Islami nxit për martesë

August 7, 2016

Islami nxit për martes dhe nuk e pranon murgjërinë

Nga Abdullah ibën Mesudi (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) transmetohet se i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin me të!) ka thënë:

“O ju të rinj, kush prej jush është në gjendje të martohet le të martohet, ndërsa ai i cili nuk është në gjendje të martohet le të agjërojë, sepse agjërimi e dobëson epshin.”[1] Ndërsa në një tjetër transmetim thuhet: “Ndihmon për shmangien e shikimit (prej harameve) dhe bëhet shkak për ruajtjen e nderit.” [2]

“Muhamed ibën Salih el Uthejmin (Allahu e mëshiroftë!) duke folur për dobitë e martesës, ka thënë: “Po të mos ishte martesa, me siguri që do të ndodhte njëra prej dy gjërave: zhdukja e njerëzimit ose ekzistenca e disa njerëzve të ardhur në jetë si pasojë e imoralitetit dhe shthurjes. Njerëz të cilëve nuk do t’u dihej origjina dhe që nuk do e njohin moralin.”[3]

Pa dyshim që martesa bëhet shkak që njeriu ta ruajë dëlirësinë dhe dinjitetin e tij, si dhe ia bën më të lehtë uljen e shikimit nga e ndaluara.

Fatlum është ai njeri të cilit Allahu i ka dhuruar një bashkëshorte të mirë, pasi ajo do të jetë prej shkaqeve të lumturisë së tij, si në jetën e kësaj bote, ashtu edhe në botën tjetër. Ndërsa mjerim, e çfarë mjerimi është, për atë të cilit i ka rënë për hise një grua e keqe, pasi ai do të jetojë me të në mjerim dhe dëshpërim pa fund. Të vërtetën e ka thënë i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!):

“Katër gjëra janë prej shkaqeve të lumturisë: bashkëshortja e mirë, shtëpia e gjerë, fqinji i mirë dhe deveja (kali, makina) e mirë. Dhe katër gjëra shkaktojnë dëshpërimin: fqinji i keq, gruaja e keqe, kafsha bartëse e keqe dhe shtëpia e ngushtë.”[4]

I këshilloj të rinjtë e të rejat të shpejtojnë për martesë në moshë të hershme, në mënyrë që të jenë në gjendje ta ruajnë moralin dhe fenë e tyre, të gjejnë lumturinë dhe të begatohen me pasardhës të mirë e të devotshëm.

Ajetet kuranore që nxisin për martesë dhe pasardhës të mirë janë të shumta. Allahu i Madhëruar thotë:

وَلَقَدْ أَرْسَلْنَا رُسُلًا مِنْ قَبْلِكَ وَجَعَلْنَا لَهُمْ أَزْوَاجًا وَذُرِّيَّةً

“Ne dërguam edhe para teje të dërguar dhe atyre u mundësuam të kenë gra e fëmijë.” Err Rra’d, 38.

Duke treguar për lutjen e Zekerias, thotë:

رَبِّ هَبْ لِي مِنْ لَدُنْكَ ذُرِّيَّةً طَيِّبَةً إِنَّكَ سَمِيعُ الدُّعَاءِ (38)

“Zoti im, më falë edhe mua nga ana Juaj një pasardhës (fëmijë) të mirë, vërtet, Ti je dëgjues i lutjes!” Ali Imran, 38.

Në një tjetër ajet, thotë:

وَزَكَرِيَّا إِذْ نَادَى رَبَّهُ رَبِّ لَا تَذَرْنِي فَرْدًا وَأَنْتَ خَيْرُ الْوَارِثِينَ (89)

“(Përkujto) Edhe Zekerian kur e luti Zotin e vet: “Zoti im, mos më lë të vetmuar se Ti je më i miri trashëgues (që mbetesh pas asgjësimit të krijesës tënde)”. El Enbija, 89.

