Këshillë për të cilën kemi nevojë

Nxënësi i dijes duhet patjetër t’i përmbushë dy kritere:

  1. Ta jetësojë në praktikë diturinë e tij, si në çështjet e besimit ashtu edhe në ato të adhurimeve.
  2. Ta jetësojë në praktikë diturinë e tij, si në çështjet e moralit ashtu edhe në ato që kanë të bëjnë me marrëdhëniet ndërnjerëzore.

Shumë prej muslimanëve, janë të përkushtuar ndaj dispozitave të fesë, janë të qëndrueshëm në besim, e falin rregullisht namazin, agjërojnë dhe japin lëmoshë, mirëpo sa i përket anës morale, lënë për të dëshiruar.

Mirëpo kjo nuk shkon, pasi siç dihet, ndër veprat më të mira (e më të dashura tek Zoti), është morali i mirë.

Kërkuesi i diturisë, nuk duhet të jetë i ashpër. Atij nuk i ka hije të jetë i ngrysur. Nuk i ka hije të jetë mallkues, harbut e fjalëkeq.

Përkundrazi, ajo çfarë i ka hije është që të jetë me moralë të mirë, të jetë fytyrëçelur, i buzëqeshur e gojëëmbël. Vetëm nëse është kështu, njerëzit do ta pranojnë këshillën prej tij, dhe do jenë të gatshëm të përfitojnë nga dituria dhe urtësia e tij.

Unë mendoj se të gjithë ju jeni dakord me mua, rreth faktit se nëse do të ishin dy hoxhallarë të të njëjtit nivel sa i përket diturisë fetare, ku njëri ndër ta është i sjellshëm, i komunikueshëm, fytyrëçelur, i durueshëm e zemërgjerë, ndërsa tjetri është i ashpër e i vrazhdtë. Si mendoni, cili nga ata do të jetë më ndikues dhe më i dobishëm për njerëzit?

Padyshim, i pari.

Edhe pse siç thamë, sa i përket diturisë fetare janë në të njëjtin nivel, apo ndoshta ky i dyti mund të jetë pak më i ditur, mirëpo sjellja dhe morali i mirë kanë një rol shumë të rëndësishëm sa i përket ndikimit që lë tek njerëzit nxënësi i dijes.

Duke u nisur nga kjo që thamë, na bëhet e qartë se askush nuk ka të drejtë ta justifikoj sjelljen e tij jo të mirë duke thënë: unë jam nga afrika, unë nga azia, unë nga evropa, kështuqë çdo popull ka moralin dhe sjelljet e tij.

– Jo! Morali i muslimanëve është i njejtë. Morali dhe sjellja e tyre nuk i tejkalon normat dhe dispozitat e Kuranit dhe traditës së Profetit (Paqja qoftë mbi të!).

Mësimet dhe dispozitat e Kuranit dhe Sunetit, janë gjithëpërfshirëse të të gjithë muslimanëve.

Ato nuk janë ekskluzivitet i askujt, dhe nuk janë të veçanta për dikë, por janë për të gjithë muslimanët.

Kështu që është obligim për ne, që sjelljet dhe moralet tona t’i bazojmë në dispozitat e Librit të Allahut (Kuranit) dhe në traditën e të Dërguarit të Tij (Paqja qoftë mbi të!).

Të gjithë ju e keni të qartë se me sa dashamirësi sillej Pejgamberi (Paqja qoftë mbi të!) me Selman Farisiun (i cili ishte me origjinë perse), me sa dashamirësi sillej me Bilal Habeshiun (i cili ishte zezak nga Abisinia), me sa dashamirësi sillej me Suhejb Rumiun (me origjinë Romake) etj.

Pra, muslimanët janë si një trup i vetëm.

Është obligim për ne, që ashtu siç tregojmë dashamirësi dhe mirësjellje për dikë i cili është i sojit tonë, të tregojmë të njëjtën dashamirësi dhe mirësjellje për të gjithë besimtarët musliman, qofshin ata edhe nga skajet më të largëta të tokës.

 

Muhamed bin Salih el Uthejmin 

(Allahu e mëshiroftë!)