Haku i fqinjëve
Allahu i Lartësuar thotë:
وَاعْبُدُوا اللَّهَ وَلَا تُشْرِكُوا بِهِ شَيْئًا ۖ وَبِالْوَالِدَيْنِ إِحْسَانًا وَبِذِي الْقُرْبَىٰ وَالْيَتَامَىٰ وَالْمَسَاكِينِ وَالْجَارِ ذِي الْقُرْبَىٰ وَالْجَارِ الْجُنُبِ وَالصَّاحِبِ بِالْجَنبِ وَابْنِ السَّبِيلِ وَمَا مَلَكَتْ أَيْمَانُكُمْ ۗ إِنَّ اللَّهَ لَا يُحِبُّ مَن كَانَ مُخْتَالًا فَخُورًا
“Adhurojeni Allahun dhe mos i bëni shirk Atij asgjë (mos adhuroni përveç Tij asgjë), dhe silluni mirë ndaj; prindërve, të afërmve, jetimëve, të varfërve, fqinjit të afërm dhe të largët, gruas, shokut, kurbetqarit, punëtorëve tuaj, dhe gjësë së gjallë. Me të vërtetë që Allahu nuk i do ata që u ka hyrë vetja ne qejf dhe mburren.” Nisa: 36.
Në javët e kaluara kemi folur rreth hakut të prindërve dhe të afërmve. Tani është radha të flasim rreth hakut të komshiut.
Trajtimit të hakut të komshiut i jepet rëndësi e veçantë sepse siç kanë thënë dijetarët; fqinjësia përfshin haqe dhe të drejta më shumë sesa përfshin vëllazëria Islame. Komshiu musliman ka hakun dhe te drejtat që ka muslimani dhe shtesë kësaj ka hakun e fqinjësisë. E drejta dhe shenjtëria e fqinjit ishte madhështore në injorancën para-Islame dhe më pas edhe në Islam. Është e logjikshme, e ligjshme, e moralshme, dhe fe.
Dijetari i madh Ibn Kudame, Allahu e mëshiroftë, ka thënë:
“Nuk është e drejta dhe haku i fqinjësisë vetëm të mos e dëmtosh fqinjin por edhe të durosh dëmin dhe lëndimin e tij. Gjithashtu, haku dhe e drejta e fqinjësisë është; butësia ndaj fqinjit, t’i fillosh ti të mirat ndaj tij, ta përshëndesësh me selam i pari, mos t’a zgjasësh muhabetin me të aq sa t’a bezdisësh, t’i shkosh për vizitë kur sëmuret, t’a ngushëllosh kur ka kaluar ndonjë fatkeqësi, t’a urosh kur ka gëzime, t’a falësh kur gabon, të mos shikosh e të mos mbikqyrësh shtëpinë e tij, të mos e ngushtosh e bezdisësh duke vendosur drunjët në hapësirën e tij (në kohën tonë vlen edhe mos të parkosh makinën në vendin e tij të parkimit ose para derës së tij), e as t’ja ndalosh apo pengosh vijën e ujit për tek shtëpia e oborri i tij, e as duke hedhur dheun e mbeturinat në oborrin e tij, e as duke e ndjekur me shikim tek sendet të cilat po mbart për në shtëpinë e tij, t’ja mbulosh, fshehësh dhe heshtësh ndaj ndonjë të fshehte e ndonjë të mete e gabimi të tij, e as të mos degjosh e përgjosh çfarë flet, të ulësh shikimin e të mos shikosh anëtaret femra të familjes së tij, dhe të vëresh e të kujdesesh për nevojat e familjes së tij kur ai është në udhëtim.”
Dijetarët kanë thënë: Të sillesh mirë me fëmijët e tij dhe t’i këshillosh e mësosh gjërat të cilat nuk i dinë në fenë dhe dunjanë e tyre.
Sjellja e mirë ndaj fqinjit mund të vijë në disa raste me kuptimin e ngushëllimit, në disa raste në kuptimin e bashkëjetesës së mirë me të, në disa raste në kuptimin e mos lëndimit të tij e mos bërjes padrejtësi ndaj tij, dhe në disa raste me kuptimin e mbrojtjes dhe ndihmës ndaj tij.
- Kush konsiderohet fqinj e komshi?