Duke treguar për robërit e Tij, Allahu i Madhëruar na tregon se si ata luten:

رَبَّنَا هَبْ لَنَا مِنْ أَزْوَاجِنَا وَذُرِّيَّاتِنَا قُرَّةَ أَعْيُنٍ وَاجْعَلْنَا لِلْمُتَّقِينَ إِمَامًا (74)

“Zoti ynë, na bëj që të jemi të gëzuar me (punën) e grave tona dhe pasardhësve tanë, e neve na bëj shembull për të devotshmit”. El Furkan, 74.

Allahu i Madhëruar në këtë ajet urdhëron duke thënë:

وَأَنْكِحُوا الْأَيَامَى مِنْكُمْ وَالصَّالِحِينَ مِنْ عِبَادِكُمْ وَإِمَائِكُمْ إِنْ يَكُونُوا فُقَرَاءَ

 يُغْنِهِمُ اللَّهُ مِنْ فَضْلِهِ وَاللَّهُ وَاسِعٌ عَلِيمٌ (32)

“Dhe martoni të pamartuarat (të pamartuarit) edhe robërit e robëreshat tuaja që janë të ndershëm e të ndershme. Nëse janë të varfër, Allahu i begaton nga mirësitë e Tij, Allahu është Bujar i madh, i Gjithëdijshëm.” En Nur, 32.

Po ashtu, thotë:

وَهُوَ الَّذِي خَلَقَ مِنَ الْمَاءِ بَشَرًا فَجَعَلَهُ نَسَبًا وَصِهْرًا وَكَانَ رَبُّكَ قَدِيرًا (54)

“Dhe Ai nga uji (fara) krijoi njeriun, dhe e bëri atë të ketë fis dhe të ketë miqësi. Zoti yt ka mundësi të jashtëzakonshme.” El Furkan, 54.

Në një tjetër ajet, thotë:

وَمِنْ آَيَاتِهِ أَنْ خَلَقَ لَكُمْ مِنْ أَنْفُسِكُمْ أَزْوَاجًا لِتَسْكُنُوا إِلَيْهَا وَجَعَلَ بَيْنَكُمْ

 مَوَدَّةً وَرَحْمَةً إِنَّ فِي ذَلِكَ لَآَيَاتٍ لِقَوْمٍ يَتَفَكَّرُونَ (21)

“Dhe nga faktet e (madhështisë së) Tij është që për të mirën tuaj, Ai krijoi nga vetë lloji juaj palën (gratë), në mënyrë që të gjeni prehje tek ato dhe në mes jush krijoi dashuri dhe mëshirë.” Err Rrum, 21.

Në suren El Huxhurat, thotë:

يَا أَيُّهَا النَّاسُ إِنَّا خَلَقْنَاكُمْ مِنْ ذَكَرٍ وَأُنْثَى وَجَعَلْنَاكُمْ شُعُوبًا وَقَبَائِلَ لِتَعَارَفُوا

 إِنَّ أَكْرَمَكُمْ عِنْدَ اللَّهِ أَتْقَاكُمْ إِنَّ اللَّهَ عَلِيمٌ خَبِيرٌ (13)

“O ju njerëz, vërtet Ne ju krijuam juve prej një mashkulli dhe një femre, ju bëmë popuj e fise që të njiheni ndërmjet vete, e s’ka dyshim se te Allahu më fisniku ndër ju është ai që më tepër është ruajtur (nga të këqiat), e Allahu është shumë i dijshëm dhe hollësisht i njohur për çdo gjë.” El Huxhurat, 13.

