61. Transmetohet nga Ebu Musa (radiallahu anhu) se profeti (alejhi selam) tha: “Allahu e lë zullumqarit (në mëkatin e vet) sa që kur ta marrë për ti dhënë ndëshkimin e merituar të mos shpëtojë, pastaj lexoi fjalën e Allahut ﴾I tillë është ndëshkimi i Zotit tënd kur i ndëshkon vendet, kur ato bëjnë padrejtësi. Vërtetë, ndëshkimi i tij është i dhembshëm﴿.“
62. Transmetohet nga Ua’thile bin El-usku se tha: Kam qenë prej banorëve të Sufës dhe sikur të na shihje, nuk ka pasur njeri prej nesh që të ketë veshur një rrobe të plotë dhe djersa me pluhur e pisllëk kishte zënë vend në lëkurat e trupave tanë, del profeti (alejhi selam) dhe na thotë: “Gëzohuni, o ju të varfrit e muhaxhirëve!” Ndërkohë vjen një burrë i veshur me një rrobë të bukur dhe sa herë që fliste profeti vetëm se e nxiste vetja e tij që të thoshte fjalë më të bukura se fjala e profetit. Dhe kur u largua, profeti (alejhi selam) tha: “Allahu nuk e do këtë lloj njeriu, i përdredhin gjuhët e tyre para njerëzve siç i përdredhin lopët gjuhët e tyre në kullotë, kështu ua përdredh Allahu gjuhët dhe fytyrat në zjarr.”
63. Transmetohet nga Mikdam bin Ma’dikerb El-kindi se profeti (alejhi selam) tha: “Allahu ju porosit juve për nënat tuaja, baballarët tuaj dhe më pas për të afërmit sipas afërsisë.”
64. Transmetohet nga Abdullah bin Amr bin El-as se profeti (alejhi selam) tha: “Banorët e zjarrit janë: Ç’do njeri që fyen të tjerët, mendjemadh, mbledhës i pasurisë dhe koprrac. Kurse banorët e zjarrit janë të dobëtit dhe të pafuqishmit.”
65. Transmetohet nga Ebu Umame se tha: Ka thënë profeti (alejhi selam): Më i afërti njeri tek Allahu është ai që jep selam i pari.”
66. Transmetohet nga Enesi (radiallahu anhu) se tha: Ka pasur profeti (alejhi selam) një deve që quhej El-adba të cilës nuk ia kalonte kush. Njëherë erdhi një bedevi[1] i hipur në një deve të vogël dhe ia kaloi asaj. Kjo ishte e rëndë për myslimanët dhe ata thanë të habitur: Ia kaloi Adbasë! Atëherë profeti (alejhi selam) tha: Allahu e ka shkruar për çdo gjë dynjaje që e ka ngritur lart se do ta ulë poshtë.”
67. Transmetohet nga Ijas bin Mua’uie bin Kura El-muzeni, nga babai i tij, nga gjyshi i tij Kura se tha: Ishim te profeti (alejhi selam) dhe u përmend turpi. Ai thotë se e pyetën: O i dërguari i Allahut! A është turpi prej fesë? Profeti (alejhi selam) u tha: “Turpi, nderi, heshtja dhe dituria janë prej imanit (besimit). Ato ta shtojnë ahiretin dhe ta pakësojnë dynjanë dhe ajo që shtojnë prej ahiretit është më e madhe sesa ajo që pasojnë prej dynjasë. Ndërsa koprracia, punët e pahijshme dhe fjalët e rënda pakësojnë ahiretin dhe shtojnë dynjanë dhe ajo që pakësojnë prej ahiretit është më e madhe sesa ajo që shtojnë prej dynjasë.” Thotë Ijasi: Ia thashë këtë hadith Umer bin Abdulazizit dhe më kërkoi t’ia citoj atë dhe ai e shkroi me dorën e tij. Ai e fali me ne drekën dhe ikindinë dhe letra po në dorën e tij, pa e lëshuar atë.”
68. Transmetohet nga Ebu Humeid El-sa’idi referuar profetit (alejhi selam): “Njerëzit më të mirë të këtij ymeti janë ata që i përmbushin zotimet dhe ata që janë të dashur me njerëzit.”
69. Transmetohet nga Abdulmutalib bin Abdulmelik bin Hantab El-makhzumi se një burrë e pyeti të dërguarin e Allahut: Ç’farë është gibeti? I dërguari i Allahut i tha: Ti përmendësh tjetrit atë që e urren. Burri e pyeti: O i dërguari i Allahut, edhe nëse është e vërtetë? I dërguari i Allahut iu përgjigj: Nëse ti thua gënjeshtra atëherë kjo është shpifje.”
