Joga – origjina dhe gjykimi i praktikimit të saj

April 4, 2015

Falënderojmë Allahun për mirësitë e Tij! Paqja dhe nderimet qofshin mbi të dërguarin e Tij Muhamedin sal-lAllahu alejhi ve sel-lem, familjen, shokët dhe të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij!

Së pari: Askush nuk mund ta mohojë se joga në origjinë rrjedh nga një religjion pagan hindu, dhe më pas Budist.

Joga është një emërtim në filozofinë hinduse që tregon tërësinë e teknikave trupore apo mendore, të cilat lejojnë bashkimin e trupitmendjes dhe shpirtit me Zotin siç e quajnë ata  (Paramatman). Kushdo që ndjek ushtrimin e jogës quhet jogi apo jogin (gratë quhen jogini).

Në librin “Joga dhe frymëmarrja” fq. 19, thuhet: Në gjuhën hinduse të shenjtë joga nënkupton lidhjen me Zotin, pra bashkimin e trupitmendjes dhe shpirtit me Zotin.

Çfarë është joga? Është lidhje dhe bashkim mes shpirtit dhe trupit. Ajo përmban ushtrime të ndryshme ku më i njohuri është ai që njihet me emrin Suria namaskar, që në gjuhën e tyre nënkupton përuljen para diellit përmes tetë gjymtyrëve.

Ata thonë: Pëlqehet për atë që praktikon joga që të jetë i zhveshur nga rrobat, sidomos kraharorin, kofshët dhe këmbët.

Gjithashtu thonë: Duhet të drejtohet nga dielli me trupin e tij në mëngjes dhe në mbrëmje. Pa lënë mënjanë dhe disa fjalë që duhet të thuhen në momentin e kryerjes së ushtrimeve me zë të lartë. Vlen të përmendim se nga lutjet që praktikohen janë dhe emrat e diellit të cilat duhet t’i përmendë ai që kryen jogan.

Disa nga personat që praktikojnë ushtrimet e jogas  janë shprehur se ngrihen në orën 3:30 të mëngjesit dhe qëndrojnë në joga, dhe thonë lutjet përkatëse të saj deri në orën 6:20 të mëngjesit. Çdo ditë qëndrojnë afërsisht tri orë në ushtrimet e jogas, dhe pretendojnë se sa më shumë të qëndrosh aq më e madhe do të jetë dobia.

Marrë nga libri “Joga në vështrimin shkencor kritik”, fq. 13.

Së dyti: Çfarë gjykimi ka Islami për praktikimin e jogas?

E thënë qartë dhe prerë: Nuk i lejohet një muslimani të praktikojë jogan në asnjë lloj rrethane, qoftë në aspektin e besimit, ndjekjes (të të tjerëve), apo me pretendimin e dobive që mund të gjenden në të. Këtë e themi nisur nga arsyet që u përmendën pak më lart dhe që aludojnë në këto pika:

  • Fakti që ajo cënon në mënyrë direkte akiden (besimin) e pastër, sepse në atë gjendje njeriu i bën ortak Zotit dhe drejtohet tek dikush tjetër pos Tij. Sepse siç thamë më lart, tek ushtrimet përfshihet dhe përulja para diellit dhe përmendja e emrave të tij (diellit).

Allahu i Lartësuar thotë: “Mua më është urdhëruar të adhuroj vetëm Allahun dhe të mos i shoqëroj Atij asgjë (në adhurim). Vetëm Atij i lutem dhe vetëm tek Ai kthehem.”  | Er Ra’d: 36.

Me të vërtetë të është shpallur ty (o Muhamed) dhe atyre që kanë qenë para teje: Nëse i shoqëron Allahut diçka tjetër (në adhurim) me siguri që punët e tua do zhvlerësohen dhe do jesh ndër të humburit.” | Ez Zumer: 65.

  • Është përngjasim me idhujtarët dhe paganët, sepse i Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Kush mundohet t’i përngjasojë një populli, ai konsiderohet prej tyre.” [E përcjell Ebu Daudi dhe Taberani nga Ibën Umeri.]
  • Ushtrimet e jogas e dëmtojnë shumicën e njerëzve dhe e çojnë në rrezik shëndetin e tyre. Disa mënyra që përdoren në joga janë vetëm ulje (qëndrime) të pakuptimta, apati dhe shastisje. Edhe kjo dëmton gjendjen shpirtërore dhe trupore, ndërkohë që Profeti sal-lAllahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Nuk është e lejuar që njeriu të dëmtojë veten apo të dëmtojë të tjerët.” [E përcjell Ahmedi dhe Ibën Maxheh nga Ibën Abasi, Allahu qoftë i kënaqur prej tij.]
  • Janë ushtrime që vetëm i humbin kohën njeriut dhe nuk i sjellin veçse lëndim dhe shkatërrim në këtë botë, si dhe mjerim dhe dëshpërim në botën tjetër. I Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Nuk kanë për të lëvizur nga vendi këmbët e birit të Ademit (në ditën e gjykimit) derisa të pyetet për katër gjëra: “Për jetën se ku e ka çuar….” Tirmidhiu.
  • Joga është propogandë e turpshme për të ngjasuar me kafshët dhe për të nënçmuar krijesat njerëzore. Aty përdoret lakuriqësia, mbështetja në katër gjymtyrë (si kafshët) në shumicën e ushtrimeve që quhen Suria namaskar.
  • Shumë nga ata që përdorin ushtrimet e jogas, sidomos format e përsiatjes (meditimit), kanë rënë preh e lëndëve narkotike dhe janë bërë të varur pas këtyre lëndëve.
  • Joga është e ndërtuar mbi gënjeshtra dhe mashtrime dhe ata që e reklamojnë përdorin lloj-lloj mënyrash për t’i mashtruar njerëzit, duke kthyer përmbys realitetet dhe faktet. Këtë e bëjnë për të mashtruar njerëzit e painformuar, dhe sidomos ata që kanë besim të dobët.
  • Shumë prej atyre që ua mësojnë të tjerëve jogan apo disa organizata të panjohura e të devijuara, u shfaqen disa gjëra që ata i quajnë mrekulli me qëllim që të mashtrojnë njerëzit. Por realisht ata përdorin shejtanët dhe xhindët siç ndodh edhe tek magjistarët dhe fallxhorët. Kjo është e ndaluar rreptësisht në fenë tonë.
  • Shumica e këshillave që japin maestrot e jogas janë këshilla të dëmshme që e lëndojnë njeriun. Këtu mund të përmendim:

a- Lakuriqësia e cila shkaton probleme, dëme dhe sëmundje trupore, mendore dhe shoqërore.

b- Ekspozimin e trupit ndaj diellit dhe dëmet e këtij ekspozimi janë të dukshme, sidomos kur trupi ekspozohet gjatë në diell.

c- Përqëndrimi i shikimit tek sfera diellore dhe dëmet e këtij veprimi (për syrin) dihen.

d- Nxitja e përdorimit dhe konsumimit bimor, gjë për të cilën nuk ka asnjë argument të zbritur nga Zoti i Lartësuar. Për më tepër shih “Joga në vështrimin shkencor kritik” fq. 84-86.

Bazuar në këto fakte që përmendëm dhe të tjera dalim në përfundimin se ushtrimet e jogas janë të ndaluara me të gjitha mënyrat dhe format e saj. Allahu e di më së miri!

Përmblodhi: Fatjon Isufi

Dosje:

Loading...