Ki kujdes nga kjo Rrugë o rob i Allahut!
Shejkh Salih es Suhejmi
Do të doja t’iu sillja në vëmendje veçanërisht nxënësve të dijes, një çështje të rëndësishme në lidhje me këshillimin . I’u paralajmëroj juve, gjithashtu dhe veten time, për disa çështje:
Kini kujdes nga ilzamatet (përfundimet e nxjerra sipas rrjedhojave dhe nënkuptimeve të paqena). Nëse njeriu ia bën natyrë vetvetes ilzamatet e shumta, atëherë e bëjnë atë që të mendojë sikur ka gabime (tek tjetri), edhe atëherë kur nuk ka një të tillë.
Ki kujdes nga shkëputja e fjalëve të vëllait tend nga fjalia e tërë dhe konteksti i plotë, sepse në të vërtetë kjo shkakton mosmarrëveshje me pasoja të këqia.
Kini kujdes në të qënurit të nxituar kur gjykoni të tjerët!
Kini kujdes nga pranimi i thashethemeve!
Allahu i Lartësuar thotë:
“O ju që keni besuar, nëse ndonjë mëkatar i prishur u sjell ndonjë lajm, ju shqyrtojeni mirë” 49:6
Dhe thotë Allahu i Lartësuar:
“O ju që besuat, kur marshoni në rrugën e All-llahut (për në luftë), të jeni të matur (të mos nguteni), e mos i thoni atij që ju shpreh selamin (besimin): “Nuk je besimtar!”, duke kërkuar me këtë mjet të arrini dicka të jetës së kësaj bote” 4:94
Ju duhet të ktheheni tek dijetarët e mëdhenj për çështje që janë të paqarta për ju.
Kini kujdes që të mos jeni prej atyre të cilët përpiqen të ecin para se të zvarriten(pra përfshihen në atë që nuk u takon)
Kini kujdes prej atyre që bëjnë ilzamate(përfundimet e nxjerra sipas rrjedhojave dhe nënkuptimeve të paqena), prej atyre që janë mburravecë, mendjemëdhenj, që hiqen si të ditur megjithëse nuk janë realisht dhe prej atyre qe janë të paedukatë kur kanë të bëjnë me dijetarët dhe nxënësit e dijes.
Me të vërtetë, kjo është prej sëmundjeve të kësaj kohe!
Shumë njerëz po përfshihen dhe marrin përsipër gjykimin në çështje për të cilat nuk janë të kualifikuar për t`i trajtuar. Disa të tjerë kanë hyrë në dyer të cilat nuk janë të aftë t’i hapin, as të merren me atë çka është në brendësi të tyre.
Kjo ka rezultuar në përçarje, konfuzion, kaos, zili, ndarje dhe dëshpërim; zgjerim të shfrenuar të rrethit konfliktual, veçanërisht nësë këto çështje janë marrë përsipër nga atë cilët nuk u takon, sepse në të vërtetë kjo është prej shenjave të Kijametit.
Prandaj ki kujdes o rob i Allahut nga kjo lloj sjelljeje!
Ki kujdes nga kjo lloj sjelljeje dhe kthehu tek dijetarët e mëdhenj në çështjet që janë të paqarta për ty.
Ki kujdes në kuptimin e thënieve të vëllait tënd në mënyrë të kundërt me atë që ai ka patur për qëllim, ose në një mënyrë që është në përputhje më dëshirat e tua pavarësisht qëllimit të tij. Disa njerëz janë të padrejtë kur bëhet fjalë për të kuptuar thëniet e të tjerëve, duke ndryshuar fjalët që të duken ndryshe nga çfarë është patur për qëllim. Në disa raste këta lloj njerëzish ngjajnë me çifutët, kur Allahu i urdhëroi të thonin “hitah” (na fal ne), ata thanë “Hintah” ( kokërr gruri).
Prandaj ki kujdes o rob i Allahut nga nga kjo lloj sjelljeje!
Transmeto vetëm atë për të cilën je i sigurtë dhe çfarë ke kuptuar plotësisht në mënyrë korrekte. Për sa i përket diçkaje për të cilën nuk je i sigurtë ose që nuk e ke kuptuar plotësisht, atëhere lërja atyre që janë të aftë të merren me të dhe ki kujdes që të mos përpiqesh të ecësh para se të zvarritesh.
Ki kujdes në të qënurit i nxituar në gjykimin e të tjerëve!
Ki kujdes të mos nxitosh të japësh një gjykim për vëllain tënd thjesht për shkak të bërjes së një gabimi prej tij.
Disa njerëz nxitimthi zbatojnë rregulla mbi vëllezërit e tyre ndërkohë që menhexhi i tyre është një!
Ata arrijnë në konkluzione të cilat nuk janë reale (nga thënia e vëllai të tij), ata zbatojnë tekstet fetare aty ku nuk mund të zbatohen(në vendin e gabuar), ata përdorin tekstet fetare për gjëra për të cilat nuk janë argument dhe ata i ndryshojnë thëniet e vëllezërve të tyre për të nënkuptuar atë çfarë në të vërtetë ato (fjalë) nuk nënkuptojnë. Ata kanë pseudo-dituri (te’aalum), mburravecëri dhe ashpërsi në fjalët e tyre në një shkallë e cila as mund të imagjinohet.
Prandaj ki kujdes nga kjo lloj sjelljeje!
“Thirr në rrugën e Zotit tënd me mençuri dhe këshillë të bukur dhe diskuto me ata në mënyrën më të mirë” 16:125
Kini kujdes nga ndryshimi i thënieve të dijetarëve për të nënkuptuar atë çfarë ata nuk kishin për qëllim.
