Plaka e Beni Israilëve që dinte vendin e eshtrave të Jusufit -alejhi selam-

December 30, 2016

Plaka e Beni Israilëve që dinte vendin e eshtrave të Jusufit -alejhi selam-

Ebu Musa El-Esh’arij radijAllahu anhu tregon:

Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem shkoi njëherë mik te një bedeuin dhe ai e respektoi atë. Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem (për t’ia kthyer respektin) i tha: “Kalo nga ne (kur të dalësh ndonjëherë)!

Bedeuini, kur kaloi nga Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, Profeti e pyeti: “Çfarë nevojash ke?

Ai i tha: Kam nevojë për një deve të shaluar dhe disa dhi për t’i mjelë familja ime. Atëherë Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem i tha: “A nuk munde të ishe si plaka e Beni Israilëve?!”

Sahabët i thanë: Si është puna e plakës së Beni Israilëve, o i Dërguari i Allahut?

Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem u tha:

“Musai, kur vendosi të largohej me Beni Israilët (nga Egjipti), e humbi rrugën dhe u tha Beni Israilëve: Ç’po ndodh kështu?

Ulematë e Beni Israilëve i thanë: Jusufit, kur i erdhi vdekja, na e mori zotimin para Allahut që të mos dalim nga Egjipti pa marrë me vete eshtrat e tij.

Atëherë Musai -alejhi selam- u tha: Kush prej jush e di se ku është varri i Jusufit?

Ata i thanë: Këtë gjë nuk e di veçse plaka më e moshuar e Beni Israilëve.

Musai i çoi asaj lajm dhe kur ajo erdhi, ai i tha: Më trego se ku është varri i Jusufit!

Ajo i tha: Pasha Allahun, nuk tregoj derisa të më japësh atë që dua.

Musai i tha: Çfarë do?

Ajo i tha: Dua që të jem me ty në Xhenet.

Musain -alejhi selam- sikur e rëndoi kjo gjë dhe Allahu i shpalli: Jepja asaj atë që do!

Atëherë ajo i shoqëroi ata te një pellg uji dhe u tha: largojeni këtë ujë!

Kur ata e larguan ujin, ajo u tha: Hapni një gropë!

Kështu ata hapën gropën, nxorën eshtrat e Jusufit dhe i morën me vete. Atëherë rruga u tyre u ndriçua si me dritën e ditës.”

E transmeton Ibn Hibbani, Hakimi Ebu Ja’la dhe e saktëson Shejh Albani.

 Qëllimi i rrëfimit

Kjo histori është sjellë për të nxitur besimtarin që në dëshirat dhe veprat e tij t’i japë përparësi Ahiretit ndaj Dynjasë. Kjo, sepse njeriut i janë zbukuruar të mirat e shpejta të kësaj bote dhe ai shumë lehtë anon drejt tyre duke neglizhuar të mirat e vonuara të Ahiretit, siç thotë Allahu i Madhëruar në Kuran:

 

بَلْ تُؤْثِرُونَ الْحَيَاةَ الدُّنْيَا * وَالْآخِرَةُ خَيْرٌ وَأَبْقَى * إِنَّ هَذَا لَفِي الصُّحُفِ الْأُولَى * صُحُفِ إِبْرَاهِيمَ وَمُوسَى

Jo, porse ju më shumë i jepni përparësi jetës së kësaj bote dhe Ahireti është më i mirë dhe më i qëndrueshëm. Kjo ndodhet në Fletët e hershme, në Fletët e Ibrahimit dhe Musait.[1]

Katade, komentuesi i njohur i Kuranit, në lidhje me fjalën e Allahut “Jo, porse ju më shumë i jepni përparësi jetës së kësaj bote”, thotë: “Kështu njerëzit zgjedhin të mirat e përshpejtuara të kësaj bote me përjashtim të atyre që i ka ruajtur Allahu.

Pastaj në lidhje me fjalën tjetër “Kjo ndodhet në Fletët e hershme” thotë: “Librat e Allahut kanë vazhduar të zbresin siç po e merrni vesh (nga ajeti) me mesazhin se Ahireti është më i mirë dhe më i qëndrueshëm se Dynjaja.[2].

