Ibn Tejmije dhe qëndrimi i tij ndaj disa rrymave fetare islame.

September 27, 2016

Sheikhu islam Ibn Tejmije -Allahu e mëshiroftë- dhe qëndrimi i tij ndaj disa rrymave fetare islame.
-Pjesa e parë-
Pse sheikh-ul-islam Ibn Tejmije?

Kushdo që njeh sadopak biografinë e sheikhut të islamit Ibn Tejmijes, nivelin e njohurive të tij, shkrimet e tij, përpjekjet e tij për përhapjen e dijes dhe lavdërimet që i kanë bërë si dijetarët e kohës së tij ashtu edhe ata pas kohës së tij arrin në përfundimin se Ibn Tejmije është hallka lidhëse e brezit pas tij me brezin e selefëve para tij.
Është e pamundur sot të njihesh me menhexhin e selefeve për të cilët profeti -alejhi selam- -alejhi selam- tregon në hadithin e përçarjes se grupi i shpëtuar duhet të jetë në menhexhin e tyre pa pasur një lidhje me librat e sheikhut islam Ibn Tejmije dhe kjo sipas mendimit tim për dy arsye:

1-Është e vështirë që sot dikush të arrijë dijen e tij sepse dija e njeriut nuk varet vetëm nga aftësia e tij për të mësuar por edhe nga mjedisi dhe situatat që gjendet dhe përderisa profeti -alejhi selam- njofton: “Nuk ka për të ardhur ndonje kohë veçse ajo pas saj do të jetë më e keqe se ajo para saj” e transmeton Buhariu. Atëherë sa më shumë të ecë koha aq më e keqe do të jetë gjendja dhe për rrjedhojë është më e vështirë të arrihet gradat e atyre që ishin përpara nesh.

2- Edhe nëse do të ishte e mundshme arritja e gradës së tij është e vështirë të çlirohesh nga të kuptuarit e brezit ku jeton e të kthehesh te të kuptuarit e selefëve kuptimi i të cilëve nuk ishte i njollosur nga bidatet e mëvonshme. Brezi i parë jetoi një jetë që kishte kthjelltësinë e të kuptuarit, të menduarit dhe të devotshmërisë sipas udhëzimeve profetike por më vonë kjo kthjelltësi filloi të prishej derisa u turbullua tek shumica e njerëzve me daljen e grupeve të bidatit.
Diçka nga biografia e sheikh-ul- islam Ibn Tejmijes -Allahu e mëshiroftë-.

Emri i tij është Ahmed bin Abdul-Halim El-Harrani i njohur me llagapin Ibn Tejmije ose sheikh-ul-islam Ibn Tejmije -Allahu e mëshiroftë-. Ai lindi në vitin 661 sipas hixhretit (1263 sipas kalendarit kristian) në Harran qytet i vjetër historik ku mendohet të ketë kaluar në të Ibrahimi -alejhi selam- sepse me banorët e këtij vendi mendohet të ketë ndodhur debati i tij në lidhje me adhurimin e diellit dhe të hënës siç është përmendur në suren El-En’am: 74-81. Ky qytet sipas ndarjeve të sotshme gjeografike gjendet në kufirin siriano-turk nën administrimin e Turqisë por që është banuar nga arabet që në kohën e parë të përhapjes së islamit. Në vitin 667 sipas hixhretit kur Ibn Tejmije ishte gjashtë vjeç familja e tij emigroi bashkë me të për në Damask për shkak të agresioneve të tatarëve.

Sheikh-ul-islam Ibn Tejmije lindi dhe u rrit në një familje të njohur për dije ku më të shquarit ishin babai i tij Abdul-Halimi dhe gjyshi i tij Abdus-Selami dhe kështu ai e filloi kërkimin e dijes që i vogël dhe arriti të shquhej në shumë fusha të dijes si gjuhë arabe, Kuran, hadith, tefsir, filozofi, histori etj. Të gjitha këto falë dhuntive që i kishte dhënë Allahu i madhëruar në logjikën dhe memorien së tij të fortë dhe vullnetit të tij të hekurt aq sa i çudiste banorët e Damaskut kur fliste.
Ai ka pasur një durim të paparë në kërkimin e dijes siç thotë një prej nxënësve të tij se e ka dëgjuar duke thënë: Ndoshta kam lexuar për kuptimin e një ajeti 100 libra tefsiri dhe pastaj i lutesha Allahut duke thënë: O Ti që e ke mësuar Ibrahimin, më mëso! O Ti që i ke mundësuar Sulejmanit të kuptojë, ma mundëso të kuptoj! Gjithashtu shkoja te xhamitë e vjetra dhe të braktisura dhe e vendosja fytyrën për dhe duke iu lutur Allahut: O mësuesi i Ibrahimit ma mundëso të kuptoj!
Tregohet prej tij gjithashtu se ka thënë: nganjëherë më lidhet në mendje ndonjë çështje që nuk i jap dot zgjidhje dhe i bëj istigfar Allahut një mijë herë apo më shumë derisa të më çlirohet kraharori dhe ti gjej zgjidhje.

