejmë shumë qartë edhe në Kuran, siç thuhet në ajetin: “Shembulli i atyre që marrin kujdestarë të tjerë veç Allahut janë si shembulli i merimangës e cila ka ndërtuar një shtëpi, por shtëpia më e brishtë është shtëpia e merimangës nëse janë që e dinë.* Allahu e di mirë se kujt i luten veç Tij. Ai është Triumfuesi dhe i Urti.* Ne i marrim këto shembuj për njerëzit dhe nuk i kuptojnë ato veçse të dijshmit.” Suretu El-Ankebut: 41-43.
Shembujt e Kuranit janë të shumtë. Allahu i Madhëruar thotë: “Ne u kemi sjellë njerëzve çdo shembull në Kuran që ata të kujtohen.” Suretu Ez-Zumer: 27.
Shembujt e Kuranit dallojnë për nga ndërtimi se janë shembuj të qëlluar, me fjalë të zgjedhura dhe të përshtatura me tematikën që trajtohet.

E dymbëdhjeta: Teuhidi (njësimi i Allahut) është puna e parë e robërve në rrugën për tek Zoti i tyre, si dhe e drejta e Allahut ndaj robërve të Tij. Kjo siç shihet në këtë hadith dhe në shumë shembuj të tjerë në Kuran është fillimi i thirrjes së profetëve. Allahu i Madhëruar në Kuran thotë: “Kemi dërguar te çdo popull një të dërguar që t’ju thotë: Adhurojeni Allahun dhe largojuni tagutit.” Suretu En-Nahl: 36.

E trembëdhjeta: Shirku është padrejtësia më e madhe që i bëhet Allahut, Zotit të botëve, sepse nuk ka shëmti më të madhe se për mirësitë e Tij të falënderohet dikush tjetër. Aq më tepër kur të gjitha gjërat që i shoqërohen Atij në këtë botë nuk janë veçse krijesa të cilat nuk kanë në dorë asgjë.
Allahu i Madhëruar kur do të tregojë për shëmtinë e shirkut në Kuran e bën këtë duke treguar për veten e Tij si i vetmi Krijues, Pronar dhe Rregullator i kësaj bote. Dhe nganjëherë duke treguar për realitetin e dobët të atyre që i shoqërohen, siç thotë në këto ajete:
“Ata të cilëve iu luteni veç Tij nuk posedojnë prej pushtetit as sa cipëza e farës së hurmës. Nëse u luteni ata nuk e dëgjojnë lutjen tuaj, e nëse e dëgjojnë nuk do t’ju përgjigjen, dhe ditën e kiametit do të mohojnë shirkun tuaj. Askush nuk mund të informojë për diçka më mirë se Ai që di çdo gjë.” Suretu El-Fatir: 13-14.
“O ju njerëz, do t’ju japim një shembull prandaj dëgjojeni me vëmendje: Ata të cilët u luteni veç Tij nuk krijojnë dot një mizë edhe sikur të bashkohen të gjithë për të. Nëse miza u merr diçka ata nuk ia marrin dot asaj. Sa i dobët është kërkuesi (idhujt) dhe i kërkuari (miza). * Ata nuk e njohin Allahun me fuqinë dhe madhështinë e Tij ashtu siç është në të vërtetë. Allahu është i Forti dhe Triumfuesi.” Suretu El-Haxh: 73-74.

E katërmbëdhjeta: Namazi është preokupim me Allahun dhe nuk shkon gjatë tij asgjë tjetër që s’ka lidhje me të, qofshin ato fjalë apo vepra, apo edhe mosprezenca e zemrës etj.
Allahu në Kuran i ka lavdëruar ata që falin namaz me përkushtim duke thënë: “Kanë shpëtuar besimtarët. Atë të cilët në namazin e tyre janë të përkushtuar.” Suretu El-Muminun: 1-2.
Muhamed bin Sirini -Allahu e mëshiroftë- thoshte: “Jam informuar se Profeti -alejhi selam- kur falej ngrinte sytë nga qielli dhe për këtë gjë ka zbritur një ajet. Nëse nuk është ajeti; [Kanë shpëtuar besimtarët. Atë të cilët në namazin e tyre janë të përkushtuar], atëherë nuk e di se cili është – dhe ka ulur kokën. Thuhej se ai nuk i zhvendoste sytë nga vendi i sexhdes.” E transmeton Taberiu me zinxhir të saktë.
Në lidhje me këtë veprim kanë ardhur disa hadithe.
Profeti -alejhi selam- thoshte: “Do të ndalohen njerëzit nga ngritja e shikimit nga qielli në namaz ose Allahu do t’jua marrë shikimin.” E transmeton Muslimi
Kur është pyetur për kthimin e kokës në namaz, ka thënë: “Vjedhje e fshehtë që i bën Shejtani namazit të robit.” E transmeton Buhariu.
Ebu Hurejra -radiallahu anhu- tregon: “Ka ndaluar Profeti -alejhi selam- nga tre gjëra në namaz; falja e namazit si gjeli kur ha farat, ulje si ulja e qenit, dhe lëvizja e kokës si dhelpra.” E transmeton imam Ahmedi dhe e saktëson sheih Albani.
Madje me fjalët e Jahjës -alejhi selam- është shprehur edhe Profeti -alejhi selam- në një hadith tjetër, siç tregon Ebu Dherri -radiallahu anhu- se Profeti -alejhi selam- ka thënë: “Allahu vazhdon të jetë i kthyer nga robi i tij në namaz përderisa nuk ka lëvizur kokën. Nëse e lëviz kokën, ai largohet prej tij.” E transmeton imam Ahmedi e të tjerë, dhe e saktëson sheih Albani.