 Dobitë e përfituara nga këto histori

 E para: Mikpritja është adet (traditë) i hershëm i arabëve i trashëguar nga Ibrahimi -alejhi selam-, sepse bedeuini e respektoi Profetin sal-lAllahu alejhi ue sel-lem kur i vajti mik. Profeti ynë Muhamedi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem thotë: “I pari që i ka pritur miqtë është Ibrahimi dhe ai gjithashtu është i pari që është bërë synet.[3] Në Kuran gjithashtu është përmendur dhe pritja e tij që i bëri melaikeve kur i erdhën për ta përgëzuar me Is’hakun:

 

وَلَقَدْ جَاءَتْ رُسُلُنَا إِبْرَاهِيمَ بِالْبُشْرَى قَالُوا سَلَامًا قَالَ سَلَامٌ فَمَا لَبِثَ أَنْ جَاءَ بِعِجْلٍ حَنِيذٍ

Ibrahimit i shkuan melaiket për ta përgëzuar dhe ata i thanë: Selam! Ai u tha: Selam! Dhe menjëherë u solli një viç të pjekur.[4]

Ky adet më pas është vlerësuar shumë nga arabët si pasardhës të Ibrahimit -alejhi selam- që janë, aq sa kushdo që njihej për mikpritje e bënin prijës. Atë më pas e vlerësoi edhe Islami, siç thotë Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem “Kush beson në Allahun dhe në ditën e Gjykimit, ta nderojë mikun.[5]

E dyta: Të mirën ktheje me të mirë, sepse Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem e ftoi bedeuinin për t’ia kthyer respektin! Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem thotë: “Kush ju bën një të mirë, shpërblejani me të mirë! E nëse nuk keni me se ta shpërbleni, atëherë bëni dua për të derisa ta shihni se e kompensuat.”[6]

Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem i është përmbajtur këtij morali deri në fund të jetës së tij dhe ka thënë: “Nuk ka ndonjë njeri që na ka bërë ndonjë të mirë veçse ia kemi shpërblyer me përjashtim të Ebu Bekrit, ai ka një të mirë të cilën do t’ia shpërblejë Allahu ditën e Kiametit.[7]

Është veçuar Ebu Bekri radijAllahu anhu, sepse mirësitë e tij ishin të shumta dhe Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem pasi nuk arriti t’ia shpërblente vet, ia la atë në dorë të Allahut të madhëruar.

E treta: Kujdesu fort për Ahiretin në veprimet e tua, sepse nganjëherë mundet që diçka e vogël të të ndajë nga fitimi i tij! Kjo, sepse këtij bedeuini iu dha një mundësi e veçantë për t’i kërkuar Profetit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ç’të donte dhe nuk e ndau atë nga fitimi i Ahiretit veçse një fjalë goje, mirëpo nuk u tregua i kujdesshëm dhe u nxitua duke rënë preh e një cilësie negative të natyrës njerëzore. Allahu i Madhëruar në Kuran thotë:

 

خُلِقَ الْإِنْسَانُ مِنْ عَجَلٍ

Njeriu është krijuar me nxitim.[8]

Imam Taberiu thotë: “është krijuar me nxitim” d.m.th.:“Duke shpejtuar në krijimin e tij para se të perëndonte dielli në pjesën e fundit të ditës së xhuma, ku në të njëjtën kohë i është fryrë edhe shpirti.”[9]

Ky sekret për të cilin njofton Allahu i Madhëruar në Kuran ka bërë që të ndikojë shumë në veprimet e njeriut, mirëpo ndikimi i tij edhe mund të shmanget, nëse njeriu është i përkushtuar ndaj së mirës dhe prandaj plaka e Beni Israilëve arriti ta shmangë atë dhe të kërkojë më të dobishmen.