Në të tjera ajete, thotë:

يَا أَيُّهَا النَّاسُ اتَّقُوا رَبَّكُمُ الَّذِي خَلَقَكُمْ مِنْ نَفْسٍ وَاحِدَةٍ وَخَلَقَ مِنْهَا زَوْجَهَا

 وَبَثَّ مِنْهُمَا رِجَالًا كَثِيرًا وَنِسَاءً وَاتَّقُوا اللَّهَ الَّذِي تَسَاءَلُونَ بِهِ وَالْأَرْحَامَ

 إِنَّ اللَّهَ كَانَ عَلَيْكُمْ رَقِيبًا (1)

“O ju njerëz! Kini frikë Zotin tuaj që ju ka krijuar prej një veteje (njeriu) dhe nga ai krijoi palën (shoqen) e tij, e prej atyre dyve u shtuan burra shumë e gra. Dhe kini frikë Allahun që me emrin e Tij përbetoheni, ruajeni farefisin (lidhjet farefisnore), se Allahu është mbikëqyrës mbi ju.” En Nisa, 1.

هُوَ الَّذِي خَلَقَكُمْ مِنْ نَفْسٍ وَاحِدَةٍ وَجَعَلَ مِنْهَا زَوْجَهَا لِيَسْكُنَ إِلَيْهَا فَلَمَّا

 تَغَشَّاهَا حَمَلَتْ حَمْلًا خَفِيفًا فَمَرَّتْ بِهِ فَلَمَّا أَثْقَلَتْ دَعَوَا اللَّهَ

 رَبَّهُمَا لَئِنْ آَتَيْتَنَا صَالِحًا لَنَكُونَنَّ مِنَ الشَّاكِرِينَ (189)

“Ai (Allahu) është Ai që ju krijoi prej një vete, e prej saj krijoi palën e saj për t’u qetësuar pranë saj. Kur e mbuloi ai (mashkulli) atë (gruan), ajo u ngarkua me një barrë të lehtë dhe ashtu vazhdoi me të, e kur u bë e rëndë, ata të dy lutën Allahun, Zotin e tyre: “Nëse na jep një (fëmijë) të mirë (pa të meta), ne do të jemi falënderues ndaj Teje”. El Earaf, 189.

وَإِنْ خِفْتُمْ أَلَّا تُقْسِطُوا فِي الْيَتَامَى فَانْكِحُوا مَا طَابَ لَكُمْ مِنَ النِّسَاءِ

 مَثْنَى وَثُلَاثَ وَرُبَاعَ فَإِنْ خِفْتُمْ أَلَّا تَعْدِلُوا فَوَاحِدَةً أَوْ مَا مَلَكَتْ

 أَيْمَانُكُمْ ذَلِكَ أَدْنَى أَلَّا تَعُولُوا (3)

“Në qoftë se frikoheni se nuk do të jeni të drejtë ndaj bonjakëve, atëherë martohuni me ato gra që ju pëlqejnë: me dy, me tri e me katër. E nëse i frikoheni padrejtësisë (ndaj tyre), atëherë vetëm me një, ose (martohuni) me ato që i keni nën pushtetin tuaj (robëreshat). Ky (përkufizim) është më afër që të mos gaboni.” En Nisa, 3.

وَاللَّهُ جَعَلَ لَكُمْ مِنْ أَنْفُسِكُمْ أَزْوَاجًا وَجَعَلَ لَكُمْ مِنْ أَزْوَاجِكُمْ بَنِينَ وَحَفَدَةً

 وَرَزَقَكُمْ مِنَ الطَّيِّبَاتِ أَفَبِالْبَاطِلِ يُؤْمِنُونَ وَبِنِعْمَةِ اللَّهِ هُمْ يَكْفُرُونَ (72)

“Allahu krijoi për ju bashkëshorte nga vetë lloji juaj, e prej bashkëshorteve tuaja – fëmijë e nipa dhe ju furnizoi me (ushqime) të mira. A besojnë ata të pavërtetën, e të mirat e Allahut i mohojnë?” En Nahl, 72.

هُنَّ لِبَاسٌ لَكُمْ وَأَنْتُمْ لِبَاسٌ لَهُنَّ

“… ato (gratë tuaja) janë prehje për ju dhe ju jeni prehje për ato.” El Bekare, 187.

