Historia e Profetit Muhamed me Muadhin

September 13, 2019

Porosi të bukura profetike

Transmetohet nga Muadh bin Xhebel (radijAllahu anhu) se i Dërguari i Allahut (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) e kapi atë prej dore dhe i tha: “O Muadh! Pasha Allahun unë të dua ty! Pasha Allahun unë të dua ty!” Dhe i tha: “Të porosis o Muadh që në fund të çdo namazi të thuash (këtë lutje): Allahumme einni ala dhikrike ue shukrike ue husni ibadetike – O Allah! Më ndihmo të të përmend Ty, të jem falënderues ndaj Teje dhe t’a përsos adhurimin tënd!” Transmeton Ebu Daudi (1522) dhe Nesaiu (1303). Shih “Mishkatul-Mesabih” (949) dhe “Sahihul-Xhami” 7969 (3063). Hadithin e kanë konsideruar të saktë shejh Ibën Bazi dhe shejh Albani (Allahu i mëshiroftë!).

Kuptimi i përgjithshëm:

Profeti (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) e njofton Muadhin (radijAllahu anhu) se e do atë, dhe për shkak të kësaj dashurie ai (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) i tregon atij një lutje që t’a thotë në fund të çdo namazi.

Dobitë që përfitohen nga kjo porosi profetike:

  1. Prej Sunetit është që personi kur e do dikë t’a njoftojë atë, ngase kjo e shton dashurinë midis tyre dhe është prej shenjave të besimit.
  2. Vlera e këtyre fjalëve të bukura dhe të begata të cilat kanë përfshirë të mirat e dynjasë dhe botës tjetër.
  3. Me thënien e kësaj lutje t’i kërkon nga Zoti të të ndihmojë që t’a përmendësh Atë me zemër, gjuhë dhe gjymtyrë.[1]
  4. Profeti (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) nuk tha “ala ibadetike”, por tha “ue husni ibadetike”, ngase njeriu mund t’a adhurojë Zotin e tij porse adhurimi nuk është i përsosur (saktë). Qoftë kjo për shkak të mungesës së sinqeritetit ose për shkak të mospasimit të Profetit (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem). Puna/adhurimi nuk pranohet tek Allahut i Lartësuar vetëm se me përmbushjen e dy kushteve: Sinqeriteti për Allahun e Lartësuar dhe pasimi i të Dërguarit të Allahut (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem).[2]
  5. Më e mira është që kjo lutje të thuhet para dhënies së selamit ngase kështu ka ardhur në disa transmetime se lutjet bëhen para dhënies së selamit. Siç përmendet në hadithin që transmeton Ibën Mesudi (radijAllahu anhu): “Pastaj të zgjedhë çfarë të dojë prej lutjeve.” Nisur nga kjo; “Allahumme einni ala dhikrike ue shukrike ue husni ibadetike” thuhet para dhënies së selamit. Ndërsa për pas selamit çfarë ka thënë Allahu i Lartësuar: “Pasi të kryeni namazin, përmendeni Allahun.” En-Nisa, 103. Pra nuk tha: Luteni Allahun.[3]

 

Mblodhi dhe përktheu: Unejs Sheme

———————————————

[1] Ibën Uthejmini (Allahu e mëshiroftë!) në “Sherh Mishkah el-Mesabih”, vëll. 2.

[2] Shih për më shumë fjalën e Shejh Ibën Uthejminit (Allahu e mëshiroftë!) në “Sherh Mishkah el-Mesabih”, vëll. 2.

[3] Shejh Ibën Uthejmini (Allahu e mëshiroftë!) në “Mexhmu fetaua ue Rasail”, vëll. 13.

Dosje:

Loading...