E katërta: Besa dhe zotimi i dhënë në emër të Allahut të Madhëruar kanë vlerë të madhe te Ai, sepse zotimi i Beni Israilëve para Jusufit -alejhi selam- bëri që t’ju errësohej nata në momentin më kritik të historisë së tyre. Allahu i Madhëruar në Kuran thotë:

 

وَأَوْفُوا بِالْعَهْدِ إِنَّ الْعَهْدَ كَانَ مَسْئُولًا

Përmbajuni zotimit sepse për të do të pyeteni.[10]

Ndërsa Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem thotë: “Nuk ka besim ai që nuk ka amanet (nuk është besnik në përgjegjësinë e ngarkuar) dhe nuk ka fe ai që nuk ka besë (nuk i përmbahet zotimit).[11]

Vlerën e kësaj bese të marrë nga Jusufi -alejhi selam- ia shtojnë edhe dy gjëra të tjera të cilat ua bënin detyrë atyre nderimin e tij:

  1. Jusufi -alejhi selam- për Beni Israilët ishte profeti i tyre, prej të cilit mësuan fenë dhe mësuan se si të arrijnë kënaqësinë e Allahut, që Ai t’i shpërblejë kur të takohen me të.

2- Jusufi -alejhi selam- për Beni Israilët ishte shkaku i hyrjes së tyre në Egjipt, në vendin më të lulëzuar të asaj kohe, duke u çliruar kështu nga vështirësitë e mëdha të jetesës dhe jetuan atje për një kohë të gjatë të nderuar dhe të respektuar, deri në kohën e Faraonit, të kohës së Musës -alejhi selam i cili qe ai që i nënshtroi dhe i dhunoi. S’ka dyshim se amaneti i një njeriu të tillë, ku për shkak të të cilit kishin parë mirësi të Dynjasë dhe të Ahiretit nuk mund të lihej pa u ruajtur dhe prandaj ndodhi me ta ajo që ndodhi.

E pesta: Profetët e Allahut nuk kanë në dorë Xhenetin, prandaj dhe Musai -alejhi selam- ngurroi t’i jepte plakës së moshuar atë që donte derisa i zbriti shpallja. Kjo, sepse Xheneti është prona e Allahut dhe përderisa nuk bëhej fjalë për një punë të përcaktuar më parë, atëherë një vendim të tillë nuk mund ta merrte veçse Allahu i Madhëruar. Punët e parapërcaktuara për të fituar Xhenetin, për të cilat nuk do të ngurronte Musai -alejhi selam- t’ia premtonte atë plakës, janë siç thotë Allahu i Madhëruar në Kuran:

 

وَمَنْ يُطِعِ اللَّهَ وَرَسُولَهُ وَيَخْشَ اللَّهَ وَيَتَّقْهِ فَأُولَئِكَ هُمُ الْفَائِزُونَ

Ata që i binden Allahut dhe të Dërguarit të Tij, kanë frikë nga Allahu dhe i ruhen Atij, do të jenë të fituarit.[12]

Ky premtim u është premtuar të gjithë profetëve, përfshirë këtu edhe Musain -alejhi selam-, ama në të është përfshirë e gjithë feja.

Katade, komentuesi i njohur i Kuranit, thotë: “Fjala e Allahut “Ata që i binden Allahut dhe të Dërguarit të Tij” d.m.th.: t’i bindet Allahut dhe profetit në urdhrat e tyre.

 Fjala e Tij “kanë frikë nga Allahu” d.m.th.: për gjynahet e tyre të kaluara.

 Fjala e Tij “dhe i ruhen Atij” d.m.th.: t’i frikësohet Atij në të ardhmen.[13]

E gjashta: Mbajtja e eshtrave të Jusufit -alejhi selam- nuk do të thotë se profetët i tret toka, siç mund të duket nga ana e jashtme e hadithit. Kjo, sepse Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem thotë: “Allahu ia ka bërë haram tokës të hajë trupat e profetëve.[14] Atëherë, nëse Allahu i ruan trupat e profetëve të Tij, si shpjegohet mbajtja e eshtrave të Jusufit -alejhi selam-?

Përgjigja: Fjala eshtra në gjuhën arabe mund të thuhet edhe për trupin, kështu që shprehja “nxorën eshtrat e Jusufit” d.m.th.: nxorën trupin e Jusufit -alejhi selam- dhe përdorimin e këtij termi me këtë kuptim e hasim edhe në një hadith tjetër!

Ibn Umeri radijAllahu anhu thotë: “Kur Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem u shëndosh, Temim Ed-Dari i tha: A të të bëj një minber, o i Dërguari i Allahut, që të mbajë eshtrat e tua?”[15]. Fjala e tij “të mbajë eshtrat e tua” d.m.th.: të mbajë trupin tënd.