El Hafidh ibnul Haxher në ‘Fet’hul Bari’ thotë:
Emërtimi fqinj përfshin muslimanin dhe jomuslimanin, të devotshmin dhe gjynahqarin e madh, shokun dhe armikun, të huajin dhe vendasin, atë prej të cilit ke dobi dhe atë prej të cilit ke dëm, kushëriri dhe i huaji, i afërti në distancë dhe i largëti.
- Kush konsiderohet fqinj i afërt dhe i largët i cili përmendet në ajet?
Fqinji i afërt konsiderohet kur ka afërsi gjaku me të, ndërsa fqinji i largët është e kundërta. Ky është mendimi i shumicës. Gjithashtu është thënë: Fqinji i afërt është muslimani, ndërsa fqinji i largët konsiderohen të tjerët (jomuslimanët).
- Deri në çfarë largësie me shtëpi konsiderohet komshi?
Dijetarët kanë dhënë mendime nga mëtë ndryshmet, prej tyre:
Trasmeton ibn Uehbi nga Junusi, dhe ky nga ibn Shihabi se ka thënë: Dyzetë shtëpi nga e djathta, dyzetë nga e majta, dyzetë nga pas, dhe dyzetë para teje.
- Cilat janë gradët e fqinjësisë?
Fqinji ka disa gradë më të larta se të tjerat. Gradën më të lartë e ka ai tek i cili janë mbledhur cilësitë e para të mësipërme (musliman, i devotshëm, shok,etj), e sa vështirë është të mblidhen të gjitha këto tek një person. E kundërta (grada më e ulët) kur mblidhen tek një person cilësitë e tjera (jomusliman, gjynahqar i madh, armik, etj). Secilit i jepet haku dhe e drejta që i takon sipas gradës së tij.
Aishja (radiAllahu anha) e ka pyetur Profetin ﷺ se ka dy komshinj. Cilës palë t’i dhuroj diçka që kam dashur t’a dhuroj? Profeti ﷺ i tha: “Dhuroja atij që ke më afër me derë.’’
_________ Hutbja e dytë_________
Haku i komshiut në Traditën Profetike.
- Sjellja e mirë me komshiun.
Profeti ﷺ ka thënë: ‘’Sillu mirë me komshiun që të jesh musliman.’’
Trasmeton Muslimi se Profeti ﷺ ka thënë: ‘’Pasha Atë në Dorën e të Cilit është shpirti im, nuk beson plotësisht njeriu derisa të dojë për komshiun çfarë do për vete.’’
Profeti ﷺ ka thënë: “Tre kategori njerëzish i do Allahu… (dhe prej tyre përmendi) njeriu të cilin e lëndon komshiu dhe ai bën sabër dhe duron.”
- Porosia për përkujdesje ndaj komshiut.
Profeti ﷺ ka thënë: ‘’Aq shumë më porosiste Xhibrili ﷺ për komshiun sa mendova se komshiu do të bëhej edhe trashëgimtar i pasurisë së njeriut pas vdekjes (krahas familjes së tij).’’
Profeti ﷺ i ka thënë Ebu Dherrit (radiAllahu anhu):
‘‘Kur të gatuash gjellë shtoji ujë asaj (që të dalë sasi më e madhe), dhe shih gjendjen e komshinjve (nëse nuk kanë çfarë të hanë) dhe jepu një pjesë të gjellës.’’
Profeti ﷺ ka thënë: ‘‘Nuk ka besuar plotësisht ai i cili ngopet e komshiu ngjitur me të është i uritur.’’
Imami i madh shkodran, Shejh Albani (Allahu e mëshiroftë) ka thënë në lidhje me këtë hadith: Në këtë hadith ka argument të qartë se është e ndaluar për komshiun e pasur t’i lërë komshinjtë e tjerë të uritur. E ka detyrë t’u japë për të ngrënë aq sa të heqin urinë, dhe gjithashtu t’u japë rroba të vishen nëse skanë çfarë të veshin.
- Kush është komshiu më i mirë?
Profeti ﷺ ka thënë: ‘’Shoku më i mirë tek Allahu është ai që është më i miri për shokët e tij. Komshiu më i mirë tek Allahu është ai i cili është më i miri për komshinjtë e tij.’’
- Komshiu i mirë është prej shkaqeve të lumturisë.
Profeti ﷺ ka thënë: “Katër gjëra janë prej lumturisë: Gruaja e mirë, shtëpia e madhe dhe e gjerë, komshiu i mirë, mjeti i rehatshëm i udhëtimit.’’