Dikush vjen tek një dijetar i nderuar ,tek një Shejkh i njohur , dhe bën një pyetje në dukje të parë sikur i intereson trajtimi akademik i asaj çështjeje, por më pas thotë: “O Shejkh, cili është mendimi yt në lidhje me dikë i cili thotë kështu e kështu?” Shejkhu, Allahu i dhëntë sukses, i përgjigjet me një përgjigje të saktë, të bukur, të fortë dhe të përshtatshme. Më pas ky person futet në ueb-site, nëpërmjet plehrave të internetit dhe e poston atë me një titull të padrejtë dhe armiqësor: “Shejkh filani refuzon filanin”. Personi i cili gjoja refuzohet mund të jete një dijetar apo nxënës dije që ecën sipas metodologjisë së dijetarëve.
Kjo është një punë jashtëzakonisht e rrezikshme dhe përbën një shtrembërim të madh mbi kuptimin e dëshiruar të fjalëve.
Ueb-sitet janë të mbushura me kësisoj mbeturinash, prandaj ki kujdes prej tyre. Ji jashtëzakonisht i kujdesshëm ndaj kësaj rruge!
Largohu prej çdo ueb-siti që ndjek këtë rrugë dhe distancoje veten prej tyre, nga çdo ueb-sit që është i përqëndruar t’i propagandojë thëniet e të vegjëlve, kam për qëllim të vegjëlit në intelekt, njerëzve të pa mend të cilët dëmtojnë reputacionin e nxënësve të dijes, ndërkohë që shkaktojnë armiqësi midis këtij dhe atij dhe fjala e urtë beduine thotë: Filani sulmon kopenë sëbashku me ujkun në mbrëmje, ndërsa në mëngjes gdhihet me bariun( të vret natën dhe të qan ditën).
Shumë njerëz ecin kësaj rruge dhe do t’i gjesh ata të paqëndrueshëm dhe kontradiktorë. Një ditë janë me këtë dhe atë dhe një ditë tjetër janë me dikë tjetër.
Ki kujdes nga bazimi i vendimeve ose daues tënde të përqendruar mbi personalitete,ki kujdes nga lidhja e pashkëputshme me emra të caktuar, sepse në të vërtetë, kjo është një formë e hizbizmit të neveritshëm për të cilën ne paralajmërojmë, dhe në të cilën mund të bien pa e kuptuar.
Kini kujdes prej kësaj dhe ndiqni rrugën e Selefëve të devotshëm.
Ndiqni metodologjinë e dijetarëve tanë në thirrjen për tek Allahu I larti dhe I Madhërishmi, si psh.:
Shejkhu jonë, Shejkh Bin Baz
Shejkhu jonë, Shejkh Ibn Uthejmin
Shejkhu jonë, Shejkh Muhamed Emin el Shenkiti
Shejkhu jonë, Shejkh el Albani
Shejkhu jonë, Shejkh Hamad el Ensari
Shejkhu jonë, Shejkh Umer ibn Muhamed Falatah
dhe Shejkhu jonë, Shejkh Muhamed Eman el Xhami dhe të tjerë të cilët janë kthyer tek Zoti i tyre, i kërkojmë Allahut të ketë mëshirë për ta.
Dhe gjithashtu prej dijetarëve të kohëve tona:
Shejkhu jonë i nderuar, Myftiu, Shejkh AbdulAziz Abdullah Al Shejkh
Shejkhu jonë i nderuar Salih el Feuzan
Shejkhu jonë i nderuar Salih el Luhejdan
Shejkhu jonë i nderuar Abdullah el Gudejan (Allahu e mëshiroftë)
Shkëlqesia e tij Shejkh Salih bin AbdulAziz Al Shejkh
Shejkhu jonë i nderuar AbdulMuhsin el Abbad el Bedr
Shejkhu jonë i nderuar Ali bin Nasir Al Fakihi
Shejkhu jonë i nderuar Rabi bin Hadi el Medkhali
Shejkhu jonë i nderuar Zejd bin Hadi el Medkhali
Shejkhu jonë i nderuar Ahmed en Nexhmi, Allahu e mëshiroftë atë dhe të tjerët të cilët nuk i kam përmendur duke i permbledhur edhe për shakak të kohës së pakët.
Për sa u përket sigarëve (të vegjëlve) – ose disa prej tyre – kini kujdes në bërjen e tyre pikë referimi për atë që propagandoni, përveç atyre që ndjekin rrugën e dijetarëve, disa prej të cilëve unë i përmenda. Kush ecën rrugës së tyre (dijetarëve) ne marrim prej tyre, por kush devijon prej rrugës së tyre ne distancohemi prej tyre.
Kushdo që kërkon famë nëpërmjet përhapjes së ilzamateve (përfundimet e nxjerra sipas rrjedhojave dhe nënkuptimeve të paqena) që ata i sajojnë, apo nëpërmjet gjurmimit të të metave,apo duke dëmtuar reputacionin e vëllezërve, etj atëherë (dije se) kjo është një punë jashtëzakonisht e rrezikshme, prandaj distancohu prej saj.
Allahu na dhëntë të gjithëve dije të dobishme dhe vepra të mira.
Dhe salati dhe selami qoftë mbi te Dërguarin tonë Muhamed, familjen dhe gjithë shokët e tij.
Përktheu: Rajan Alliu
Të Ngjashme
- Këto janë pyetjet më të mëdha të jetës tënde. Udha e Besimtarëve
- Njeriu duhet të pyesë veten, përse ndodhin këto! Udha e Besimtarëve
- Ligji i pandryshueshëm i Allahut Udha e Besimtarëve
- Begatia e vërtetë e jetës Udha e Besimtarëve
- Kategoritë e njerëzve që jetojnë për këtë botë dhe harrojnë botën tjetër Udha e Besimtarëve