70. Transmetohet nga Ebu Hurejra (radiallahu anhu) që i referohet profetit (alejhi selam) se tha: “Njeriut i ngrihet grada e tij në xhenet dhe thotë: Pse kjo? Dhe i thuhet atij prej istigfarit (kërkimit të faljes) të fëmijës tënd për ty.”
71. Transmetohet nga Aishja (radiallahu anha) se profeti (alejhi selam) tha: “Njeriu arrin me moralin e tij të mirë, gradat e atij që falet natën dhe agjëron ditën.”
72. Transmetohet nga Ebu Umame (radiallahu anhu) se i dërguari i Allahut tha: Njeriu arrin me moralin e tij të mirë, gradat e atij që e gdhin natën dhe që e mban etjen në kulmin e vapës (agjëruesit).”
73. Transmetohet nga Ibn Abasi se profeti (alejhi selam) tha: “Farefisnia eshtë si degë që kapet pas Mëshiruesit që ta afrojë atë që i mban lidhjet farefisnore dhe ta largojë atë që i pret ato.”
74. Transmetohet nga Abdullah bin Amr se tha: E drejtoi profeti (alejhi selam) gishtin e tij nga ne dhe tha: Farefisnia është degë prej Mëshiruesit, ka një gjuhë të mprehtë, flet ç’farë të dojë. Kush i mban lidhjet me të e afron Allahu dhe kush i pret lidhjet me të e largon Allahu.”
75. Transmetohet nga Umara bin Huzejme bin Thabit se babai i tij tha: Pashë në ëndërr sikur po bëja sexhde në ballin e profetit dhe ia tregova atë profetit (alejhi selam) dhe ai tha: “Shpirti takohet me shpirtin.” [Dhe në një transmetim tjetër profeti (alejhi selam) i tha: “Ulu dhe bëj sexhde siç e pe në ëndërr.” Profeti (alejhi selam) e përkuli kokën kështu (dhe Afani e përkuli kokën nga mbrapa) derisa vuri ballin e tij mbi ballin e profetit (alejhi selam).
76. Transmetohet nga Humeidi, nga një burrë se tha: I dha profeti (alejhi selam) një burri përgjegjësinë e një çete luftëtarësh dhe pasi që shkoi dhe u kthye, profeti (alejhi selam) i tha: “Si tu duk detyra e prijësit? Ai i tha: Isha si të tjerët, kur hipja (në kafshë), hipnin dhe kur zbrisja (nga kafsha), zbrisnin. Profeti (alejhi selam) tha: “Prijësi është pranë portës së sherrit përveç atij që e ruan Allahu.” Burri tha: Pasha Allahun nuk kam për të pranuar ndonjëherë post prej teje dhe as prej ndokujt tjetër kurrë. Dhe profeti (alejhi selam) qeshi derisa iu dukën dhëmballët e tij.
77. Transmetohet nga Ibn Mes’ud se tha: Kur profeti (alejhi selam) po ndante plaçkat e luftës së Huneinit në Xhi’arrane (emër vendi), e rrethuan atë njerëzit dhe tha: “Allahu, një robi prej robërve të tij, i dha mesazhin hyjnor dhe e dërgoi te një popull. Ata e mohuan atë dhe e rrahën, ndërsa ai fshinte gjakun nga balli i tij dhe thonte: O Allah! Fale popullin tim se ata nuk dinë.” Thotë Abdullah bin Mes’udi: E mbaj mend mirë profetin (alejhi selam) duke na treguar për të dhe duke fshirë ballin e tij.
78. Transmetohet nga Ebu Hurejra se një burrë tha: O i dërguari i Allahut! Unë kam disa të afërm të mi që i ruaj lidhjet me ta ndërsa ata më braktisin, u bëj mirësi dhe ata më bëjnë keq, tregohem i matur me ta dhe kurse ata s’duan t’ia dinë. Profeti (alejhi selam) i tha: Nëse është siç the se kjo ua shton përbuzjen, atëherë një ndihmës prej Allahut do të ndihmojë ty përderisa të qëndrosh në këtë gjendje.