Përveç këtyre që kemi përmendur, ka edhe të tjera ajete të cilat direkt apo indirekt nxisin për martesë.

Por edhe hadithet që nxisin për martesë janë të shumta dhe të njohura. Ndër to përmendim:

Nga Enes ibën Malik (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) transmetohet se ka thënë: “Kanë ardhur tre burra tek shtëpia e bashkëshorteve të Profetit (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) dhe pyetën se si ai e adhuronte Allahun. E kur i treguan, atyre sikur iu duk pak dhe thanë: “Ku jemi ne kundrejt Profetit (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!), të cilit i janë falur gabimet e së kaluarës dhe të ardhmes!”

Njëri prej tyre tha: “Unë po fal namaz nate pa pushim.” Tjetri tha: “Unë po agjëroj gjithë vitin.” Ndërsa tjetri tha: “Unë kam hequr dorë nga gratë dhe nuk martohem kurrë.” Kur erdhi i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) tha: “Ju jeni ata që keni thënë çfarë keni thënë? Unë jam padyshim më i devotshëm se ju dhe i frikësohem Zotit më tepër se sa i frikësoheni ju, mirëpo unë herë agjëroj, e herë nuk agjëroj, falem natën, por edhe fle dhe unë martohem me gra, e ai që i largohet traditës sime, nuk është prej meje.”[5]

Nga Miakal ibën Jesar (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) transmetohet se ka thënë se një burrë erdhi tek Profeti (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) dhe i tha: “O i Dërguari i Allahut, mua më ra për pjesë nga plaçka e luftës një grua e mençur dhe e bukur, mirëpo ajo nuk lind. A të martohem me të?”  I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) tha: “Jo!” Ai erdhi për herë të dytë dhe përsëri Profeti e ndaloi. Kur erdhi për të tretën herë, i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) i tha: “Martohuni me ato që janë të dashura, të cilat lindin fëmijë, sepse unë do të krenohem me numrin tuaj para popujve.”[6]

Fjalët e të parëve tanë të mirë, të cilat nxisin për martesë janë të shumta. Ndër to citojmë:

Nga Said ibën Xhubejr transmetohet se ka thënë: “Ibën Abasi një herë më pyeti: – A je i martuar? – Jo, i thashë. Ai tha: “Martohu, se më të mirët e këtij umeti janë ata që marrin shumë gra.”[7]

Nga Abdurrahman ibën Jezid transmetohet se Abdullahi ka thënë: “Sikur nga kjo botë të ketë ngelur veçse një natë, do të doja që atë natë ta kaloj me një grua.”[8]

Fadl ibën Zijadi ka thënë: “Kam dëgjuar tek e pyetën Ebu Abdullahun në lidhje me martesën duke i thënë: “Çfarë mendimi ke në lidhje me martesën në këtë kohë?” Tha: “Martesa në këtë kohë është më se e domosdoshme, madje sa mirë do të ishte sikur burrat të martoheshin jo me një, por me dy gra. A nuk po frikësoheni se mos po ju sheh syri diçka e t’ju shkojnë dëm punët tuaja?!” Thashë: “Po si t’ia bëj, me se t’i ushqejë?” Tha: “A mos furnizimi i tyre është në dorën tënde?! Furnizimi i tyre është në dorën e Allahut të Madhëruar!”[9]

Mos u bëj dervish (murg)!!

Ibën el Xheuzi (Allahu e mëshiroftë!) ka thënë: “Shumë prej sufive i ka mashtruar Iblisi duke i larguar nga martesa, pasi të parët e tyre kanë qenë të mendimit se martesa e pengon njeriun nga adhurimi i Zotit dhe bindja ndaj Tij.

