Is’hak bin Ahmed el Katani thotë: Në Bagdad kishim një komshi i cili njihej me sloganin ‘Mjeku i njerëzve të devotshëm’, sepse kujdesej për njerëzit e mirë dhe herë pas here i vizitonte ata. Një herë ai më tha:
Një ditë hyra tek Ahmed bin Hanbel dhe e pashë të shqetësuar dhe të merakosur. Çfarë ke o Ebu Abdilah, – e pyeta? Asgjë për t’u shqetësuar, – ma ktheu ai. Si është puna? Ai më tha: U sprovova me atë sprovë derisa më qëlluan, dhe pastaj më kuruan dhe u shërova por më ka mbetur një pjesë në shtyllën kurrizore që më dhemb. Në fakt ajo pjesë është më e rëndë për mua se vet gjurmët e goditjes. Unë i thashë: Ma trego shpinën. Ai e zbuloi dhe aty pashë vetëm gjurmët e goditjes dhe asgjë tjetër. Unë nuk di më shumë por do të pyes për këtë, – i thashë atij.
Pastaj u largova nga Ahmedi dhe shkova tek roja i burgut me të cilin kisha njoftësi. A mund të hyj në burg për një punë timen, – e pyeta? – Hyr. Unë hyra brenda dhe i mblodha djemtë që punonin aty. Me vete kisha edhe disa dirhem të cilat ua shpërndava. Fillova të flas me ta derisa u ndien mirë me praninë time. Pastaj u thashë: Cili nga ju ka rrahur më shumë njerëz? Ata filluan të krenoheshin derisa në fund ranë dakort për njërin mes tyre, i cili kishte rrahur më shumë se të tjerët dhe që ishte më i durueshëm. Unë iu afrova dhe i thashë: Do të të pyes për diçka. – Po, më tha ai, – pyetëm! Një plak i thyer në moshë që nuk ka punuar siç keni punuar ju, është rrahur sepse ka vjedhur për shkak të varfërisë me disa kamzhikë të lehtë por nuk ka vdekur. E kanë kuruar dhe është shëruar, por një pjesë në shpinën e tij i dhemb shumë dhe nuk po e duron. Ai qeshi dhe unë e pyeta; Çfarë ke? – Ai që e paska kuruar paska qenë endës. Si qëndron puna, – i thashë? – Ka lënë në kurrizin e tij një copëz mishi të vdekur të cilën nuk e ka hequr. Si i jepet zgjidhje, – e pyeta? Ai tha: Duhet të hapet plaga dhe të merret kjo copëz dhe të hiqet. Nëse ajo mbetet aty, ka për të arritur në zemër dhe do ta vrasë.
Unë u largova nga burgu dhe shkova tek Ahmed bin Hanbeli dhe e gjeta në të njëjtën gjendje. Ja tregova ngjarjen dhe ai më tha: Kush do e heqë? Unë, – i thashë atij. A mundesh ta heqësh? Po, – i thashë. Ai u ngrit, hyri në dhomë, pastaj doli dhe me vete kishte marë dy jastekë dhe mbi sup kishte vendosur një copë pëlhure të bardhë. Njërin ma dha mua dhe tjetrin e mbajti për vete, pastaj u ul mbi të. Më tha: Kërkoji ndihmë Allahut! Unë ja zbulova rrobën nga shpina dhe i thashë: Më trego se ku të dhemb. Ai më tha: Vendose gishtin mbi të dhe unë do të tregoj se ku më dhemb. Unë e vendosa gishtin dhe e pyesja: Këtu të dhemb? Po, këtu dhe falenderoj Allahun për shëndetin! Pastaj e vendosja diku tjetër dhe e pyesja? Këtu?
Ai më thoshte: Po, këtu dhe falenderoj Allahun për shëndetin! Unë e kuptova se ku ishte vendi i dhimbjes. Nxora bisturinë dhe kur e ndjeu atë, Ahmedi vendosi dorën në kokë dhe thoshte; O Zot, fale Mu’tesimin![1] Unë ja hoqa atë, e mora pjesën e keqe dhe e hodha tutje. E lidha plagën e tij ndërsa ai nuk thoshte gjë tjetër veç fjalëve: O Zot, fale Mu’tesimin! Pastaj u qetësua dhe u rehatua, dhe tha: Më duket sikur të kisha qenë i varur, pastaj u lirova. Unë e pyeta: O Ebu Abdilah, njerëzit kur sprovohen me ndonjë sprovë luten kundër atij që u ka bërë padrejtësi, por unë pashë se ti luteshe për Mu’tesimin? Ai tha: E kam menduar këtë që the, por ai është djali i xhaxhait të Profetit (salAllahu alejhi ve sel-lem)[2] dhe nuk më pëlqen që të vij në ditën e Kiametit dhe të ketë mes meje dhe dikujt prej të afërmve të Profetit ndonjë armiqësi. Ai është i falur nga ana ime.
“Kopshti i të Urtëve” i autorit Ibën Hiban el Busti.
Përktheu: Fatjon Isufi
—————————————-
[1] Mu’tesimi, prijësi Abasit që urdhëroi goditjen me kamzhik të imam Ahmedit në fitnen e Kuranit.
[2] D.m.th. pasardhës i Ehli Bejtit.
Të Ngjashme
- Ligji i pandryshueshëm i Allahut Udha e Besimtarëve
- Begatia e vërtetë e jetës Udha e Besimtarëve
- Kategoritë e njerëzve që jetojnë për këtë botë dhe harrojnë botën tjetër Udha e Besimtarëve
- Fanatizmi mbas dijetarëve Udha e Besimtarëve
- Çfarë është shkenca e synimeve të sheriatit dhe përse shërben ajo? Udha e Besimtarëve