79. Transmetohet nga Enes bin Malik se profetit (alejhi selam) i erdhën ca miq nga Bahreini dhe ai kërkoi ujë dhe mori abdes ndërsa miqtë menjëherë morën ujin e mbetur dhe e pinë kurse ajo pjese që ra në tokë fërkuan me të fytyrat, kokat dhe gjokset e tyre. Profeti (alejhi selam) i tha atyre: Ç’farë ju shtyu për ta bërë këtë gjë? Ata thanë: Nga dashuria për ty që Allahu të na dojë. Profeti (alejhi selam) tha: “Nëse doni që Allahu dhe i dërguari i tij t’ju dojë atëherë përmbajuni tre gjërave: Të flisni fjalë të vërteta, çuarja në vend e amanetit dhe sjellja mirë me komshinjtë sepse lëndimi i komshinjve i fshin të mirat siç e shkrin dielli akullin.”
80. Transmetohet se profeti (alejhi selam) ka thënë: “Ç’do fe ka një moral (të veçantë) dhe morali i Islamit është turpi.” Është transmetuar nga Enesi dhe Abdullah bin Abasi.
81. Transmetohet nga Ebu Inebe El-khaulani që i referohet profetit (alejhi selam) se tha: “Allahu ka enë prej banorëve të tokës dhe enët e Allahut janë zemrat e robërve të tij të mirë. Më e mira prej tyre është më e buta dhe më e ndjeshmja.”
82. Transmetohet nga Ibn Umr (radiallahu anhu) se profeti (alejhi selam) tha: “Allahu ka prej robërve të tij që s’janë as profetë dhe as dëshmorë por ua kanë zili dëshmorët dhe profetët ditën e kiametit për afrinë dhe vendin që kanë tek Allahu. U ul një bedevi në gjunjë dhe tha: O i dërguari i Allahut! Na i përshkruaj ata dhe na trego për ta? Profeti tha: Njerëz të thjeshtë dhe të panjohur, shoqërohen për hir të Allahut dhe duhen për hir të tij, i ul ata në minbere prej drite, të tjerët janë tmerruar ndërsa ata ndihen të sigurtë. Ata janë të dashurit e Allahut –të madhëruar- të cilët (siç thotë Allahu) ﴾Nuk ka frikë për ta dhe as nuk kanë për tu brengosur ﴿“
83. Transmetohet nga Abdullah bin Amr se tha: Kam dëgjuar profetin (alejhi selam) duke thënë: “Myslimani i drejtë arrin gradat e agjëruesve dhe të atyre që falen dhe lexojnë fjalët e Allahut për natyrën e tij fisnike dhe moralin e tij të mirë”
84. Transmetohet nga Abdullah bin Amr që i referohet profetit (alejhi selam), se tha: “Më të dashurit e mi prej jush janë ata që kanë moralin më të lartë.”
85. Transmetohet nga Xhabiri që i referohet profetit (alejhi selam) se tha: “Më të dashurit e mi prej jush dhe më të afërtit tek unë ditën e kiametit janë ata që kanë moralin më të lartë. Ndërsa më të urryerit dhe më të largëtit prej jush tek unë ditën e kiametit janë llafazanët, dënglamëdhenj dhe El-mutefeihikun. Shokët e profetit thanë: O i dërguari Allahut, e dimë kush janë llafazanët dhe dënglamëdhenjtë, por kush janë El-mutefeihikun? Profeti (alejhi selam) tha: Ata janë mendjemëdhenjtë.”
86. Transmetohet nga Husain bin Abdurrahman se tha: Kam dëgjuar prej Ebu Ubeide bin Hudheife se halla e tij Fatime i kishte thënë: Shkuam një grup grash te profeti (alejhi selam) për ta vizituar dhe pamë një ibrik të varur në drejtim të tij dhe që pikonte mbi të (një transmetim tjetër thotë: mbi zemrën e tij) nga temperatura e lartë që kishte. I thamë profetit (alejhi selam): O i dërguari i Allahut sikur ta lusje Allahun që të të shërojë. Profeti (alejhi selam) tha: “Njerëzit që kanë vuajtjet më të mëdha janë profetët, pastaj ata që vijnë pas tyre, pastaj ata që vijnë pas tyre dhe pastaj ata që vijnë pas tyre.”
87. Transmetohet nga Ibn Umr se profeti (alejhi selam) tha: “Shpifja më e madhe është që të thuash se kam parë në ëndërr atë që se ke parë.”