E pesëmbëdhjeta: Agjërimi është punë e veçantë për Allahun dhe ai është krahasuar me mbajtësin e miskut për dy arsye:
E para: Se është punë e fshehtë. Ibn El-Kajimi -Allahu e mëshiroftë- thotë: E ka krahasuar Profeti -alejhi selam- agjërimin me mbajtësin e qeses së miskut, sepse ajo është e mbuluar dhe mbahet poshtë rrobave siç e kanë zakon ata që e mbajnë miskun. Kështu është edhe agjëruesi me agjërimin e tij, i fshehur nga vështrimi i krijesave dhe nuk ia dallojnë dot shqisat e tyre.
E dyta: Për erën e gojës së agjëruesit e cila ditën e kiametit është më e dashur tek Allahu se era e miskut.
Me fjalët e Jahjës -alejhi selam- është shprehur edhe profeti Muhamed -alejhi selam- në një hadith tjetër, siç transmeton Ebu Hurejra -radiallahu anhu-: “Pasha atë që në dorën e Tij është shpirti im! Era e gojës së agjëruesit në ditën e kiametit është më e mirë tek Allahu se era e miskut.” E transmeton Muslimi.

E gjashtëmbëdhjeta: Sadakaja është shpagim për njeriun nga gjynahet dhe shkak për largimin e sprovave dhe të dënimit.
Ibn El-Kajimi -Allahu e mëshiroftë- thotë: Sadakaja ka ndikim të çuditshëm në largimin e sprovave edhe sikur të jetë nga një njeri i prishur dhe zullumqar, madje edhe nga qafiri. Ajo largon shumë lloje sprovash dhe kjo është diçka e njohur nga të gjithë njerëzit, të thjeshtët dhe të veçantët. Të gjithë banorët e tokës e pohojnë këtë gjë sepse e kanë provuar.
Kjo sepse sadakaja shuan zemërimin e Zotit, siç thotë Profeti -alejhi selam-: “Sadakaja e shuan zemërimin e Zotit.” E transmeton Tirmidhiu e të tjerë, dhe e saktëson sheih Albani
Madje ajo shuan edhe gjynahet siç tregon Profeti -alejhi selam-: “Sadakaja e shuan gjynahun siç e shuan uji zjarrin.” E transmeton Tirmidhiu dhe e saktëson sheih Albani.
Prandaj dhe Profeti -alejhi selam- thoshte: “O ju gra, jepni sadaka nga stolitë tuaja sepse u kam parë shumicën e banorëve të xhehenemit.” E transmeton Buhariu dhe Muslimi. Apo hadithi: “Ruajuni nga zjarri qoftë edhe me një gjysmë kokrre hurme.” E transmeton Buhariu dhe Muslimi.

E shtatëmbëdhjeta: Shejtani është armik i madh i njeriut dhe njeriu nuk ruhet dot prej tij veçse me përkujtimin e Allahut. Ai që shton shumë përmendjen e Allahut është gjithmonë më i ruajturi nga të këqijat dhe më i vullnetshmi për punë të mira, sepse ndikimi i shejtanit tek ai është më i dobët.
Shejtani ndikon te njeriu kur ai është i shkujdesur. Allahu i Madhëruar në Kuran thotë: “Thuaj: Kërkoj mbrojtjen e Zotit të njerëzve! * Sundimtarit të njerëzve! * Të adhuruarit të njerëzve! * Prej të keqes së ngacmuesit të madh dhe që fshihet. * I cili ngacmon në shpirtrat e njerëzve. * Prej xhinëve dhe njerëzve.” Suretu En-Nas: 1-6.
Ibn Abasi në komentimin e ajetit thotë: Shejtani ulet në gjunjë mbi zemrën e robit. Nëse shkujdeset ai e ngacmon dhe nëse përmend Allahut fshihet. E transmeton Taberiu.