Ebu Hamid ka thënë: “Nuk duhet që nxënësit e dijes ta angazhojnë veten e tyre me martesë, pasi kjo do të ndikonte negativisht në sjelljet e tyre duke bërë që ata të gjejnë prehje te bashkëshortet. E nëse dikush gjen prehje tek diçka tjetër përveç Allahut, ajo e largon nga Allahu.”

Autori (Ibën El Xheuzi) thotë: “Unë vërtet çuditem me fjalët e tij! S’ka dyshim se ai njeri i cili dëshiron të jetë i ruajtur nga e ndaluara, dëshiron të ketë pasardhës të mirë si dhe dëshiron të ruaj dëlirësinë e bashkëshortes, ai nuk ndikohet aspak negativisht. E si mund të ndikojë negativisht në ndjenjat dhe sjelljen e tij, dashuria e natyrshme për bashkëshorten, kur Allahu i Madhëruar thotë:

وَمِنْ آَيَاتِهِ أَنْ خَلَقَ لَكُمْ مِنْ أَنْفُسِكُمْ أَزْوَاجًا لِتَسْكُنُوا إِلَيْهَا

 وَجَعَلَ بَيْنَكُمْ مَوَدَّةً وَرَحْمَةً

“Dhe nga faktet (e madhërisë së) e Tij është që për të mirën tuaj, Ai krijoi nga vetë lloji juaj palën (gratë), në mënyrë që të gjeni prehje tek ato dhe në mes jush krijoi dashuri dhe mëshirë.” Err Rrum, 21.

Ndërsa në hadithin e saktë të cilin e transmeton Xhabiri (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!), i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!), atij i ka thënë: “Përse nuk e zgjodhe virgjëreshë, të luaje me të e të luante me ty?!”[10]

A mos vallë i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) do këshillonte për diçka e cila e pengon lidhjen me Allahun?! Mos vallë kur ai garonte duke vrapuar me Aishen dhe kur gjente prehje te bashkëshortet e tij, kjo ia dobësonte lidhjen me Zotin?! Në asnjë mënyrë!! Këto mendime janë të gabuara, por e vërteta është se disa njerëz pasi nuk e gjetën rrugën e martesës, u mjaftuan me shoqërinë e nxënësve që grumbullohen rreth tyre dhe nxisin që edhe ata të ndjekin rrugën e tyre…”[11]

Është për të ardhur keq, madje është një disfatë dhe fatkeqësi e madhe ajo që thuhet sot se martesa në moshë të hershme bëhet pengesë për studimet, apo për projektimin e së ardhmes. Apo siç thonë disa të tjerë se martesa e hershme e ngarkon njeriun me detyrime financiare të papërballueshme dhe zgjidhja më e mirë është të hiqet dorë prej martesës. Nuk e dinë të mjerët, se është pikërisht vonimi i martesës ai që e pengon njeriun nga nxënia e diturisë dhe arritja e devotshmërisë, (përveç atyre që u ka dhënë Zoti sukses) pasi ata përjetojnë një gjendje të paqëndrueshme, të paqartë dhe mendimet i kanë të shpërndara. Ndërsa kur martohen, mendja mblidhet, shpirti qetësohet dhe njeriu rehatohet. Allahu i Madhëruar e ka thënë të vërtetën në fjalën e Tij:

لِتَسْكُنُوا إِلَيْهَا (21)

“… në mënyrë që të gjeni prehje tek ato …” Err Rrum, 21.

Te martesa gjendet e gjithë lumturia dhe begatia, e nëpërmjet saj, njeriut i hapen dyert e mirësisë, në qoftë se qëllimi dhe punët e tij kanë qenë të mira. Allahu i Madhëruar thotë:

إِنْ يَكُونُوا فُقَرَاءَ يُغْنِهِمُ اللَّهُ مِنْ فَضْلِهِ وَاللَّهُ وَاسِعٌ عَلِيمٌ (32)

“Nëse janë të varfër, Allahu i begaton nga mirësitë e Tij, Allahu është Bujar i madh, i Gjithëdijshëm.” En Nur, 32.