Ai gjithashtu ka qenë njeri i thjeshtë jo i dhënë pas bukurive të kësaj bote, cilësi kjo e parë prej tij që në vogëli siç thotë njëri prej nxënësve të tij: Një herë babai i tij i tha mësuesit që i mësonte atij Kuranin: dua prej teje ta porosisësh dhe ti premtosh që nëse nuk shkëputet nga Kurani dhe leximi i tij do të jap 40 dërhem në muaj. Babai ia jep mësuesit 40 dërhemët dhe i thotë: jepja atij se është i vogël dhe gëzohet dhe shton përkushtimin e tij në memorizimin e Kuranit dhe mësimin e tij dhe thuaji gjithashtu se në çdo muaj do të kesh të njëjtën shumë. Ibn Tejmija nuk e pranoi këtë gjë dhe i tha mësuesit: zotëri, unë i kam dhënë besën Allahut se nuk marr shpërblim për kuranin.
Ibn Tejmija -Allahu e mëshiroftë- ka filluar të japë fetva që para se të mbushte 20 vjeç dhe pas vdekjes së të atit kur kishte mbushur 21 vjeç ka marrë në dorë mësimdhënien në Dar El-Hadith (Shtëpina e Hadithit) në vend të babait të tij dhe një vit më vonë e kanë ulur në xhaminë kryesore të Damaskut në xhaminë e Emevive për të komentuar Kuranin pas xhumasë dhe kështu fillon udhëtimi i gjatë i Ibn Tejmijes në mësimdhënie dhe edukim sepse Allahu i madhëruar në Kuran i porosit profetët ti thonë njerëzve: “Jini edukatorë për shkak të mësimit të librit të Allahut dhe leximit e tij” Ali Imran: 79. Kjo porosi e Allahut në radhë të parë është për dijetarët që t’jua mësojnë njerëzve dijen e saktë të librit të Allahut, t’jua sqarojnë atë atyre dhe ti edukojnë ata me të.

Mësimi dhe edukimi është detyrë e vështirë dhe e mbushur me sprova sepse kërkon tu mësosh njerëzve dije të pastër, të saktë dhe pastaj ti edukosh ata me të siç kanë bërë profetët e Allahut me popujt e tyre dhe për shkak të saj kanë hasur vështirësi nga më të ndryshmet. Këto vështirësi nuk i kanë munguar as Ibn Tejmijes sepse iu desh të përballej me bidatet në fe të mbledhura nga historia 600-700 vjeçare e islamit në kohën e tij për ti rikthyer njerëzit tek dija e pastër e Kuranit dhe e sunetit.
Disa lavdërime të dijetarëve për sheikh-ul-islam Ibn Tejmije.
Ibn Tejmijen -Allahu e mëshiroftë- e kanë lavdëruar shumë dijetarë, madje disa prej tyre e kanë titulluar “Sheikh-ul-Islam” dhe Ibn Nasir Ed-Dimeshkij (dijetar i vdekur në vitin 842H) ka numëruar 87 prej tyre në botën islame deri në kohën e tij që e kanë titulluar me këtë titull.
Ja, disa lavdërime nga dijetarë shumë të njohur dhe bashkëkohës të tij:
Ibn Dakik El-Ijd (dijetar i madh i fikhut dhe i bazave të tij i vdekur 702H) kur është takuar me të dhe ka dëgjuar fjalët e tij i ka thënë: “Nuk kam menduar se Allahu akoma krijon njerëz si ti”
Ibn Ez-Zemelkanij (dijetar i fikhut i vdekur në vitin 727H): Ibn Tejmija kur pyetej për një gjë, pyetësi mendonte se ai nuk di tjetër dije veç saj (sepse jepte përgjigje të bollshme dhe të mjaftueshme).

Ai kur pyetej për sheikh-ul-islam Ibn Tejmije thoshte: Nuk është parë si ai që prej 500 apo 400 vitesh.
El-Mizzij (dijetar i madh i hadithit i vdekur në vitin 742H): Nuk kam parë si ai dhe as ai nuk ka parë si vetja e tij. Nuk kam parë njeri më të ditur në lidhje me librin e Allahut dhe synetin e profetit të tij dhe as më të kapur pas tyre sesa ai.
Ai gjithashtu thoshte: Nuk është parë si ai që prej 400 vjetësh
Edh-Dhehebij (dijetar i madh i historisë dhe hadithit i vdekur në vitin 748H): Ibn Tejmije ka qenë mrekullia e Allahut në lidhje me zgjuarsinë dhe shpejtësinë e të kuptuarit dhe koka në lidhje me njohuritë e Kuranit dhe Sunetit dhe kundërshtimet e njerëzve në fe si dhe det në transmetime. Ai ka qenë i vetëm në kohën e tij.
Vijon …………

Dr.Abdullah Nabolli

Loading...