Jepi selam prej meje Isait – alejhisselam.

Jepi selam prej meje Isait – alejhisselam.

Muslimani duhet të ketë besim të patundur tek fjalët e Profetit – lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të – edhe nëse mendja nuk ia rrok dhe e tejkalojnë imagjinatën e tij. Dhe kjo është pjesë e pandashme e dëshmisë se ai është i Dërguar prej Allahut dhe flet në emër të Tij.

Abdullah ibn Mes’udi – Allahu qoftë i kënaqur prej tij – kur përcjell lajmin e çuditshëm për kohën, i cili përshkruan fazat nëpër të cilat kalon embrioni i njeriut deri në fryrjen e shpirtit thotë: ‘Na ka treguar i sinqerti, i besueshmi’. Sikur dëshiron t’i kujtojë vetes dhe të tjerëve që ua përcjell atë lajm: Kujdes! Këto fjalë i ka thënë ai që nuk gënjen – sal lall llahu alejhi ue sel lem. Edhe pse ne nuk arrijmë t’i kuptojmë këto fjalë të tijat, sepse shkenca e kohës sonë është e vobektë, dhe dituria jonë rreth asaj që na rrethon është e kufizuar, përsëri ky është lajm prej qiellit, nuk është fjala e kujtdo prej njerëzve! Ajo nuk mund të jetë tjetër veç realitet. Dhe unë s’kam aspak dyshim në të.
Kjo është pak a shumë arsyeja përse ai e bëri këtë parantezë të shkurtër përpara këtij hadithi, vërtetësinë e të cilit shkenca moderne e zbuloi.

Kështu duhet të jetë besimi i besimtarit në të gjitha lajmet e Profetit – sal lall llahu alejhi ue sel lem. I pa kushtëzuar me vërtetimin shkencor të kohës. Motoja e tij duhet të jenë fjalët e famshme të Ebu Bekrit, besnikut besimplotë: “A i ka thënë ai këto fjalë? – Po – Atëherë unë e besoj!” O Ebu Bekr, por ai po thotë se është ngjitur deri në qiellin e shtatë – e më lartë – dhe është kthyer brenda natës?! – A i ka thënë ai këto fjalë? – Po – Atëherë unë e besoj!”

Me të njëjtin besim e përcjell edhe Ebu Hurejrah lajmin e rikthimit të Isës – lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të – në tokë. Lajmi,vërtetësia e tij, me gjithë çudinë e madhe që përmban në vetvete, nuk ishte për asnjë çast objekt diskutimi për sahabët. Përse? Sepse ata kishin njohur njeriun më të sinqertë në botë, Muhamedin – sal lall llahu alejhi ue sel lem.

Abdullah ibn Selami, i ardhur prej fesë jehudije, deklarata e parë që ka bërë para se të shpallte Islamin përpara Lajmëtarit të Zotit ishte kjo: “Kur e pashë fytyrën e tij kuptova se ajo nuk ishte fytyra e një gënjeshtari!” Salauatu rabbi ue selamuhu alejhi ue ala alihi ue sahbihi exhmein. (Lavdërimet e panumërta të Zotit dhe paqja e shpëtimi i Tij qofshin mbi të, familjen e tij dhe mbarë shokët e tij)

E pra Ebu Hurejrah, kur e përcillte hadithin e zbritjes së Isait në tokë para Kijametit, u thoshte nxënësve të tij: “Nëse ndonjëri prej jush e takon, le t’i përcjellë prej meje selamin.” Bindje dhe siguri që nuk pranon lëkundje! Nga fjala e tij kuptojmë dy gjëra:

E para: se ai radijallahu anhu, ashtu si të gjithë sahabët e me ta edhe Profeti – sal lall llahu alejhi ue sel lem – e me ta edhe Xhibrili fisnik e të gjithë engjëjt e ndershëm, nuk e dinin të fshehtën. Nuk e dinin kur zbret Isa alejhis selam, kur është afruar Çasti! Prandaj Ebu Hurejrah ua thoshte atë fjalë tabi’inëve. Ose:

E dyta: ai shpresonte se selami i tij do të përcillej brez pas brezi, duke udhëtuar në kohë dhe hapësirë, derisa t’i arrinte në vesh Profetit të Allahut – Isait alejhisselam – prej dikujt që merret me diturinë e hadithit, dhe studimin e fjalëve të sahabëve, dhe gjurmëve të të parëve tanë fisnikë. Dhe kështu Ebu Hurejrah, specialisti i haditheve, do të fitonte shpërblimin e selamit drejtuar një Profeti fisnik si Isai – paqja dhe lavdërimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi nënën e tij të pastër – dhe të selamit të kthyer prej tij. Përshëndetje e paqme dhe e ndershme, që vendos lidhje shpirtërore, imanore, që kapërcen kohën dhe hapësirën.

Po, sepse vetëm ata që merren me diturinë e hadithit mund të arrijnë të tilla nderime – përveç të tjerave të shumta prej Zotit të botëve, si pjesmarrja në përcjelljen e selameve të tilla të ndershme.

Ashtu siç vetëm ata që u kushtojnë vëmendje të madhe haditheve profetike, mund tu bëjnë ballë sprovave të forta deri edhe si ajo e Dexhalit – Allahu na ruajtë prej sherrit të tij dhe të çdo Dexhali. Si ai djaloshi i cili do të qëndrojë përpara mashtruesit më të madh të të gjitha kohërave dhe, me bindjen më të madhe do t’i thotë: ‘Unë dëshmoj se ti je Dexhali për të cilin na ka paralajmëruar i Dërguari i Allahut – sal lall llahu alejhi ue sel lem!’ Këto fjalë mund t’i thotë vetëm ai që i studion hadithet profetike, dhe ka besim të palëkundur në vërtetësinë e fjalëve të Profetit – sal lall llahu alejhi ue sel lem – pasi ato janë saktësuar prej të specializuarve të fushës.

Dhe lavdërimi e paqja e Allahut qofshin mbi Profetin tonë bujar. E lutja jonë e fundit është: Lavdërimi i përket Allahut, Zotit të botëve!