E tetëmbëdhjeta: Kur vjen rasti i përshtatshëm shfrytëzoje. Këtë e përfitojmë nga veprimi i profetit tonë -alejhi selam- i cili shfrytëzoji rastin e ngjarjes së Jahjës -alejhi selam- për të përcjellë te njerëzit pesë mesazhe të tjera të Allahut. Kjo nëse Profeti -alejhi selam- nuk e ka sjellë qëllimisht atë tregim për t’i paraprirë pesë porosive të tij. Nëse Profeti -alejhi selam- e ka sjellë atë qëllimisht atëherë prej veprimit të tij përfitohet se; nëse do që fjala të jetë e pranueshme apo t’i kushtohet rëndësia e duhur nga të tjerët, atëherë përgatitja asaj terrenin qoftë edhe me një parathënie nxitëse si kjo e Profetit -alejhi selam-.

E nëntëmbëdhjeta: Porositë e Profetit tonë kanë lidhje me ruajtjen e xhematit dhe unitetit mes besimtarëve, dhe mesa duket fakti që vijnë pas porosive të Jahjës të cilat siç e thamë më lartë janë baza e adhurimit, do të thotë se njeriu pasi të ketë formuar veten si besimtar ngarkohet me detyrë që të ruaj xhematin, unitetin mes besimtarëve dhe të jetë i bindur ndaj prijësit të tyre.

E njëzeta: Ai që largohet nga xhemati ka mangësi në bazat e adhurimit ose ka syfaqësi në adhurime, sepse Profeti -alejhi selam- thotë: [… e ka hequr nga qafa e tij hallkën e Islamit], dhe kjo nuk mund të ndodhë veçse në rast mangësish në adhurime apo në rast syfaqësie.

Njëzet e një: Parullat e kohës së injorancës janë thirrja e fisit të tij për ndihmë. Kur dikush e mundte tjetrin, i munduri i thërriste me sa fuqi kishte fisit të tij dhe ata vraponin për ta ndihmuar me të drejtë apo pa të drejtë, dhe kështu konfliktet asnjëherë nuk ndalonin. Këto parulla të dëmshme të asaj shoqërie Islami i zëvendësoi me paraqitjen e çdokujt para ligjit të drejtë të Allahut për të marrë atë që i takon. Nxjerrja e këtyre parullave në Islam do të thotë prishje e xhematit dhe kthim në injorancë. Prandaj Profeti -alejhi selam- thotë: [… do të jetë me grupin e xhehenemit]. Ajo gjithashtu tregon edhe njëherë atë që thamë më lart; ose mangësi në bazat e adhurimit ose syefaqësi, sepse Profeti -alejhi selam- thotë: [… edhe nëse falet, agjëron dhe pretendon se është mysliman].

Njëzet e dy: Parulla e Allahut është të thirret ‘O myslimanë!’ Kështu ka thirrur Umer bin El-Hattabi kur është qëlluar për vdekje nga një mexhusi, siç tregon El-Hasen El-Basrij -Allahu e mëshiroftë-: “Një natë prijësi i besimtarëve e kaloi duke biseduar pastaj doli tek myslimanët për t’u faluar pasi ishte afruar koha, dhe tha: O njerëz, namazin! Njerëzit dolën për të marrë abdes, dhe kur u thirr ikameti ai doli për t’u prirë njerëzve. Atëherë ai i poshtri (mexhusi) e qëlloi me një goditje që mbeti në mishin e trupit të tij, pastaj e qëlloi prapë dhe i preku pjesët e brendshme të trupit dhe e uli për toke. Ai thirri: O myslimanë, kapeni atë burrë!” E transmeton Ibn Shebbe me zinxhir të saktë.

Njëzet e tre: Duhen lënë emërtimet në emër të ndonjë medhhebi akideje, medhhebi fikhu, dijetari, grupacioni etj. përveç emërtimit që ka përdorur Allahu dhe Profeti i Tij si p.sh.; myslimanë, besimtarë dhe robër të Allahut, sepse ato përçajnë umetin. Kjo dobi përfshihet në fjalën e Profetit -alejhi selam- në hadithin: [Thirrni me parullat e Allahut…]

 

Dr. Abdullah Nabolli