E shtata: Nisja e Musait -alejhi selam- së bashku me Beni Israilët për të dalë nga Egjipti ka ndodhur natën, sepse hadithi tregon se pas marrjes së Jusufit -alejhi selam- “rruga u ndriçua si me dritën e ditës” që do të thotë se ata dolën natën. Këtë gjë e vërteton edhe Kurani ku tregohet se Allahu i Madhëruar i thotë Musait -alejhi selam-:

 

فَأَسْرِ بِعِبَادِي لَيْلًا إِنَّكُمْ مُتَّبَعُونَ

Nisu me robtë e Mi natën dhe dijeni se do t’ju ndjekin[16].

Kjo natë për të cilën bëhet fjalë, edhe në hadith edhe në ajet, është nata e Ashurasë (nata e dhjetë e muajit Muharrem), sepse shpëtimi i Musait -alejhi selam- ka ndodhur ditën e Ashurasë siç tregon Ibn Abasi radijAllahu anhu i cili thotë: Kur Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem arriti në Medine dhe i gjeti hebrenjtë duke agjëruar ditën e Ashurasë, i pyeti:“Ç’është kjo ditë?” Ata i thanë: Kjo është një ditë e madhe. Allahu e ka shpëtuar në këtë ditë Musain -alejhi selam- bashkë me popullin e tij.” E transmeton Buhariu dhe Muslimi. Pra, Musai -alejhi selam- për të dalë nga Egjipti është nisur natën e Ashurasë dhe pas lindjes së Diellit është ndjekur nga Faraoni siç thuhet në Kuran:

 

فَأَتْبَعُوهُمْ مُشْرِقِينَ * فَلَمَّا تَرَاءَى الْجَمْعَانِ قَالَ أَصْحَابُ مُوسَى إِنَّا لَمُدْرَكُونَ * قَالَ كَلَّا إِنَّ مَعِيَ رَبِّي سَيَهْدِينِ * فَأَوْحَيْنَا إِلَى مُوسَى أَنِ اضْرِبْ بِعَصَاكَ الْبَحْرَ فَانْفَلَقَ فَكَانَ كُلُّ فِرْقٍ كَالطَّوْدِ الْعَظِيمِ * وَأَزْلَفْنَا ثَمَّ الْآخَرِينَ * وَأَنْجَيْنَا مُوسَى وَمَنْ مَعَهُ أَجْمَعِينَ * ثُمَّ أَغْرَقْنَا الْآخَرِينَ

Ata i ndoqën kur lindi Dielli dhe kur u takuan dy grupet, shokët e Musait i thanë: ata do të na kapin. Ai u tha: Jo, sepse me mua është Zoti im dhe Ai do të më udhëzojë (për të gjetur mënyrën e shpëtimit). Atëherë Ne i shpallëm Musait: Gjuaje me shkopin tënd detin! dhe deti u ça dhe në çdo anë u bë si mali i madh. Ndërkohë, Ne i afruam të tjerët dhe e shpëtuam Musain me të  gjithë ata që ishin me të pastaj ne i mbytëm të tjerët.[17]

 

 Shkroi: Dr. Abdullah Nabolli

 

 

[1] Suretu El-Eala: 16-19.

[2] E transmeton Taberiu me zinxhir të saktë.

[3] E transmeton Ibn Asakir dhe e saktëson Shejh Albani.

[4] Suretu Hud: 69.

[5] E transmeton Buhariu dhe Muslimi.

[6] E transmeton Ebu Daudi dhe e saktëson Shejh Albani.

[7] E transmeton Tirmidhiu dhe e saktëson Shejh Albani.

[8] Suretu El-Enbija: 37.

[9] Shih “Tefsir Et-Taberij”(18/443).

[10] Suratu El-Isra: 34.

[11] E transmeton Imam Ahmedi dhe e saktëson Shejh Albani.

[12] Suretu En-Nur: 52.

[13] Shih “Tefsir Ibn Ebi Hatim” (8/2624).

[14] E transmeton Ebu Daudi, Ibn Maxhe, Nesaiu dhe e saktëson Shejh Albani.

[15] E transmeton Ebu Daudi dhe e saktëson Shejh Albani.

[16] Suretu Ed-Dukhan: 23.

[17] Suretu Esh-Shuara: 60-66.

Loading...