Pa dyshim që pasuria dhe suksesi janë në Dorë të Allahut, e Ai i jep kujt të dojë.

Tregohet se Ebu Bekri ka thënë: “Binduni Allahut në lidhje me martesën që Ai t’ju japë atë që u premtoi prej pasurisë. Ai i cili dëshiron të jetë i pasur, le të martohet. Askush nuk vdes pa e përfunduar furnizimin dhe jetën që ia ka caktuar Allahu, prandaj frikësojuni Allahut e ruajeni dinjitetin kur kërkoni..”

Lusim Allahun, Zotin e gjithësisë të na mundësojë sukses në të gjitha punët e mira, si dhe të na i rregullojë të gjitha çështjet!

 

[1]E transmeton Buhariu në “Sahihun” e tij 5065, Muslimi 1400, Ebu Daudi 2046, Et Tirmidhi me nr. 1081, Ibën Maxheh 1845 En Nesai, Vëll. VI, f. 57, Ahmedi 4036, El Bejhaki në “Sunenin” e tij, Vëll. X, f. 318, El Hakim, Vëll. IV, f. 296, Et Taberani në “El Kebir”, Vëll. I, f. 122 me nr. 10168, Abdurrazaku në “El Musanef” 10380 Ibën ebi Shejbe 15900, El Begavi në “Sherhu es sunneh”, Vëll. IX, f. 3 me nr. 2236. El Albani (Allahu e mëshiroftë!) e ka vlerësuar si të mirë (hasen).

[2] E transmeton Buhariu, kapitulli i martesës, tema: “Ndërsa ai i cili nuk është në gjendje të martohet le të agjërojë” me nr.. 5066 dhe Muslimi, kapitulli i martesës, tema: “Kush prej jush është në gjendje të martohet le të martohet” me nr. 1400.

[3] Shkëputur nga libri “Martesa” e Ibën Uthejminit (Allahu e mëshiroftë!).

[4] E transmeton Ibën Hibani në “El Mevuarid” 1232. E transmeton edhe Ahmedi 1444, Et Taberani në “El Kebir”, Vëll. I, f. 146 me nr. 329. E ka saktësuar El Albani (Allahu e mëshiroftë!) në “Es Sahiha” 282 dhe shejhu ynë, Mukbili në “El Xhamiu es sahih”, Vëll. III, f. 57.

[5] E Transmeton Buhariu 5063, Muslimi 1401, En Nesai, Vëll. VI, 60, El Bejhaki, Vëll. 7, f. 77 dhe Ahmedi me nr. 13518 dhe me nr. 14029.

[6] E ka transmetuar Ebu Daudi në “Sunenin” e tij me nr. 2050, Ahmedi 12596, nga Enesi. E transmeton Ibën Hibani siç është në “El Mevarid” 1228, nga Enesi dhe Miakali. Po ashtu e transmeton El Bejheki nga hadithet e Miakal ibën Jesar, Vëll. VII, f. 81, Ebu Nuajm në “El Hilje” 5401, nga Hadithi i Enesit; dhe El Hakim, Vëll. II, f. 162 nga Miakal ibën Jesar. El Albani (Allahu e mëshiroftë!) ka thënë: “Hadithi është hasen sahih” ashtu siç gjendet edhe në “Sahihu ebi Daud”.

[7] E transmeton Buhariu në “Sahihun” e tij 5069, Ahmedi 2178 dhe El Bejheki, Vëll. VII, f. 77.

[8] E transmeton Ibën ebi Shejbe në “El Musanef”, Vëll. III, f. 440 me nr. 15910. Hadithi është i saktë nga Ibën Mesudi.

[9] “Bedaiu el feuaid”, Vëll. II, f. 354.

[10] E transmeton Buhariu 5080 dhe Muslimi 715.

[11] “El munteka en nefis, min telbisi iblis” f. 391-396.

Dosje:

Loading...