88. Transmetohet nga Ebu Hurejra (radiallahu anhu) që i referohet profetit (alejhi selam) se tha: “Musa (alejhi selam) ka qenë burrë i turpshëm dhe e mbulonte mirë trupin aq sa nuk shihej gjë prej tij nga turpi që kishte. E munduan atë Beni Israilët duke thënë se nuk mbulohet njeri në këtë mënyrë veçse për ndonjë të metë në lëkurë; lebrozë, udra[2], apo ndonjë sëmundje tjetër. Allahu deshi ta pastronte Musën nga këto fjalë që thanë për të. Një ditë ai u veçua, i vuri rrobat mbi një gur dhe filloi të lahej. Pasi mbaroi larjen, u kthye tek rrobat e tij për ti merrë ndërsa guri filloi të ecte bashkë me rrobat. Musa mori shkopin e tij dhe filloi ta ndiqte atë duke thënë: Rrobën time, o gur! Rrobën time, o gur! derisa arriti te një grumbull njerëzish prej Beni Israilëvë, të cilët e panë atë ashtu të zhveshur dhe ishte prej më të mirët që ka krijuar Allahu. Allahu e pastroi atë nga ato fjalë dhe ata më pas thanë: Pasha Allahun, Musa nuk paska gjë (në trupin e tij). Guri ndaloi dhe Musa mori rrobën dhe e veshi, pastaj filloi ta rrihte gurin me shkop. Pasha Allahun! Ai gur ka rënkuar prej tre, katër apo pesë goditjeve të tij. Ky është kuptimi i fjalës së Allahut (suretu El-ahzab-70)﴾ O ju që keni besuar, mos bëni si ata që e munduan Musën (me fjalë). Allahu e pastroi atë prej asaj që thanë dhe ai ishte njeri i nderuar tek Allahu﴿“
89. Transmetohet nga Enes bin Malik (radiallahu anhu) se tha: Fisi He’uazin erdhi në luftën e Huneinit së bashku me gratë, fëmijët, devetë dhe bagëtitë e tyre dhe i rreshtuan ato në rreshta që të dukeshin shumë para profetit (alejhi selam). Filloi lufta mes myslimanëve dhe mushrikëve dhe myslimanët ikën dhe e lanë fushën e luftës, siç ka thënë Allahu në Kuran (shih suratu Et-teube) kurse profeti (alejhi selam) qëndroi dhe thërriti: “Unë jam robi i Allahut dhe i dërguari i tij” pastaj tha: “O ensarë unë jam robi i Allahut dhe i dërguari i tij.” Allahu i mposhti mushrikët në këtë luftë pa bërë as përleshje, as gjuajtje me shtiza dhe as goditje me shpatë. Atë ditë profeti (alejhi selam) tha: “Kush ka vrarë ndonjë qafir, le ti marrë plaçkat e tij”. Ebu Katade vrau atë ditë njëzet qafira dhe mori plaçkat e tyre pastaj i tha profetit (alejhi selam): O i dërguar i Allahut, unë e kam qëlluar një burrë në damarët e supit të tij, i cili kishte veshur një parzmore që nuk kisha mundësi t’ia merrja menjëherë prandaj shiko o i dërguar Allahut se kush e ka marrë atë? Një burrë tha : O i dërguari i Allahut, unë e mora. Bëja atij qejfin me diçka tjetër dhe ma jep mua atë! Profeti (alejhi selam) nuk foli dhe sa herë që i kërkohej diçka e jepte atë ose nuk fliste. Umri (radiallahu anhu) tha: Jo, vallahi! Allahu plaçkat që ia jep një luani prej luanëve të tij pa luftë nuk është e drejtë të jepen ty. Profeti (alejhi selam) qeshi.
90. Transmetohet nga nga Enes bin Malik se tha: Kaloi një njeri pranë profetit (alejhi selam) kur ai po rrinte me disa njerëz. Njëri prej atyre që po rrinte me ta tha: Unë e dua këtë (kalimtarin) për hir të Allahut. Profeti (alejhi selam) i tha: “A ia ke bërë të ditur atij?” Ai iu përgjigj se jo. Profeti (alejhi selam) i tha: “Ngrihu dhe thuaja atij.” Ai u ngrit dhe ia tha (kalimtarit) kurse ai ia ktheu duke i thënë: Të dashtë Allahu që më do për hir të tij. Pastaj u kthye te profeti dhe i tregoi se ç’farë i tha kalimtari. Profeti (alejhi selam) i tha: “Ti do të jesh me atë që do dhe do të kesh shpërblimin që kërkoje.”
[1] Bedevi quhet ai njeri që banon në shkretëtirë.
[2] Udra është sëmundje që prek kokrrat e organit tek meshkujt dhe që shkakton fryrjen e tyre.
Dosje: Virtyti