- Rrezikshmëria e lëndimit të komshiut.
Profeti ﷺ ka thënë: ‘’Ai i cili beson Allahun dhe Ditën e Fundit të mos e lëndojë komshiun e tij.’’
Profeti ﷺ ka thënë: ‘‘Nuk hyn në xhenet ai që komshiu i tij nuk është i sigurt e rehat prej tij.’’
Profeti ﷺ na ka porositur t’i ruhemi mallkimit të komshiut, mos t’a çojmë veten të na mallkojë komshiu e t’i pranohet mallkimi.
Profeti ﷺ ka thënë: ‘‘Dy kategoritë e para që bëhet gjyqi mes tyre në Ditën e Gjykimit janë palët e komshinjve që kanë pasur probleme mes tyre.’’
Një njeri e pyeti Profetin ﷺ: Si t’a kuptoj unë a jam njeri i mirë apo njeri i keq?
Profeti ﷺ i tha: ‘’Nëse komshijtë e tu thonë që je njeri i mirë, dije se je njeri i mirë. Nëse komshijtë e tu thonë se je njeri i keq, dije se je njeri i keq.’’
Një njeri i tha Profetit ﷺ: ‘’O i Dërguari i Allahut! Filania fal shumë namaz nafile dhe agjëron shumë ditë vullnetarisht, por i bën padrejtësi komshinjve me gjuhën e saj.
Profeti ﷺ tha: Ajo do të hyjë në zjarr.
Më pas ai njeri tha: O i Dërguar i Allahut! Filania fal vetëm namazet farze dhe kryen vetëm detyrimet fetare e nuk ka vepra vullnetare, por nuk i bën padrejtësi komshinjve të saj.
Profeti ﷺ tha: Ajo do të hyjë në Xhenet.”
- Gjynahu që bëhet ndaj komshiut është shumëfish më i madh e më i rëndë se gjynahu ndaj dikujt tjetër.
Profeti ﷺ i ka pyetur sahabët: “Cili është gjykimi i zinasë (imoralitetit, marrëdhënia pa kurorë)?
Sahabët thanë: Haram! E ka ndaluar Allahu dhe i Dërguari i Tij.
Profeti ﷺ tha: Kryerja e zinasë me dhjetë femra është më pak e rëndë sesa kryerja e zinasë me gruan e komshiut.”
Profeti ﷺ i pyeti sahabët: ‘‘Cili është gjykimi i vjedhjes?
Sahabët thanë: Haram! E ka ndaluar Allahu dhe i Dërguari i Tij.
Profeti ﷺ tha: Vjedhja e dhjetë shtëpive është më pak e rëndë sesa vjedhja e shtëpisë së komshiut.’’
Profeti ﷺ ka thënë: ‘’O gratë e muslimanëve! Mos i’a nënçmoni komshija komshies dhuratat që ju bën. “
- A mbahet fqinjësia e mirë me gjynahqarët e mëdhenj dhe jobesimtarët?
Po, padyshim! Është detyrë mbajtja e fqinjësisë së mirë me gjynahqarët dhe jobesimtarët, ashtu siç është detyrë mbajtja e lidhjeve farefisnore me kushërinjtë gjynahqarë dhe jobesimtarë.
Nuk lejohet t’i bësh padrejtësi apo të sillesh keq me komshiun gjynahqar dhe komshiun jobesimtar. Ne e ndihmojmë komshiun gjynahqar dhe jobesimtar kur ka nevojë, u shkojmë për vizitë dhe i urojmë kur fejohen, martohen, shtohen me fëmijë, diplomohen, apo çfarëdo lloj gëzimi, por nuk marrim pjesë në haramet e tyre kur ka shirk, alkool ose muzikë etj. Nuk marrim pjesë kur bëjnë shirk e as nuk i urojmë për festat e tyre të idhujtarisë.
Të Ngjashme
- Mirësitë e Allahut kërkojnë falënderim Abdurrazak ibn Abdulmuhsin el-Bedër
- Dhjetë mënyra për tu mbrojtur nga shejtani Abdurrazak ibn Abdulmuhsin el-Bedër
- Ramazani – testi dhe dhurata e radhës Emin Bilali
- Mësime dhe dobi të përfituara nga surja El Ihlas Udha e Besimtarëve
- Mbështetja tek Allahu Udha e Besimtarëve