Islami është feja jonë dhe ajo ka shumë të drejta te ne

Shejh Ebu Islam Salih bin Taha Abdulvahid (Allahu e shëroftë!): Robër të Allahut! Islami është feja jonë dhe ajo ka shumë të drejta te ne. Prej tyre:

E para: Ta kuptojmë atë me një kuptim të saktë.

Robër të Allahut!

Nga duhet ta marrim fenë tonë?

Përgjigjja: Nga Libri i Zotit tonë dhe Suneti i Profetit tonë sal-lAllahu alejhi ue sel-lem.

(E marrim fenë) Nga Libri i Zotit tonë, sepse ai (Kurani) është fjala e Allahut. Allahu Lartësuar thotë: “Ai është vërtet një Libër i madhërueshëm. Atij nuk mund t’i afrohet gënjeshtra nga asnjëra anë. Kjo është shpallje prej një të Urti që meriton të gjitha lavdet.[1]

I Madhëruari thotë: “Ky është një Libër, vargjet e të cilit janë shtjelluar qartë, një Kuran në gjuhën arabe, për njerëzit me dije.”[2]

I Madhëruari thotë: “Ne nuk kemi harruar asgjë në Librin Tonë. Pastaj të gjithë do të tubohen para Zotit të tyre.”[3]

Po ashtu i Madhëruari thotë: “Nuk ka dyshim se ky (Kuran) është Shpallja e Zotit të botëve. Atë e zbriti Shpirti i besueshëm (Xhebraili) në zemrën tënde (o Muhamed) që të jesh nga ata që paralajmërojnë. E zbriti në gjuhën e qartë arabe.”[4]

(E marrim fenë) Nga Suneti i Profetit tonë Muhamedit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, sepse Allahu Lartësuar në përshkrimin e tij sal-lAllahu alejhi ue sel-lem thotë: “Ai nuk flet sipas qejfit të vet, por ajo (që thotë) është vetëm shpallje hyjnore, që i vjen atij.[5]

I Madhëruari thotë: “Thuaj: “Nëse gaboj, unë gaboj vetëm për dëmin tim e, nëse udhëzohem në rrugën e drejtë, kjo është nga shpallja e Zotit tim. Ai, me të vërtetë, i dëgjon të gjitha dhe është afër”.[6]

I Dërguari ynë sal-lAllahu alejhi ue sel-lem thotë: “Kam lënë tek ju dy gjëra pas të cilave nuk do të humbisni; Librin e Allahut dhe Sunetin tim.”[7]

Robër të Allahut! Si mund ta kuptojmë fenë tonë nga Kurani dhe Suneti?

A ta kuptojmë atë ashtu siç e kanë kuptuar havarixhët?

-Jo!

A ta kuptojmë atë ashtu siç e kanë kuptuar mutezilit?

-Jo!

A ta kuptojmë atë ashtu siç e kanë kuptuar rafiditë (shitët) dhe sufitë injorantë?

-Jo!

A ta kuptojmë atë ashtu siç e kanë kuptuar gropacionet që na dalin për çdo ditë?

-Jo!

Përgjigjja: E kuptojmë fenë tonë nga Kurani dhe Suneti sipas kuptimit të sahabëve radijAllahu anhum dhe atyre që i pasuan me vendosmëri e përkushtim në besim. Ngase Allahu Lartësuar në Librin e tij i ka lavdëruar sahabët dhe ata që i pasuan me vendosmëri e përkushtim në besim dhe ka urdhëruar që të ndiqet rruga në të cilën ata kanë qenë. Allahu Madhëruar thotë: “Sa u përket besimtarëve të parë, prej muhaxhirëve dhe ensarëve, Allahu është i kënaqur me ata dhe me të gjithë të tjerët që i pasuan me vendosmëri e përkushtim në besim; edhe ata janë të kënaqur me Atë.”[8]

Dhe se Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem e ka porositur popullin e tij që të ndjekin rrugën e sahabëve radijAllahu anhum. Ai sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “U porosisë për devotshmëri ndaj Allahut, të dëgjoni dhe të bindeni edhe nëse i pari juaj është rob etiopian. Ngase ai që do të jetojë prej jush pas meje, do të shohë kundërshtime të shumta. Prandaj kapuni fort pas Sunetit tim dhe sunetit të prijësve të udhëzuar dhe të drejtë. Kapuni fort pas tij dhe shtrëngojeni me dhëmbë. Ruhuni prej shpikjeve në fe, sepse çdo shpikje është bidat.”[9]

 

“Tebsirul-Enam bil-hukuki fil-islam”

Përktheu: Unejs Sheme

[1] Fussilet, 41-42

[2] Fussilet, 3

[3] El-Enam, 38

[4] Esh-Shuara, 192-195

[5] En-Nexhm, 3-4

[6] Sebe, 50

[7] Hadith autentik. “Sahihul-Xhami” (2937)

[8] Et-Teube, 100

[9] Hadith autentik. “Sahihul-Xhami” (2549)